Sefer PASHA/ Teqe e Kiçokut qan për një Baba!

    748
    Sigal

    Letër drejtuar Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, hirësisë së tij, Baba Mondit

    Para disa kohësh, u mblodhën në Teqenë e Kiçokut bektashi e qytetar të zakonshëm nga Përmeti, Tepelena, Berati, Mallakastra e Gjirokastra. Në Amfiteatrin e Teqesë së ringritur nga bektashiu pasionant Alizot Canollari nën hijen e lisave shtrëngonin duart e këndonin qindra besimtar nga Kondasi, Arrëza, Luftinja, Izvori, Gllava, Buzi, Maricajt, Selcka, Komari, Bubësi, Ballabani, Zhepova, Suka, Katundishta, Topojani, Miçani, Frashëri, Këlcyra,Tërpani, Rehova e Vokopola. Besimtarët bektashi vijnë nga të katër anët. Ata vijnë me kuaj ku kanë futur në kosha shqerra e desh, të cilët i bëjnë kurban përpara teqesë, ku janë dhe varret e disa baballarëve të Teqesë së Kiçokut. Por në Teqe nuk ngjiten njerëz vetëm me kuaj. Në majën e hyjnishme ngjiten dhe besimtar me makina të llojeve të ndryshme që nga “Benz”-at dhe “Foristrada”-ts. Më të shumtit janë nga Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra si dhe emigrant nga Athina, Italia, Amerika e Gjermania. Bukuria mes kuajve dhe makinave, ku theren kurbanët është e magjishme.

            Për pak çaste me mikun tim Hysni Lala shkojmë tek tyrbja kushtuar invensitorit të teqesë Alizot Canollari. Tyrbja është ngritur mbi fshatin e Kondasit. Arkitektët e varrit kanë punuar me mjeshtëri. Që nga pllaka e varrit Alizot Canollari vështron drejt Teqesë së Kiçokut, të cilën ai e ringriti me kapitalin e tij. Tyrbja mbulohet nga lisat e bukur ku këndojnë në kor gjinkallat dhe bilbilat. Është një vend i mrekullueshëm për të pushuar për së gjalli, por edhe kur ke vdekur. Kur njeriu vdes dhe ka fat të ketë një varr të tij në shpatin e malit të Trebeshinës nuk i dhimbset jeta. Tek e vështroi Alizot Canollarin i rrethuar nga pylli me lisa e shkoza i hedh sytë nga Gërmadha mbi Kondas me kokën në Trebeshinë dhe sjell në mendje vargjet e Sejfulla Malshovës: /Unë e dua Shqipërinë. /Për një stan në Trebeshinë./ Lulet e malit që rrethojnë tyrben janë të panumërueshme si lulet e borës, të argjendit, të akshamit, të akullit, të arushës, balsamit, beharit, të deles, të diellit, të dimrit, të djathit, të dushkut, të dyllit, të etheve, të fierit, të floririt, të fshesës, të gishtit, të gjakut, të gjelit, të kadifesë, të kashtës, të këmborës, të krehrit, të kungullit, të letrës, të lepurit, të mbrëmjes, të mëllagës, lulja mosmëharro, mosmëprek, lule qeni, lule pjate, lule qyqeje, lule sabahu, lule syri, lule shpate, lule shqerre, lule shqiponje, lule vedre, lule vjeshte, lule zogu, lule gjuhënuse, lule qershie, lulezonja, lulëkuqja e lulet rrotull tyrbes nuk kanë të sosur. Sa shumë lule ka Trebeshina.

          Mbi tyrben e Alizot Canollarit pikërisht aty ku është Qafa e Kiçokut e njohur për erërat e saj të stuhishme është lapidari i shkatërruar i Heroit të Popullit Kastriot Muço. Unë ndalem tek lapidari për ta nderuar birin e Tragjasit, i cili u vra pa i mbushur 20 vjeç. Por nuk jam i vetëm. Të gjithë bektashinjtë që vijnë nga shumë udhë me kuaj e makina ndalen dhe vendosin tufa me lule në lapidarin e bërë fije – fije. Kastriot Muço qe zëvendëskomisar i batalionit “Halim Xhelo” kur në luftë me nazistët gjerman u vra në Qafën e Kiçokut më 4.12.1943. Tek lapidari i grabitur bektashinjtë me thanë qe Alizot Canollarit i kishte mbetur merak që nuk e kishte rregulluar veprën kushtuar djaloshit nga Tragjasi i Vlorës. Më thanë tek Teqeja, e cila është e ngjitur me Qafën e Kiçokut se lapidarin do ta ndreq i biri i Alizot Canollarit, Krenari që është aktualisht kryetar i minibashkisë në Kombinat në Tiranë.

