“Shpërthimet/ Llalla: Së shpejti përfundime konkrete. Cannon: Luftoni korrupsionin”

527
Sigal

Për shpërthimet e ndodhura pak ditë më parë në Tiranë vijojnë hetimet dhe shumë shpejt do të ketë edhe përfundime konkrete.

Kështu u shpreh Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, duke iu përgjigjur interesimit të mediave mbi sulmet me eksploziv.

Llalla ishte i pranishëm në përurimin e ambienteve të reja të Prokurorisë së Shkodrës .

“Me financimin e buxhetit të shtetit janë krijuar kushte komode në këtë Prokurori. Pritja e qytetarëve do të jetë sipas standardeve të BE. Ambientet tashmë janë të përshtatshme për hetimin”, tha Llalla.

Sipas Kryeprokurorit, krimet kundër jetës, krimi ekonomik dhe korrupsioni, do të jenë sfidat primare të kësaj Prokurorie.

“Pozicioni gjeografik i këtij qarku është burim i konflikteve ekonomike, duke sjellë përplasje mes klaneve të ndryshëm”, tha Llalla.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, u shpreh se, duhet rritje e performancës.

“Godina moderne ndihmon në efikastetin e hetuesisë. Taksapaguesit kanë paguar për këtë. Shpërblimi më i mire për këtë investim do të ishte rritja e performancës. Më shumë operativitet, rritje e shpejtësisë së hetimit thelbësor”, tha Zaganjori.

Sipas tij, Këshilli i Prokurorëve duhet të marrë një rëndësi më të madhe.

“Lufta ndaj korrupsionit duhet të zhvillohet edhe brenda në Prokurori. Të evidentohen dosjet ku ka dyshime për abuzim dhe të rianalizohen”, tha Zaganjori.

Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicolas Cannon, u shpreh se, “drejtësia po përballet me sfida të mëdha. Ju jeni të parët që përballeni me forma të ndryshme abuzimi. Korrupsioni eshte plagë që vështirëson punën tuaj”.