Rrapo Hajredin Danushi/ Ja zgjidhja që i ofrojmë Kryeministrit Rama për problemin e pronave

    465
    Sigal

    Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, me kryetar Rrapo Danushin, në një letër drejtuar Kryeministrit Rama i ka ofruar Qeverisë së re një zgjidhje të qëndrueshme për problemin e pronave në përputhje me Kushtetutën dhe kërkesat e GJEDNJ. Në letër thuhet: “Unë, Rrapo Hajredin Danushi, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” në emër të pronarëve të ligjshëm, të cilëve shteti shqiptar, prej vitit 1991, vazhdon të mos ju kthejë konform detyrimeve kushtetuese, pronën e tyre të trashëguar të marrë padrejtësisht prej sistemit 45- vjeçar të diktaturës komuniste 1945-1990, ju parashtrojmë sa vijon: Në më shumë se 75% të vendit prona është kthyer tek i zoti në kufijtë e para kolektivizimit komunist, që në vitin 1991 por në pjesën tjetër vazhdon anarkia dhe vjedhja e pronës. Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, ka marrë pjesë në komisionin parlamentar për hartimin e Kushtetutës që u miratua me referendum në 1998, për nenet 41 dhe 181 që lidhen me pronën dhe kërkoi futjen e nenit 181. Formulimi i këtij neni, u bë në sajë të ndihmës prej të ndierit Kleanthi Koçi, i cili nuk donte të popullarizohej për ndihmën e tij. Ne e respektuam kërkesën e tij. Dihet se më vonë ai u qëllua në krah me pistoletë dhe kjo i shkaktoi vdekjen, por vrasësi dhe porositësit nuk u identifikuan. Të gjithë shqiptarët, duhet t’i jenë mirënjohës av.Kleanthi Koçit për mjeshtërinë, për profesionalizmin dhe saktësinë në formulimin e nenit 181 të Kushtetutës. Vetë kryetari i Komisionit të Venecias për Kushtetutën, z. La Pergola dhe më vonë edhe dy juriste të Gjykatës së Lartë Italiane, me të cilët jemi takuar pas miratimit të Kushtetutës, na përgëzuan duke na thëne se përpjekja e Shoqatës u kurorëzua me sukses, për faktin se neni 181 i Kushtetutës ka vulosur fuqinë prapavepruese dhe na sqaruan se zbatimi i këtij neni do të zgjidhi parregullsitë e pronës. Deri sot detyrimi kushtetues që ka përcaktuar neni 181 i Kushtetutës, është shkelur dhe vazhdon të shkelet dhe kjo nuk mund të justifikohet.

    Zoti Rama, Ju, në postin e Kryeministrit të vendit, keni përgjegjësinë historike dhe morale, që t’i jepni fund katrahurës me pronat. Ne jemi optimistë me veprimtarinë e qeverisë në këto pak javë pune dhe ju kërkojmë që të realizoni zgjidhjen ligjore e problemit të pronës brenda 100 ditëve të para. Anarkia e pronës po sjell prishjen e identitetit kombëtar, është pengesë për anëtarësimin në BE dhe shumë më tepër se kaq. Shqetësimi për pronën është problem me rëndësi kombëtare. Pushtimet që ka pësuar Shqipëria në shekuj si pushtimi otoman, pushtimi fashist italian dhe ai nazist hitlerian, nuk i mohuan shqiptarit pronën e trashëguar. Dëmet e bëra nga zbatimi i strategjisë së Katovicës në periudhën 1991-2013, janë më të mëdha edhe se ato të tradhtisë së Esat Toptanit, sepse shqiptarët vazhdimisht po vrasin njëri- tjetrin. Sali Berisha dhe Fatos Nano zbatuan strategjinë e Katovicës dhe zgjatën edhe për 23 vjet të tjera diktaturën e proletariatit që zyrtarisht zgjati 45 vjet, duke shkaktuar më shumë viktima nga sa shkaktoi diktatura zyrtare e Enver Hoxhës. Pasojat e strategjisë së Katovicës, janë denoncuar vazhdimisht nga shoqata “Pronësi me Drejtësi”, shoqata “Bregdeti” nga akademikët, nga shumë qytetarë patriotë, nga shumë deputetë etj.. Së fundi Servet Pëllumbi deklaroi se strategjia antipronar e Katovicës është kryesuar për 9 vjet nga Fatos Nano dhe 13 vjet nga Sali Berisha. Deputeti socialist Namik Dokle, në mbledhjen e parë të kësaj legjislature të Kuvendit, duke pranuar gabimet e bëra, deklaroi, se për shkak të konflikteve të pronësisë prej vitit 1991 janë vrarë mbi 8000 shtetas. Qëndrimi i Shtetit ndaj pronës përcakton sistemin. Ne ankohemi përsëri se sistemi i demokracisë nuk është vendosur. Demokracia në Shqipëri, do të fillojë, kur prona e grabitur të kthehet tek i zoti dhe po ashtu kompensimet të bëhen konform detyrimeve kushtetuese. Anarkia postkomuniste me pronën ka ndodhur, sepse prona që duhet t’u kthehet të zotëve në një pjesë të vendit vazhdon të shfrytëzohet nga klanet e oligarkisë së politikanëve pseudo-demokratë.

