Sabah Goci, Drejtor i Përfitimeve në ISSH: Përfituan nga rritja 591,600 pensionistë

    377
    Sigal

    INTERVISTË/ Sabah Goci, Drejtor i Përfitimeve në ISSH: Në 8 gusht përfundoi procesi i shpërndarjes së pensioneve me rritje

    Në datën 8 gusht në të gjithë Republikën e Shqipërisë ka përfunduar i gjithë procesi i shpërndarjes së pensioneve me rritje. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Telegraf” Sabah Goci, Drejtor i Drejtorisë së Përfitimeve në ISSH. “Nivelet e rritjes kanë qenë 4 % për qytetin dhe 5% për fshatin. Natyrisht është mbajtur parasysh një politikë që në një të ardhme të shkurtër pensioni i fshatit të barazohet me atë të qytetit, prandaj dhe rritja më e madhe ka qenë gjithmonë për pensionet e fshatit”, shprehet Goci. Numri i përfituesve ka qenë rreth 591600,  ku 30,200 përfitues i përkasin të gjitha kategorive të ushtarakëve. Ndërsa nga pensionet e fshatit kanë përfituar gjithsej 146,000 qytetarë. “Efekti financiar për rritjen është rreth 1 miliard e 574 milion lekë. Mesatarisht shkon rreth 480-500 lekë rritja mesatare për çdo përfitues” shprehet Drejtori i Përfitimeve në ISSH, Goci. Ndërsa mosha e daljes në pension nuk ka ndryshuar; për burrat mosha e daljes në pension është 65 vjeç dhe për gratë 60 vjeç.

    Me vendim të KM, në një gusht hyri në fuqi rritja e pensioneve. A e përfituan pensionistët këtë rritje me shpërndarjen e pensioneve këtë muaj?

    Tashmë procesi ka përfunduar. Çdo të thotë që procesi i rritjes së pensioneve ka përfunduar? Me të dalë vendimi i qeverisë, ISSH dhe drejtiritë varëse rajonale, u organizuan në mënyrë të tillë që të gjithë personat që kishin grafikun ta merrnin në datë 1 gusht pensionin ta merrnin me rritje. Kështu që në datën 8 gusht në të gjithë Republikën e Shqipërisë ka përfunduar i gjithë procesi i shpërndarjes së pensioneve me rritje. Përfitoj të them që kategoritë përfituese ashtu dhe siç janë deklaruar mbeten po ato. Nivelet e rritjes kanë qenë 4 % për qytetin dhe 5% për fshatin. Natyrisht është mbajtur parasysh një politikë që në një të ardhme të shkurtër pensioni i fshatit të barazohet me atë të qytetit, prandaj dhe rritja më e madhe ka qenë gjithmonë për pensionet e fshatit. Dhe në fund skema të trajtojë pensione dhe jo të ndara, pensione fshati apo qyteti.

    Sa përfitues janë nga rritja e pensioneve?

    Përfitimet dhe grupet e përfitimit janë të ndryshme, gjithsej rreth 591,600 përfitues. Këtu përfshihen të gjithë kategoritë e pensioneve, qytet, fshat, invaliditet, pleqëri dhe familjare etj. Janë rreth 30,200 përfitues ku përfshihen ushtarakët e të gjitha sistemeve, të Mbrojtjes, të Rendit, të SHIK-ut, të Drejtësisë, të Zjarrit, pra të gjitha kategoritë e ushtarakëve dhe punonjësit e ish-ndërmarrjeve të industrisë ushtarake që tani nuk funksionojnë, por janë në një mbrojtje të veçantë financiare, janë ish punonjësit e nëntokës edhe këta në një mbrojtje të veçantë financiare e kategori të tjera, siç janë punonjësit e nëndetëseve, ose nënujësit siç i themi ne, ata që kanë punuar në sistemin e aviacionit dhe që kanë tituj shkencorë profesorë. Të gjithë kategoritë dhe shtesat e këtyre kategorive në pension janë rritur në masë 4 %. Këtu përfshihen dhe invalidët e luftës, ku përfshihen ata që kanë rënë në krye të detyrës dhe për shkak të detyrës, ose ata që janë invalidizuar në krye të detyrës dhe për shkak të detyrës, pra të gjithë grupet e interesit e kanë përftuar rritjen në masën 4 %. Pjesa tjetër janë pensionet e fshatit që përbëjnë gjithsej 146,000 përfitues, me pensione invaliditeti, familjare dhe pleqërie dhe këta e kanë përfituar në masën 5 %. Pra më duhet të theksoj që ky proces ka përfunduar dhe të gjithë ata që përmendëm më sipër e marrin pensionin të rritur. Ai që s’e ka tërhequr, kur të vijë radha me marrë pension, do ta ketë brenda masën e pensionit të rritur, pra nga 1 gushti do të tërheqin këstin e ri të rritur.

