Qytetarët, të pakënaqur me shërbimin e Postës Shqiptare

    325
    Sigal

    Janë të shumtë qytetarët që ankohen të indinjuar, mbi shërbimin që u bëhet në Postën Shqiptare. Duke qenë se është i vetmi operator publik postar, në tregun shqiptar, e cila drejton, zhvillon dhe administron rrjetin postar kombëtar, vërejmë mangësi të theksuara në shumë aspekte të shërbimit efektiv të detyrave të saj, si edhe në marrëdhëniet personel – qytetar. Janë të shumtë qytetarët që përdorin këtë shërbim dhe minimumi që duhet t’u ofrohet është korrektësi, shpejtësi dhe besim, por shikojmë se përveç mungesës së shërbimit dhe kohës tejet të zgjatur në radhë, duhet të durojnë arrogancën dhe mënyrën e pa takt e të sjellurit ndaj qytetarëve nga personeli i postës sonë. Në vend që të shkohet me dëshirë për të marrë dhuratën e sjellë nga të afërm, ose diçka të blerë nga vetë ata, përkundrazi, thonë “obobo ç’na gjeti tani”. Por nuk është vetëm ky problemi shqetësues, përveç faktit që jemi të detyruar të durojmë “mirësjelljen” e personelit dhe “shtypjen” në radhë, duhet të marrim vesh nëse pakoja e dërguar në Postë ka mbërritur në gjendjen e duhur apo jo, apo kur në momentin që dërgesa ka mbërritur dhe punonjësit e sportelit, të painformuar ose të pa përkushtuar ndaj punës, i drejtohen qytetarit duke i thënë: Hajde nesër, interesohu përsëri!

    Ja si i përgjigjet pyetjeve të bëra nga gazeta “Telegraf” një qytetare që përdor vazhdimisht shërbimin e Postës Shqiptare:

    -Znj. Klevisa L. Sa shpesh e përdorni ju shërbimin postar dhe a jeni të kënaqur?

    Klevisa.L. – Shërbimin postar e përdor shumë shpesh, e kam të nevojshëm dhe për mua është shumë i rëndësishëm. Ka shumë probleme ky shërbim dhe nuk po shikoj asnjë ndryshim, pasi më shumë se një herë më ka ndodhur që pakot apo letrat e dërguara në emrin tim nuk më kanë mbërritur (sidomos pakot). Nuk mund ta toleroj këtë gjë dhe shpesh herë debatoj dhe me punonjësit e sportelit.

    -Cila është përgjigja që merr në këto raste nga punonjësit?

    Klevisa.L. – Ata në shumicën e rasteve për mos të thënë gjithmonë, janë të acaruar dhe mospërfillës. Është e vështirë të marrësh një zgjidhje e një përgjigje siç duhet.

    -Mund të na thoni një rast konkret të problemit tuaj?

    Klevisa.L. –Po, mbaj mend që pata blerë diçka ndërmjet rrjeteve online. Pasi më erdhi konfirmimi që kishte mbërritur tek Posta, vajta të nesërmen dhe pas 50 minutave në radhë, zonja e sportelit më thotë se pakoja juaj nuk ka mbërritur, po paraqituni një herë nesër. Kam shkuar gjashtë ditë rresht, u acarova keq dhe debatova rëndë. Kur shkoj përsëri të nesërmen, më thonë që pakoja ka ardhur, por duhet të paguaja kuotën e caktuar, pasi kishte më shumë se tre ditë që ndodhej në ambientet e postës. Si ka mundësi të ndodhë kjo, i thashë, kur unë kam ardhur çdo ditë të interesohem dhe më keni thënë që nuk kishte mbërritur ende asgjë? Si përfundim, e pagova kuotën dhe pse jo për fajin tim, por është për të ardhur keq, në fakt, që të ndodhin këto gabime trashanike. Kjo tregon që në Postë nuk ka fare kontroll dhe shërbim cilësor ndaj qytetarit.

    Gerjola Çaushi