Saimir Maloku:Si e ndërtova kanaçen e famshme për të kapur stacionet e huaja

    918
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet inxhinieri elektronik, ish- i përndjekuri politik, Saimir Maloku

    12 korrik 1946. Një sëmundje e rëndë e veshkave që iu shkaktua nënës time e cila ishte më tepër se gjashtë muaj shtatzënë detyroi mjekun që në kushtet e një shtëpie përdhese e plot me lagështire, të kryejë me shpejtësi operacionin e një lindjeje të parakohshme në mënyrë që të shpëtohej jeta e saj. Pas lindjes së kësaj foshnje, me peshë më pak se dy kg, mjeku dha shpresa të pakta për jetën e tij. Ky fëmijë i lindur dhe që në fakt mbijetoi falë ndihmës së Zotit, isha unë Saimir Maloku. Çdo ditë e jetës time më sillte një përmirësim të vazhdueshëm shëndetësor. Me kohën, shëndeti u përmirësua dhe në shkollë u dallova.

     Kam dëgjuar që keni qenë një nxënës i jashtëzakonshëm?

    Në shkollën e mesme fitova olimpiadën e matematikë-fizikës të shkollave të Tiranës. Gjithashtu mbarova shkëlqyeshëm dhe me Medalje të Artë studimet në Universitetin e Tiranës, dega Inxhinieri Elektronike, e cila ishte dega më e vështirë e gjithë shkollave të larta të Shqipërisë. Në Universitet isha në një vit me djalin e Enver Hoxhës, Sokolin. Në një ceremoni solemne, e zhvilluar në auditorin e Fakultetit të Inxhinierisë, më 28 shtator 1974 m’u dorëzua kjo Medalje Ari nga qeveria e atëhershme dhe personalisht nga Spiro Koleka, atëherë ministër. Gjatë viteve 1965-1974 unë dhe babai im pritëm në familjen tonë shumë miq nga Anglia, të na sillnin ilaçe tepër të vlefshme dhe të shtrenjta për kurimin e babait tim të paralizuar. Në vitin 1971, sigurimi komunist donte të më arrestonte mua. Por falë ndërhyrjes së Ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, që fatmirësisht kishte qenë shok fëmijërie me babanë  tim, kjo gjë nuk u realizua (ky ministër në vitin 1974 u pushkatua si pjesëtar i grupit armiqësor puçist).

     Përse u burgosët?

    Gjatë viteve 1970-1972 unë shpika dhe perfeksionova një pajisje elektronike që prej popullit u emërtua “kanoçe”. Kjo pajisje ishte një transformues i thjeshtë i valëve televizive nga banda UHF, në bandë VHF. Vendosja e kësaj kutie të vogël elektronike në hyrje të aparateve televizive shtëpiake mundësonte marrjen e sinjaleve televizive italiane, greke dhe jugosllave etj. “Kanoçja ime” u konsiderua për atë kohë si shpikja më e rëndësishme, e cila i dha mundësinë popullit shqiptar që t’i hapej një dritare për të parë Perëndimin në kushtet e atij rrethimi të egër të diktaturës komuniste. Ndërsa për Sigurimin e Shtetit komunist, kjo gjetje shkencore u konsiderua si vepër armiqësore, sepse shihej si një urë ndërlidhëse midis Shqipërisë dhe Vendeve Perëndimore. Unë, më shumë atë kanoçe, e bëra për babanë tim i cili duke qëndruar gjithë ditën brenda, donte të shtynte ditën.

     Kur ju arrestuan?

     Më 13 maj 1976, me urdhër të diktatorit komunist unë u arrestova në një sallë kinemaje në prani të qindra vetëve, me akuzën si bashkëpunëtor i agjenturës angleze dhe i perëndimit. Urdhri i arrestimit me të njëjtën akuzë ishte dhënë edhe për babanë tim, Reshit Maloku, i cili kishte mbaruar shkollën teknike amerikane të Harry Fultzit. Ai në vitin 1937 kishte shoqëruar dhe shërbyer si përkthyes i një personaliteteje tepër të rëndësishme angleze, në një vizitë turistike në Alpet e Shqipërisë. Ai ishte zotërues i pesë gjuhëve të huaja, Mjeshtër i Merituar i Sportit dhe ish-Trajner i Ekipit Kombëtar të Qitjes, si dhe i dekoruar me urdhra dhe medalje pune nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, im atë si Anëtar i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i ndihmuar edhe nga shoku i tij më i ngushtë i fëmijërisë dhe i shkollës amerikane Myrteza Topi ( babai i Z. Bamir Topi – President i Republikës së Shqipërisë, i cili gjithashtu kishte mbaruar shkollën teknike amerikane të Harry Fultzit) jepnin ndihmë mjekësore njerëzve të plagosur nga lufta si dhe me një karrocë transportonin trupat e njerëzve të vrarë pranë familjeve të tyre. Po duke qenë se babai im ishte i paralizuar qysh nga viti 1968 dhe gjendja e tij ishte tepër e rënduar, Sigurimi i Shtetit e anuloi arrestimin e tij.

