Sabri Zeqiri: Enver Hoxhën e adhuronim skajshmërisht si “shpëtimtarin e kombit shqiptar”

    489
    Sigal

    INTERVISTA/  Flet mësuesi i letërsisë,  shqiptari qe punon ne Maqedoni , Sabri Zeqiri

    Sabri Zeqiri është një mësues i zellshëm i gjuhë letërsisë shqipe në Maqedoni. Vazhdimisht atë e gjen në shtypin maqedonas, por dhe në atë shqiptar dhe kosovar, me esse, kritika letrare për problemet e ndryshme të letërsisë shqipe. Në sistemin komunist njohja e Shqipërisë ishte e cekët, por megjithatë ata e shihnin Enver Hoxhën si shpëtimtar të kombit. Ai ngre probleme të ndryshme që kanë të bëjnë me përkthimin e veprave shqiptare nga përkthyes jo profesionistë maqedonas. Sipas tij, sa i takon teksteve shkollore ka ngecje, sepse një pjesë e mirë e tyre përkthehen jo mirë nga një gjuhë tjetër nga njerëz joprofesionistë dhe tekstet dalin të pakapshëm për nxënësin dhe mësimdhënësin që në të shumtën e rasteve mësimdhënësve u sheh në duar origjinalin.

      -Si e njihnit Shqipërinë në periudhën e sistemit komunist?

     Nuk e njihnim fare, përveç ndonjë emisioni që emetonte TV Beogradi, kur na jepej mundësia ta përcillnim. Po ato sekuenca filmike na bënin një përshtypje të keqe, ku në sheshin e Tiranës shihnim vetëm karroca dyrrotëshe dhe biçikleta…. Që nga viti ‘77 herë pas here përcillnim Radio- Tiranën në valë të shkurtra dhe krijonim një shëmbëlltyrë krejt tjetër dhe na e kishte ënda ta përfytyronim si “një kopsht me lule” atdheun amë. Sidoqoftë, prapë them se ka qenë më mirë se tek ne në ish jugosllavi, veçanërisht në Maqedoni. Por, kur m’u dha mundësia të vizitoj Shqipërinë në vitet ‘90, u befasova , kur pashë pyjet e prera që në Qaf Thanë ,se ato gjoja i kishte mbjell Enveri dhe duhet të zhdukeshin nga faqja e dheut…Por, kur pashë njerëzit nëpër ara duke mihur me bel u rrëqetha i tëri…Dhe kjo të jepte të kuptoje diçka tjetër.

    -Si e kini njohur Enver Hoxhën dhe cili është mendimi juaj për të?

    Nuk e njihnim fizikisht por, e adhuronim skajshmërisht si “shpëtimtarin e kombit shqiptar”. Në një qetësi absolute dëgjonim pjesë nga libri i tij “ Titistët” dhe e miratonim çdo mendim qe lexuesja e radios thoshte…

    -Ç’mendim keni pasur për Shqipërinë në sistemin komunist?

     Mendoj se çdo regjim i ka të mirat dhe të këqijat e saja që populli i bart në kurriz, për një pjesë të vogël të popullsisë(elitën e kohës) i përkryer e për tjetrën diskriminues. Po regjimi komunist ishte i dëmshëm për shqiptarët kudo që ato jetonin, si në Shqipëri, Kosovë,Maqedoni e Mal të Zi.

    -Çfarë lidhjesh kanë pasur shqiptarët në Maqedoni me Shqipërinë në regjimin komunist?

    Nuk mund të jap një mendim të plotë dhe ndoshta gaboj kur them se nuk kishte lidhje fare. Gjatë viteve ’80, kur isha nxënës në gjimnazin e Kumanovës mbaj mend që në shtëpinë e Kulturës kemi parë filmin shqiptar “Lulëkuqet mbi mur”… Ndërsa, librat e autorëve shqiptarë si të Kadaresë, Agollit, Arapit etj., i gjeje në librarinë e qytetit.

    -Kur e keni vizituar për herë të parë Shqipërinë dhe çfarë keni ndjerë?

    Për herë të parë në Shqipëri kam qenë në vitin ’93 dhe të them të drejtën u befasova sapo kalova kufirin shqiptaro-shqiptar nga Struga në Qafë- Thanë. Nga ai përfytyrim që kisha krijuar në mendjen time për Shqipërinë “kopsht me lule” pashë një mjerim që nuk doja ta besoja. Po shqetësimi më i madh për mua ishte kur pashë nga autobusi një kazermë shqiptare, ku ushtarët mbanin çizme gome e në vend të rripit të pantallonave kishin sixhim(fije litari).Po me kalimin e kohës çdo gjë ndryshoi për mirë.