           Teqeja e Kiçokut bart me vete historinë e një populli që beson në zot. Teqeja është ngritur në një pikë gjeografike teksa shikon “në dritë të syrit” Abaz Ali Tomorrin. Por ajo komunikon dhe me teqetë e tjera që shtrihen nga Kiçoku e gjer rrëzë malit të Nëmerçkës. Besimtarët bëjnë kurban të shumtë, hedhin lekë e vendosin lule mbi pllakën ku janë gdhendur emrat e ndritur të baballarëve që kanë shërbyer në vite në Teqenë e vjetër të Kiçokut. Në këtë teqe kanë shërbyer në mote Kamber Leskovaci, Sulo Bubësi, Islam Bubësi, Haxhi Veleshnja, Sadik Çepani e Seidin Kiçoku. Brenda Teqesë së Kiçokut një varr është bosh. Njëri nga baballarët që për etikë nuk dua t’ja përmend emrin e ka lënë amanet që ta varrosin në Teqenë e Kiçokut në të cilën ka shërbyer. Atë e kanë varrosur në një fshat tjetër dhe atje e mbajnë “peng”. Por amanetin e tij nuk e tretë dheu. Ai ka kërkuar të varroset në Teqenë e Kiçokut, ku ka kontribuar një pjesë të jetës së tij. Besimtarët tek Teqeja e Kiçokut të ulur më familje, në shoqëri dhe me fise këndojnë e kërcejnë nën hijet e lisave, të lofatave, bajameve, shkozave e frashërit. Këngët e tyre u kushtohen baballarëve që kanë shërbyer në Teqenë e Kiçokut, por dhe figurave të tjera të ndritura si Baba Mustafa Memaliani të Tepelenës, Baba Ali Turanit (Turanë -Tepelenë) Baba Selman Rabijes (Tepelenë) e shumë të tjerëve. Në sofrat me mish të pjekur dhe raki rrushi besimtarët e zellshëm të ardhur nga Gjirokastra tregojnë në avllinë e teqesë se në kohën e Avdyl Bej Frashërit, pas Lidhjes së Prizrenit, qeveria turke, kur filloi të merrte masa kundër bektashinjve, të tre baballarët e Gjirokastrës, Baba Alinë, Baba Hajdarin dhe Baba Zenel Gjoksin, i internoi në Janinë, duke i mbajtur për një kohë të gjatë të arrestuar. Arsyeja ishte se teqetë ishin çerdhe të librave dhe të arsimit kombëtar.

          Teqeja e Kiçokut ka mitin e saj. Ajo e vendosur në mes të dhjetëra hektarëve prona në çupejkën e Qafës së Kiçokut ka bukuri të rrallë. Bektashinjtë tregojnë bëma të shumta. Zoti aty ka bërë mrekulli. Janë shpëtuar jetë njerëzish, kanë lindur nuse që nuk bënin fëmijë, janë shëruar të sëmurë kur kanë qenë pa shpresë, njerëz të varfër janë bërë të pasur, era e fortë e Qafës së Kiçokut po të preku nën lisat e teqesë nuk pëson kurrë aksident, po të hash disa thelpinj nga bajamet e teqesë shërohesh nga sëmundjet tumorale, kur shkon në teqe i brengosur del prej andej i qeshur, hallet të pakësohen, nuk grindesh me njerëzit, futesh në teqe pa zë e i ngjirur e të vjen zëri e këndon si bilbil. Në sofrën e Kondasve tregojnë se një njeri qe plagosur në pritë dhe dy plumba i kishin mbetur në shpatull. Kjo ngjarje ka ndodhur para çlirimit. Në spitalin e Përmetit ishin ushtarët e huaj. I plagosuri i kishte keq punët. Ishte gati për të vdekur. Ai hipën kalit dhe niset për në Teqenë e Kiçokut. Atje e pret babai. Nuk dihet as sot se me çfarë e mjekoi babai i teqesë. Thonë se aty ku kishte plagët i vendosi gjuhë dhelpre. I kërkoi ndihmë në Teqenë e Tomorrit, Abaz Aliut dhe të plagosurit i dolën të dy plumbat dhe ai u shërua. Kondasit u mblodhën si fshat e sipër në Teqenë e Kiçokut bën një gosti të madhe. Qysh atëherë në pronat e teqesë nuk shkel këmba e ujkut. Tufat me ujqër edhe sot ulërinë që nga Qafa e Kiçokut, por nuk afrohen tek koria e teqesë.