     A ua kontrolluan shtëpinë dhe çfarë ju gjetën?

     Gjatë kontrollit të shtëpisë sonë, Sigurimi i Shtetit gjeti Librat e Shenjtë të Kuranit dhe të Biblës në gjuhën angleze si dhe portretin e madh të Mbretëreshës së Anglisë, të cilët i grisi në prezencë të babait tim. Ai, i zemëruar pa masë nga ky gjest i pafalshëm, gjeti forca t’i qëllonte këta kriminelë komunistë me bastunin e tij dhe t’i kundërpërgjigjej atyre duke i thënë: “Duke grisur këto Libra të Shenjtë të Zotit dhe portretin e Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, ju do të merrni mallkimin e Zotit sepse keni harruar kontributin e madh që populli britanik dha për çlirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Njerëzit e Sigurimit të Shtetit  gjithashtu na morën dhe më vonë dogjën afro 100 libra dhe revista në gjuhën angleze, si “Libra të Imperializmit”. Ky ishte inkuizicioni i mallkuar komunist i shekullit modern të XX. Ato më morën të gjithë sendet e dërguara prej miqve të mi nga Britania e Madhe (zotërinjtë Stephen Di Winter, Calvin Barry, etj.) të cilët ndihmonin historianët shqiptarë si Arben Puto, Xhevat Lloshi etj, në përkthimin e arkivave të vjetra britanike gjatë viteve 1965-1976. Por regjimi komunist nuk mundi të largojë miqësinë midis familjes sime dhe popullit të Britanisë së Madhe.

     Sa muaj ndenjët në hetuesi?

    Sigurimi komunist më mbajti mua gjatë kohës së hetuesisë për më tepër se gjashtë muaj në një qeli tepër të ngushtë e të nëndheshme të Degës së Punëve të Brendshme (të Policisë) të Burrelit, nën tortura ç’njerëzore. Kjo qeli e nëndheshme cilësohej si qelia më e tmerrshme e burgjeve shqiptare ku futeshin njerëzit më të rrezikshëm të regjimit komunist. Aty kalova dhe pashë ferrin komunist si në “ Komedinë Hyjnore” të Dante Aligerit. Mjaft ish të burgosur politikë, që kanë qëndruar në këtë birucë, përfunduan në spitalet psikiatrike, apo në Sanatoriumin e Tiranës, me mushkëri të shkatërruara. Për afro tre muaj, çdo natë sigurimi më merrte në pyetje nga ora 12 e natës dhe deri në ora 6 mëngjesit, duke më mbajtur në këmbë, lidhur këmbë e dorë dhe me pranga gjermane dhe duke më ushtruar një presion të madh psikologjik dhe fizik, deri sa më binte të fikët. Më kërcënonin se do të më vinin aparaturën e elektroshokut në kokë dhe se do të më arrestonin ose internonin të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes. Qëllimi i tyre ishte që të pranoja kot së koti, sipas imagjinatës së tyre komuniste, akuza të kota fyese për Britaninë e Madhe, Familjen Mbretërore dhe popullin e tij të mrekullueshëm.

    Si jua dhanë dënimin?