    -Si ka qenë i organizuar arsimi shqip në Maqedoni dhe a kishit ndikim nga letërsia shqiptare?

     Ç’të them nga vitet ‘80 në Maqedoni pati një presion të paparë. Përmes Beogradit eksperimentohej tek ne, pasi filluan me paralelet e përziera, Akademia Pedagogjike ku përgatiteshin kuadro mësuesish të të gjitha profileve për shkolla fillore gati u mbyll, pedagogët më të mirë i detyruan të largohen nga vendet e tyre të punës dhe i zëvendësuan me pedagogë maqedonas. Një pjesë e madhe e nxënësve ndërprenë mësimin e një pjesë e vogël kishin mundësi që t’ia mësyjnë Prishtinës,Gjilanit e Bujanovcit për të përfunduar shkollimin e mesëm. Ndërsa, për studentë dyert e Universitetit të Prishtinës ishin gjithmonë të hapura për shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi e Preshevës. Edhe ata që tentonin ti vazhdonin studimet në Shkup në njërin nga fakultetet maqedonase detyroheshin t’i ndërpritnin për ti vazhduar në Prishtinë. Sa i takon teksteve shkollore, ato përktheheshin nga autorë maqedonas, traditë që vazhdon sot e kësaj dite,përveç teksteve të gjuhës shqipe.( http://ina-online.net/opinione/28195.html) që edhe ato lënë për të dëshiruar)

    -Cili është mendimi juaj për letërsinë shqiptare të realizmit socialist. A ishte ajo një letërsi konkurruese në Europë?

    Besoj se një pjesë e mirë e kësaj periudhe ka vlera artistike, po jo konkurrente e letërsisë europiane.

    A keni pasur kontakte me letërsinë e Kadaresë dhe Agollit në sistemin monist dhe si e vlerësonit letërsinë e tyre? A i keni takuar personalisht?

    Po gjatë studimeve në Prishtinë. Preferoja prozën e Kadaresë dhe poezinë e Agollit dhe Arapit. Nuk kam pasur rastin t’i takoj personalisht kurrë. Dhe e kam peng në zemër që nuk kam mundësi t’ia shtrëngoj dorën poetit të madh Dritëroit, pikërisht për përmbledhjen “Pelegrini i vonuar”

    Ku ndodheshit kur fryu era e demokracisë në Shqipëri? Si e përjetuat atë emigrim masiv me vaporë drejt Italisë?

    Gjatë kësaj kohe kam qenë me punë të përkohshme në Zvicër dhe si çdo shqiptar e prita me një pezm të madh, ishte shqetësuese, por populli shpërthen në situata të tilla për një jetë më të mirë, për bukën e gojës, ndoshta…

    -Si do ta vlerësonit politikën shqiptare në këto 23 vjet demokraci?

    Politika shqiptare dalëngadalë do të ndërtojë rrugën e qeverisjes së mirë. Do të duhen edhe shumë vite për t’iu afruar demokracisë europiane…

    -A vlerësohet letërsia shqiptare në Maqedoni?

    Po, bile është shtuar interesimi pikërisht për ata krijues shqiptar që regjimi komunist i anatemoi. Sot takon të rinj që citojnë vargje nga Lahuta e Fishtës, nga poema e Kutelit, nga Camaj, Koliqit, etj., sepse janë futur në planprogramet e shkollave të mesme dhe fillore.

    -Si përgatiten tekstet e gjuhës shqipe për shkollat shqipe në Maqedoni, a kemi të njëjtat lëndë si në Shqipëri?

    Sa i takon teksteve shkollore ka ngecje, sepse një pjesë e mirë e tyre përkthehen jo mirë nga një gjuhë tjetër nga njerëz joprofesionistë dhe tekstet dalin të pakapshëm për nxënësin dhe mësimdhënësin që në të shumtën e rasteve mësimdhënësve u sheh në duar origjinalin .

    – Cilat janë problemet e gjuhës shqipe në Maqedoni?

    Ka filluar të punohet në këtë drejtim. Sot nëpër rrugët e Shkupit sheh tabela edhe në gjuhën shqipe edhe pse shpeshherë i gjen të shkarravitura te –zanorja -ë- që ua vret syrin palës tjetër.

    A preferojnë shqiptarët e Maqedonisë të bëjnë pushime në Shqipëri?

    –         Pushimet i preferojnë si shqiptarët, ashtu edhe maqedonasit për shkak të afërsisë dhe çmimeve më të favorshme se ato greke e turke.