    Teqeja e Kiçkout është një “zë” i bektashinjve që mbledh pa ftesë qindra njerëz. Aty në majën e florinjtë kapërcehen të gjitha mendësitë. Poshtë Teqesë së Kiçokut shtrihen me një sharm gati misterioz teqe, xhami dhe kisha. Ka zona ku teqetë dhe kishat i ndanë një avlli. E parë kjo çështje me vështrim kritik konstaton se në hapësirën e pamasë të feve ato rrotull Teqesë së Kiçokut bashkëjetojnë me një profil të lartë. Për këtë fliste dhe kënga që e këndonin Kondasit në trapezën e tyre nën hijen e lofatave: – /Të krishterë e myslimanë/. – Kanë një nder e një vatan/. Kondasit këndonin kurse në një korie me lisa një vajzë e re me sytë nga Mali i Tomorrit recitonte vargje nga “Qerbelaja” e Naim Frashërit:

                                         Çdo njeri vëllath e kemi,

                                         Gjithë nga një baltë jemi

                                         Kemi një shpirt, një vetije,

                                         Jemi gjithë një fëmijë,

                                         Një mëmë e një at kemi,

                                         Në një fytyrë po jemi.

          Tek ndiqja festën në lëndinat e Teqesë së Kiçokut, ku dhe në korrik era të “grin” u mahnita që qindra bektashinj dhe qytetarë të feve të tjera me një ekuilibër të brishtë e perfekt orbitimin e tyre të bazuar tek besimi në zot, çtresoheshin nga emocinet e kallkanosura e ktheheshin në origjinën e tyre modeste e të pabujshme pa paragjykime me besim të fildisht tek Haxhi Bektash Veliu, mallëngjeheshin nëpër trapeza me njëri – tjetrin e kalonin çaste të lumtura. Mes qindra bektashinjve nuk më zuri syri asnjë polic. Rendin e vendoste i madhi zot brenda Teqesë së Kiçokut dhe Ai që ishte pak më lart në malin e Tomorrit. Asnjë grindje e asnjë ciflosje. Ky ishte investimi i baballarëve të varrosur në teqe dhe i të mirave që kishte bërë Zoti ndër vite. Universi i Teqesë së Kiçokut mbarte me vete brumin e dashurisë, sharmin dhe elegancën për të jetuar në paqe, të besojmë në zot, e në çdo mëhallë të kemi statusin shoqëror të mirësisë siç porosiste Alizot Canollari. Vetë teqeja rrezaton rend dhe ligj (brenda një dite mes qindra njerëzve nuk dëmtohet një degë lisi), në mes të trapezave gjëmonin tregimet, këngët, legjendat, përrallat e fjalët e urta.

          E gjithë festa në Teqenë e Kiçokut ishte një pasqyrë që të lejonte të shikoje përtej gjërave kohën tonë të trazuar me një furi anarkie, e cila duhet kapërcyer me çdo çmim. Ntayrisht që kërkohet forcë dhe fantazi. Ka shumë udhë për të mbërritur tek e mira. Një nga këto udhë të çon dhe në Teqenë e Kiçokut. Vetë teqeja gjeneron forcë të pamposhtur, atje në majë të malit ajo është kryevlerë universale, bashkon njerëzit, aty njeriu i pambrojtur operon në kufijtë e të pamundurës e i vjen në ndihmë mirëfilli Aliu në Tomorr. Me aq sa mundem ndjek botën shpirtërore të bektashinjve ndonjëri prej të cilëve e sjell dashin në krah për në teqe. Tek ngjiten në lëndinat me lule më duken të zymtë e brenda teatrit të festës ata çelen. Përpiqem tua lexoj këtë detaj. Dhe nuk e vë në dyshim se vetë Teqeja e Kiçokut rrezaton aftësitë profetike e përzë nga bektashinjtë të keqen. Me sytë e mi pashë mrekulli në psikikën e të varfërve e në ballin e tyre lexova dendurazi efektin e magjishëm të zotit të madh për të lehtësuar traumat psikologjike. Pa e hiperbolizuar vetë teqeja me mjediset e saj mbillte kulturë, ndërtonte vlera, pajtonte ata që kishin grindje, engjëjt afroheshin nëpër sofra, muza e së mirës ulej këmbëkryq në livadhet me trëndelinë, dilnin në pah vetitë më të mira të traditës në Tepelenë, Berat, Përmet e Mallakastër. Autori i këtij shkrimi është nga Mallakstra. Por në festë nuk isha i vetmi. Kishte dhe të tjerë të ardhur nga larg. Unë e di shumë mirë që mes tepelenasve, përmetarëve dhe mallakastriotëve ka një miqësi të lashtë. Ka një shkëmbim të vendeve për kullotë. Vendasit rrotull Teqesë së Kiçokut për dimër i zbresin tufat me bagëti në Mallakstër dhe mallakastriotët në verë vijnë në stanet e Trebeshinës. Hysni Lala më tregon stanet e fisit tim nga Kremenari. Mbi Kondaj janë stanet e dikurshme të Rroko Pashës, të Avni Jaupit, Namik Maliqit, Rrapo Qamilit dhe e shumë të tjerëve. Në trapeza ngrihen dolli për miqtë nga Mallakstra, të cilët edhe tani e bëjnë këtë “tregti” vendesh dhe që kanë fitime të majme me merat në Trebeshinë dhe në zonat kodrinore të Mallakastrës.

