Sazan GOLIKU/Borxhi

    304
    Sigal

    -Goditje në zemër…-tha mjeku i urgjencës. Lëshoi dorën e Dillit ose atij që quhej Dill Daka, biznesmen me emër, dhe tha me vete duke rrudhur vetullat: “Me këtë mal me dhjamë që ka pasur ky birbo, ka jetuar si tepër.”

    Rrjedha e lotëve në faqet e trëndafilta të Shpresës, që dukeshin sikur do të pëlcisnin nga çasti në çast, ende nuk ishin tharë.

    -Ju lutem, -i tha ajo mjekut, -më ndihmoni ta shtrijmë në krevat.

    Mjeku e kapi Dilin nga krahët, Shpresa dhe infermierja e urgjencës nga këmbët – e ngritën kufomën nga kolltuku i purpur ku kishte dhënë shpirt dhe, duke shtrënguar dhëmbët, e çuan në odën e gjumit dhe e shtrin në krevat.

    -Oh, mesi! –psherëtiu Shpresa duke u shtriqur pas me duar në bel. Gjoksi i bëshëm iu ngrit lart kërcënueshëm.