Kapen në Itali 800 kg drogë shqiptare policia e “paaftë” përballë trafikut

470
Sigal

Një sasi e konsiderueshme droge e kapur ditën e djeshme nga policia italiane ka detyruar funksionarët e sajë që të japin alarmin për rigjallërimin kohët e fundit të pistës së trafikut të drogës në këtë vend nga Shqipëria, e cila shërben jo vetëm si vend prodhimi e trafikimi, por dhe si pistë që vjen nga shtete të tjera. Sipas statistikave zyrtare, vetëm në harkun e 24 orë janë trafikuar mbi 900 kilogram kanabis, ku pjesa më e madhe është bllokuar nga policia italiane në territorin e saj. Burime për ‘Telegraf” konfirmojnë se shtimi në raste dhe sasi i trafikut të drogës nga Shqipëria në brigjet italiane, bëhet në sajë të “bashkëpunimit të grupeve të trafikantëve me fije në të dy vendet, me segment të caktuar brenda policisë shqiptare”.

 POLICIA ITALIANE

Policia italiane zbulon një tjetër skemë trafiku të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë, ku në pranga janë vënë pesë persona, si dhe janë sekuestruar 800 kg marijuanë. Trafikimi i lëndës narkotike këtë herë është kryer duke u fshehur brenda një blloku mermeri me peshë 20 tonë, ku nga shqiptarët në mes kishin hapur një gropë, e më pas brenda saj ishte fshehur lënda narkotike. Burimet konfirmojnë se  për të arritur në gjetjen e drogës policia italiane ka përdorur dhe ekskavatorin për të hapur masivin e mermerit. Sipas policisë, nëse droga do të kishte dalë në treg do të arrinte një vlerë prej afro 1 milion euro. Ndërsa sipas të njëjtit burim kamioni ka mbërritur në Brindisi duke ardhur me traget nga Durrësi. Policia italiane është duke kryer hetime më të zgjeruara për të zbardhur personat e tjerë të implikuar në këtë trafik, ndërsa ende nuk dihet se si ky kamion dhe masivi i mermerit kanë mundur të kalojnë në Portin e Durrësit. Pas hetimeve të para, policia fqinje ka bërë arrestimin e 5 shqiptarëve dhe po punon për zbardhjen e pistës së trafikut.

KAPEN DHE 109 KG TË TJERA

Po dje, 109 kilogramë kanabis-sativa janë sekuestruar nga policia e Fierit e cila ka arrestuar dhe dy trafikantët. “Në rrugë operative policia ka mësuar se një ngarkesë e lëndës narkotike do të qarkullonte në aksin Levan-Fier. Gjatë operacionit u ndalua automjeti me targa AA732CZ ku u zbulua sasia e drogës plot 109 kg, e ndarë në 99 pako. Në pranga kanë rënë shtetasit Gani Shehaj 57 vjeç dhe 34-vjeçarin Ermal Daja, që të dy banues në Vlore. Dyshohet se origjina e drogës mund të jetë Lazarati, ndërsa tentohej që të trafikohej në vendin fqinj. Policia po vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës, e nëse ekziston lidhja me 800 kg drogë të bllokuar në të njëjtën ditë në Itali”,- shtojnë burimet për “Telegraf”.