    Dihet masakra dhe gjenocidi i qeverisë neofashiste greke në 1944-‘45 me çamët, të cilët u vranë, u masakruan dhe u dëbuan me forcë nga pronat e tyre në drejtim të Shqipërisë, por shteti Grek, nuk i dha pronat e çamëve në pronësi të personave të tretë dhe nuk bëri ligje për të justifikuar pushtimet, ndërtimet e paligjshme, vjedhjet dhe transferimet e paligjshme, ashtu siç ka bërë shteti Shqiptar për shtetasit e vet në periudhën 1991-2013. E vlerësojmë shumë faktin se rezoluta “Çame” u botua në Fletoren Zyrtare dhe tani do bëhet pjesë e axhendës së politikës së Shtetit Shqiptar. Por Shteti Shqiptar, nuk mund të kërkojë tokat e çamëve në Greqi, kur vetë shteti Shqiptar shkel Kushtetutën (nenin 181) dhe nuk i ka kthyer tokat shtetasve të vet në Shqipëri. Madje si mund të justifikohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë kur për pronat nuk ekzekutohen vendimet gjyqësore të formës së prerë të gjykatave të vendit, përfshi dhe vendime të Gjykatës së Strasburgut. Gjykata e Strasburgut nëpërmjet vendimit pilot Korrik 2012, jo vetëm që e dënoi Shqipërinë, por ka përshkallëzuar masat, duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme dhe respektimin e të drejtës së pronës në përputhje me Kushtetutën. Zgjidhja e pronës është e thjeshtë, por kërkon vullnet politik, guxim dhe patriotizëm që kryeministrave para jush i ka munguar dhe ata kurrë nuk do të mund të justifikohen. Zgjidhja nuk është kompensimi sipas dëshirave shtet-shkatërruese të Sali Berishës, por kthimi dhe kompensimi në përputhje me nenin 181 të Kushtetutës. Neni 181 i kushtetutës, ka fuqinë prapavepruese dhe e detyron shtetin për korrigjimin e gabimeve me pronat, por ky nen vazhdon të shkelet. Ne si shoqatë kemi përgatitur korrigjimin e gabimeve dhe kemi ofruar me kohë projektligjin që realizon aspektin juridik të zgjidhjes që është e qëndrueshme, në përputhje me kushtetutën dhe me vendimin pilot 2012 të GJEDNJ. Projektligji ynë nuk ka faturë financiare për shtetin, por qeveria e mëparshme nuk na është përgjigjur.

    Presim veprimet tuaja konkrete për vlerësimin dhe eventualisht përmirësimin e projektligjit tonë që e kemi bërë publik në sitin e shoqatës www.defendingproperty.com ose eventualisht edhe realizimin e tij pjesë- pjesë, ashtu siç do vlerësohet nga grupi i specialistëve tuaj.

    Ne besojmë në premtimin tuaj dhe përgjegjësinë e lartë që ju është ngarkuar me votën e sovranit popull dhe jemi ne pritje të përgjigjes tuaj. Ju lutemi të urdhëroni shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji, në programin e 100 ditëve të para. Në grupin e punës që do ngarkoni për vlerësimin e këtij projektligji, ne si shoqatë, kërkojmë të jemi të përfaqësuar me një pjesëtar nga shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe një pjesëtar për shoqatën “Bregdeti”, thuhet në letër.

    Kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve

    “Pronësi me Drejtësi”