    Po në vlerë monetare sa përllogaritet rritja?

    Efekti financiar për rritjen është rreth 1 miliard e 574 milion lekë. Mesatarisht shkon rreth 480-500 lekë rritja mesatare për çdo përfitues. Është relativisht e vogël, sepse për një pension pleqërie të plotë minimal rritja është 460 lekë, ndërsa për një pension në nivelin maksimal rritja është 2 herë më e madhe, që është 920 lekë. Çdo të thotë? Do të thotë që edhe ata që e kanë pensionin të pjesshëm e kanë marrë rritjen në raport me masën e pensionit, pra shtesën reale që merr secili e ka në raport me masën e pensionit që ka përfituar. Këto janë dhe nivelet e përfitimit.

    Te pensionet e ushtarakëve janë rritur vetëm pensionet e pleqërisë apo dhe ato suplementare?

    Të gjitha kategoritë, të parakohshme, invaliditeti, familjare, si ushtarakë edhe suplementare. Me rritjen e të dyjave pensioneve, një minimal si ushtarak dhe një si suplementar rritja shkon gati dyfish, 920 lekë të reja.

    Gjatë shpërndarjes së pensioneve të rritura a pati ndonjë incident?

    Gjëra të vogla, për gjëra teknike. Vetëm në Tiranë patëm problem në një ditë, e cila u riparua brenda ditës, dhe ata që s’e morën rritjen në datë 1 gusht e morën atë në datën 2 gusht pa problem.

     Sipas kësaj skeme, domethënë rritjes së pensionit dhe qëllimit që pensioni i fshatit dhe i qytetit të barazohen me njëri-tjetrin, për sa vite duhen që të bëhet kjo lloj rritje e diferencuar për të arritur barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit?

    Ishte parashikuar që deri në vitin 2014 këto të barazoheshin. Mund të shtyhet, se në buxhetet e viteve ishin parashikuar që ritmi i rritjes të ishte më i lartë për fshatin dhe më i lartë se 5 %, por kjo mund të shtyhet pak në kohë, por s’besoj se e kalon vitin 2015. Kemi dhe realitetin e ndryshimit të raporteve të zënies me punë. Tashmë ata që kanë pasur disa vite punë në kooperativë bujqësore nuk marrin më pension fshati, sepse ndryshon raporti. Një njeri që plotëson 35 vjet punë sot dhe do dalë në pension pleqërie do i duhet që të ketë më shumë se gjysmën, pra 17 vjet e gjysmë dhe një ditë plus punë jo në kooperativat bujqësore, dhe këtij i del pension shteti, pra i barazohet në mënyrë automatike pensioni me atë të qytetit. Pra dispozita ligjore e ka sistemin rregullator vetë brenda kur zbatohet. Dhe në këto kushte, me pension fshati mbetet vetëm stogu, pra ata që kanë më shumë se 17 vjet e gjysmë e një ditë punë në kooperativa bujqësore. Stogun ta përafrojmë nëpërmjet procesit të rritjes, të tjerët pastaj trajtohen njësoj me qytetin, sfumohet pjesa e kooperativës, tani se s’ka më kooperativa. Pra të gjithë ata që kanë vite pune në kooperativë, para ’91-it nuk u humbet asnjëherë e drejta për t’u quajtur vite pune, sepse dispozita bazë, ligji i ri i pranon të mirëqena kontributet edhe në kooperativë, dhe në shtet, dhe para ‘91, pra të gjitha periudhat e sigurimit janë të vlefshme. Por kur të vijë puna me dalë në pension pleqërie ruhen raportet se sa ke në kooperativë dhe sa ke në shtet.

    Ndërkohë a ka ndryshuar mosha e daljes në pension?

    Aktualisht mosha e daljes në pension është ajo që kemi deklaruar në vite. Njerëzit që kanë bërë punë të kategorisë së tretë; për burrat mosha e daljes në pension është 65 vjeç dhe gratë 60 vjeç; punë të kategorisë së dytë, burrat dalin në pension 64 e gjysmë vjeç, gratë 59 e gjysmë vjeç. Dhe mot barazohet puna e kategorisë së dytë më të tretën. Mbetet e hapur puna në kategorinë e parë, por numri e frekuentuesve të këtyre punëve të vështira ka qenë shumë i vogël dhe relativisht është sfumuar në kosto.