            Pa e hiperbolizuar “pikniku” në Teqenë e Kiçokut u shndërrua në një buqetë gëzimi. Besimtarët demonstronin mjeshtëri në pjekjen e mishit, në shtrimin e trapezave në pyllin me lisa, në ngritjen e dollive, në bashkimin e origjinave gjeografike, dëshirën për të investuar për teqenë, interesat kulturore, rrëfimin e dokeve dhe të zakoneve, origjinalitetin e këngëve të krahinave në periferi të teqesë, trashëgiminë gjenetike, oazet e kënaqësive që të jep jeta rreth teqesë, zbutjen e nyjeve të konflikteve, bekimin mes malit të Tomorrit dhe të Trebeshinës, figura dominuese e teqesë mbi luginat, përrenjtë, kodrat e çukat, amanetet e të parëve në sofat e teqesë, shenjtërimi në breza i Qafës së Kiçokut, kthimi i karvanëve nga udha për t’u falur në teqe, bamirësia ndaj të varfërve, gojëdhënat se Aliu si nip i profetit Muhamet ka shkelur në Kiçok, Trebeshina si simbol i admirimit, energjitë jetike që të jep falja në teqe, udhëtimi i magjistarëve drejt teqesë, engjëjt dhe zanat rrinë brenda në teqe si dhe vizitat e nuseve hipur në kuaj në vendin e shenjtë.

           Rrethrrotullimi në lëndinën e madhe ku zhvillohet festa e ku këndohet e kërcehet për fe e për atdhe të jep ndjenja pikante dhe ekzotike të vetvetishme. Mbi trapezat e besimtarëve fluturojnë jo larg shqiponjat e Trebeshinës. Por nuk janë vetëm shqiponjat, por dhe fajkonjtë, lejlekët, harabelat, pëllumbat e egër, patat dhe rosat, gjeli i egër, qyqja, dallëndyshet, bishtëtundësi, zogu Gjon, shapkat, bilbilat, pupthat, larashët, korbat, çafkat, e shumë shpend të tjerë që këndojnë në pyjet rrotull teqesë. Bektashinjtë na thonë se janë shtuar kafshët e egra si arusha, derri i egër, kaprolli, ujku dhe në shkrepat e Trebeshinës edhe dhia e egër. Shtimi i kafshëve dhe i shpendëve është berqet thonë besimtarët. Festa është edhe më e bukur me vallëzimin e shpendëve mbi trapeza. Mungesa e shpezërisë do ta thatëzonte festën.

            E ndoqa festën trapezë më trapezë dhe pashë me sytë e mi mesazhet e paqes që përcillte ajo përtej Teqesë së Kiçokut. E preka me dorë ëmbëlsinë paqësore, vëllazërimin e njerëzve, forcën e magjisë së yshtjes e përbuzjen e së ligës. Diku Hajne thotë: – “Luks pa fre dhe varfëria pranë”. Por në Amfiteatrin e Teqesë së Kiçokut nuk kishte të pasur e të varfër. Aty dhe një shpretkë keci e ndanin në dy pjesë. I shikoja këto pamje mahnitëse e solla në mendje Konicën i cili thotë: – “Shqipëria u bë. Tani lipset të bëhen shqiptarët”. Krenar Canollari bir nga fshati Kondas dhe që në Tiranë është kryetar i Minibashkisë së Kombinatit na thotë se do të vazhdojnë ta çojnë më tutje amanetin e atit të tij Alizot Canollarit, që e ringriti Teqenë e Kiçokut. Plantacionet e famshme me qershi që u shkatërruan do të shumohen e do të bëhen pyll si dikur. Por projekti kryesor është rruga. Ajo është ëndrra e Krenarit.

             Në festën e Teqesë së Kiçokut pritej të vinte Baba Mondi nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve. Por ai nuk u duk. Gjithsesi, për ‘të u ngritën dolli e u kënduan këngë. Të gjithë bektashinjtë në Teqenë e Kiçokut kërkonin nga Baba Mondi që ai të dekretoi një Baba se aktualisht Teqja e Kiçokut nuk ka babanë apo dervishin e saj. Për administrimin e teqesë interesohej privatisht Xhelo Canallari. Në një nga trapezat me bektashinj nga Arrëza e Madhe për këtë shqetësim u këndua dhe një këngë:

                     Teqeja e Kiçokut përmbi fshatëra,

                      Lulja e borzilokut qan për një Baba.

                      Ore Baba Mondi ty të qofshim falë,

                      Pa dal vjeshtë e parë, dekreto babanë.

                      Të presin me këngë qindra bektashi

                      Vjen Aliu mbi kal me këmbë në yzengji.