QSUT, vendi ku shkon për t’u shëruar dhe mund të sëmuresh më shumë

    115

    Vëzhgim/Reparti i kirurgjisë tek Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, është lënë në kushte primitive

    Qendra spitalore “Nënë Tereza” është qendra kryesore më e madhe spitalore në vend. Këtë fakt e dinë të vegjël dhe të mëdhenj dhe duke qenë kryesorja aty pretendohet që çdo gjë të plotësojë standardet më kryesore për të qenë e tillë siç janë shërbimi i mirë, pastërtia etj.. Por situata në disa prej ambienteve të saj lënë shumë për të dëshiruar, aq më tepër kur bëhet fjalë për shërbimin që u bëhet pacientëve që shkojnë në dyert e këtij spitali. Në godinat e mëdha të këtij spitali, ndodhet edhe reparti i kirurgjisë, i cili nuk plotëson as kushtet më minimale për shërimin e të sëmurëve që kanë fatin jo të mirë që të përplasen në dyert e tij. Kirurgjia është vendi, ku higjiena duhet të jetë në kufijtë më maksimal, pasi aty janë personat që pasi kryejnë një ndërhyrje kirurgjikale kanë shanse më të mëdha që të marrin infeksione më lehtë se personat e tjerë të sëmurë. Por këtu ajo që duhet të jetë në të vërtetë dhe realiteti që është janë shumë larg. Teksa futesh në hyrje të repartit të kirurgjisë të shoqëron një erë e keqe pisllëku dhe ambiente që më shumë të ngjajnë me ato të godinave të braktisura dhe të parikonstruktuara prej dekadash. Pamjet që të ofron  ky ambient që në hyrje të tij janë të përbëra, nga mure të lagështa dhe të palyera prej vitesh, shkallët që të çojnë në katin e sipërm të kësaj godine janë të “balsamosura” me çamçakëze të hedhur prej kohësh, po ashtu edhe bishtat e cigareve e plotësojnë këtë sfond të trishtë që gjen në këto ambiente. Përveç kësaj, ajo çka i fal një pamje tejet të zymtë këtij spitali është edhe për faktin se godina është tejet e amortizuar dhe e vjetër, ku rrezet e diellit me zor hynë në ndonjë cep.

    Pacientët: Kushtet janë të këqija, halli na sjell këtu

    Personat që për arsye shëndetësore janë gjendur në dyert e këtij spitali shprehen të pakënaqur me kushtet që ofron ky spital. Qoftë pacientët e sëmurë apo qoftë edhe të afërmit e tyre që qëndrojnë pranë tyre ankohen për mungesën e kushteve. Kjo gjë duket fare mirë edhe në reagimet e tyre. Ndonëse shumë njerëzve u duhet të përballen me jetën e tyre, të luftojnë deri në momentin e fundit për fituar atë, mungesa e kushteve cilësore atyre ia bën edhe jetën më të vështirë. Çdo gjë që të fal kjo qendër, është veçse një pamje e zymtë dhe shumë gri, kjo pasi gjithçka është mbuluar nga pluhuri dhe merimangat, nga lagështia dhe papastërtia. Ndaj nuk është shumë e vështirë, që pacientëve përveç sëmundjes që kanë të mbartin mjaft lehtë edhe ndonjë virus apo infeksion, nga mungesa e papastërtisë. Në qendrën spitalore “Nënë Tereza” mund të gjesh gjithçka, përveç pastërtisë dhe rregullit apo edhe qetësisë. Pamja që të fal ky ambient është kaosi i krijuar nga vetë njerëzit, por edhe nga neglizhenca e vetë strukturave përgjegjëse të kësaj qendre. Përveç mungesës së kushteve, në këto ambiente mund të përballesh edhe me sjellje burokratike dhe mediokre, të cilat i drejtohen njerëzve të thjeshtë, kjo për arsye përfitimi. Grumbulli i njerëzve që kërrusen dhe rrinë afër njëri-tjetrit duke folur, i gjen të ulur nëpër barin e tharë, apo edhe duke ngrënë ndonjë gjë të shpejt. i gjithë ambienti i këtij spitali është mbuluar me një material të posaçëm, strehëza më e mirë për pacientët dhe të afërmit e tyre. “Rrimë këtu poshtë se edhe lartë në spital nuk është ambient i mirë. Këtu marrin pak ajër të pastër, edhe pse godina është e mbuluar me papastërti “-kështu shprehet një pacientë që vuante nga sëmundja e veshkave. Nga vëzhgimet e kryera, ajo çka të binte në sy ishin gjendja në të cilën ndodheshin shkallët që të çonin në urgjencën kirurgjikale. Përveç pisllëkut, aty nuk mund të shohësh asgjë tjetër, ku ngjyra e zezë e shkallëve është përzier me ngjyrën e zezë të pluhurit. Absurde dhe fatale për ata pacientë që vinë e përplasen nga e keqja në këto ambiente, të cilët luftojnë mes jetës dhe vdekjes dhe mungesës së kushteve. Madje ajo çka të zë syri në ambientet e urgjencës kirurgjikale është fakti që në të gjithë atë korridor të gjatë, që i ngjan një stalle, ndodhet vetëm një stol ndenjës. Kështu në gjithë atë radhë të madhe të të afërmve që presin mbas dere në sallën e operimit, u duhet të ulen me radhë, apo edhe të rrinë e të presin në këmbë. Kjo është një tablo e zymtë që ofron një prej reparteve në qendrën më të madhe spitalore në Shqipërinë ditët e sotme. E ndërkohë që politikanët tanë pretendojnë që të bëhen pjesë e Bashkimit Europian me këto kushte primitive që ndodhen në qendrën më të rëndësishme spitalore në Shqipëri. Pyetja që të vjen ndërmend tek shikon këtë situatë është se si mund të jetë në zonat rurale gjendja e qendrave spitalore? Përgjigja mund të lërë shumë për të dëshiruar teksa shikon situatën në mes të kryeqytetit…