    Më 28 gusht 1976, sigurimi komunist pa më lajmëruar për zhvillim gjyqi, më mori dhe më solli po në atë sallë të madhe kinemaje ku më kishin arrestuar. Aty ishin të pranishëm afro 3 mijë vetë, ku turma më e madhe e tyre qëndronte jashtë sallës së gjyqit duke dëgjuar altoparlantët. Qëllimi i diktaturës komuniste ishte demaskimi sa më i rëndë i veprimtarisë sime, të ashtuquajtur armiqësore para popullit. Por ndodhi e kundërta. Unë akuzova dhe demaskova ashpër diktaturën komuniste për shkelje të të drejtave të njeriut, për krimet komuniste, etj. Momenti më kulmor në këtë gjyq shembullor komunist, ishte kur unë me vendosmëri deklarova:

    “ Unë nuk e dua Partinë e Punës (komuniste), sepse ajo është si një mollë e kuqe, e krimbur nga brenda. Këto krimba janë udhëheqësit kryesorë të partisë. Me arrestimet, burgimet, internimet dhe pushkatimet që po bën Enver Hoxha ( udhëheqësi komunist), populli në të ardhmen pas vdekjes së tij do ta quaj atë diktator i Shqipërisë, si Stalini dhe ashtu siç ia bënë diktatorit sovjetik, njëlloj do t’ia bëjnë edhe atij, duke ia djegur trupin, librat si dhe do t’i rrëzojnë monumentet e tij”.

     Si reagoi salla?

    E gjithë salla u irritua pa masë. Shumë militantë ekstremistë komunistë hodhën fjalët më fyese kundër meje, më pështynin si dhe më gjuanin me vezë, domate dhe kumbulla të prishura. Por pas kësaj kriminelët komunist, të irrituar nga qëndresa ime demaskuese, përpiluan planin e tyre të shkatërrimit tim fizik dhe psikik. Ato më dënuan që të qëndroja dhe muaj të tërë në birucën e nëndheshme, i vetmuar si më parë. Nuk lejonin që të komunikoja me familjen dhe të merrja ushqime prej tyre. Në të shumtën e rasteve nuk më nxirrnin në ajrosje, e cila ishte 10 minuta në ditë. Ndër të tjera nuk më lejonin as që të komunikoja me njerëz zyrtarë. Përfytyroni për afro 6 muaj, qysh nga momenti i arrestimit, ushqimi im ditor ishte afro 300 gr. bukë e mykur dhe shpesh me krimba, një pjatë me ujë me dy tre kokrra fasule ose tre fije makarona si dhe një gotë çaj pa sheqer. Nuk më lejonin të mbaja peshqir, furçe dhëmbësh dhe sapun.

    Nuk u sëmurët me gjithë këto tortura?

    Nga mungesa e ushqimit, nga të ftohtit e lagështira e madhe, nga streset psikike, nga mungesa e veshmbathjes (isha i zbathur dhe i veshur vetëm me një palë pantallona dhe një bluze) si dhe nga mungesa e batanijeve, dyshekëve (vetëm me gjysmë batanije flija për tokë) unë u sëmura rëndë nga sëmundja e skorbutit, u dobësova në mënyrë të jashtëzakonshme dhe nga demoralizimi i madh pësova një tronditje të rëndë psikike.

    Çfarë bëje në burg?

    Aty unë studioja literaturë me përmbajtje mjekësore dhe për mësimin e gjuhëve të huaja angleze dhe italiane. Pjesën më të madhe të vuajtjes së dënimit e kalova në kampin politik të minierës së Spaçit. Të burgosurit politikë banonin në dhoma fjetje mbushur me tartabiqe, pleshta, mushkonja, etj. me dimensione 4mx4m. Aty banonin deri 45 veta, të vendosur në shtretër trekatëshe, me dyshekë prej kashte me gjerësi 60 cm. Nga mbushja e tepërt me njerëz dhe nga kashta që mykej, krijohej një ajër aq i rëndë sa të merrej fryma.

    A ju futën në punë?

    Aty unë dhe afro 1500 të burgosur politikë punonin brenda në galeritë e nëndheshme që zgjateshin deri në një kilometër dhe të ndara me kate. Brenda galerive, ku nxirrej minerali i bakrit dhe i piritit, temperatura e ambientit shkonte deri në +50 gradë, ndërsa jashtë temperatura në dimër arrinte deri në minus 20 gradë, sepse miniera ndodhej në lartësinë 1000 metra. Të gjithë të burgosurit politikë punonin ditë e natë, me tre turne. Normativa e punës ishte sa katërfishi i një minatori të zakonshëm të lirë, ndërsa pagesa ishte shtatë herë më e vogël.

     Kur u lirove, a e ke takuar Sokol Hoxhën?

    Jo, se kam takuar, por ai nëpërmjet një miku, më ofroi të filloja punë në Uzinën Elektronike në Durrës, por unë nuk pranova.