Rreziku nga ISIS, Kryeministri italian Renzi: Gjithë BE-ja në rrezik

424
Sigal

Kryeministri Italian Mateo Renzi deklaron se Italia është një vend i madh dhe e aftë për të përballuar çfarëdolloj kërcënimi. I ftuar në emisionin “Virus” ndërsa fliste për rrezikun e ekstremizmit islamik, Renzi u shpreh se “e gjithë Evropa është e kërcënuar e ndodhet në rrezik për shkak të militantëve të isis në Libi”.

Ai lajmëroi më pas se për arsye sigurie është rritur gatishmëria në të gjitha pikat e mundshme Italiane, ndaj nuk ka shumë mundësi për sulme të jashtme, megjithëse nuk përjashton raste të izoluara. Ndërkohë shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, pas përfundimit të samitit ‘kundër terrorizmit’ në Ëashington deklaroi se “të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë samit mbështesin fort veprimtarinë e OKB-së nga i dërguari special, Bernardino Leon, i cili po punon për një qeveri të bashkuar kombëtare në Libi.

Kjo deklaratë e Mogherinit erdhi pas takimit të saj me sekretarin Amerikan të shtetit, John Kerry, me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe me ministrin e jashtëm Egjiptian Sameh Shoukry. Vetëm një natë më parë ekstremistët e ISIS kërcënuan sërish vendet e Bashkimit Evropian e veçanërisht Italinë.

Duke lajmëruar se kishin mundur të futeshin në Turqi, ata shkruanin në rrjetet sociale se “me vullnetin e Allahut së shpejti do të mbërrinin dhe në Romë”, duke krijuar dhe një hashtag të veçantë për misionin e tyre të radhës. Sipas burimeve të agjencisë kombëtare të inteligjencës turke mjaft terroristë të ISIS kanë mundur të hynë në territorin e Turqisë dhe planifikojnë sulme në Ankara e Stamboll.