Dashamir Shehi: “Shpenzimet e mëdha financiare në fushatën elektorale, bëhen për të manipuluar votën”

370
Sigal

INTERVISTA/Flet Kryetari i LZHK-së: “BE-ja, do të na japë një status të kushtëzuar”

Raportin e OSBE-së, për ecurinë e prioriteteve të reformave që do të përcaktojnë fatin e statusit kandidat, palët politike janë munduar ta anashkalojnë, duke patur edhe zëra të veçuara, që e panë me ngjyrat politike që u interesojnë. Dashamir Shehi, në intervistën për “Telegraf”, e thotë hapur, thjeshtë dhe shkoqur: “Politika jonë këto raporte i ka gjykuar përherë në mënyrë hileqare”. Prova e vërtetë e testimit të Shqipërisë, thotë zoti Shehi, do të jetë mënyra se si do të zhvillohen zgjedhjet e 2013-s.

– Zoti Shehi, mendoni se palët politike e kanë analizuar raportin e OSBE-së, për ecurinë e reformave në Shqipëri? Kam parasysh ngërçin që mbetet në reformat e Gjykatës së Lartë e atë parlamentare, edhe pse këto kritikohen si ende të parealizueshme nga OSBE-ja.

– Unë gjykoj që politika jonë këto raporte i ka gjykuar përherë në mënyrë hileqare. Janë gjykuar nga ato  si dokumente që t’u hedhim hi syve Europës. Nuk duan të pranojnë, që edhe nëse i bëjmë reformat, edhe nëse nuk i bëjmë, pak punë i prishet Europës. Puna, na prishet vetëm neve. Mjafton që të ketë pak  përmendje pozitive, në këto raporte, e kjo trashet e (vetë)quhet merita e madhe e tyre.

– Palët politike, duke u sjellë kaq shpërfillëse, për të mos thënë ta papërgjegjshme, ndaj kritikave, mos vallë kjo ndikohet nga fakti se, ndoshta, është paracaktuar fati i statusit dhe prioritetet kanë qenë një iluzion politik për ne?

– Nga sa shoh nga raporti, si edhe nga sjellja e disa faktorëve ndërkombëtarë, unë mendoj që statusin do të na e japin. Natyrisht, një status i kushtëzuar. E thanë hapur ata, statusin do të kushtëzojnë me zgjedhjet. Domethënë, problemi politik erdhi prapë te mënyra se sa të lira e demokratike do të bëjmë zgjedhjet.

– Në 22 vjetët e demokracisë, treguesi i emancipimit demokratik të shoqërisë dhe politikës, pa progresin e duhur?

– E tha mirë raporti i OSBE-së. Ec dhe ngec! Nuk e tha shqip, një hap para e dy mbrapa. Sigurisht, gjatë këtyre viteve ka patur arritje. Me ekonominë shqiptare e shoqërinë. Rregullat e tregut kanë bërë punën e saj.  Brezi i ri, është më i informuar, se sa ka qenë përpara. Por, këtë rrugë progresi nuk e kanë bërë institucionet shqiptare. Unë nuk mund të them që gjykatat e sotme janë më të pavarura, se sa ato të 15 vjetëve. Nuk mund të them që institucionet e prokurorisë e të prokurorisë janë më pak të korruptuara. Unë mund të them, që janë më të korruptuara tani. Edhe administrata publike, nuk mund të them që është më e kualifikuar. Sot administrata publike, është në mënyrë të dukshme, më skadente, nga para 20 vjetëve. Kemi një militantizëm të pabesueshëm. Në disa raste jemi kthyer edhe mbrapa.

– OSBE-ka ka parashikuar një fushatë të egër elektorale. “E egër” në kuptimin e një gare politike të ashpër, apo mund të dalë edhe jashtë kontrollit?

– Fatkeqësisht, ne shqiptarët fushate elektorale bëjmë çdo muaj për çdo vit, duke qenë se zgjedhjet bëhen çdo 2 vjet. Kështu, që periudha paqësore midis dy zgjedhjeve, ka ardhur duke u ngushtuar. Kjo është fatkeqësi, kur fushatën duhet ta bëjmë vetëm në një muaj, që të kemi kohë të punojmë. Këta harxhojnë gjithë shtetin, administratën, fondet për hesap të interesave të zgjedhjeve. Unë e parashikoj që zgjedhjet do të jenë edhe më të egra, se kanë dalë edhe faktorë të rinj.  Duket që tani, mënyra e sharjeve reciproke, kritikat e nivelit të ofendimit nga të dy palët. Kjo do të reflektohet, kur fushata të vihet në kulm. Shpresoj të mbetet këtu, verbale, po mund të kalojë edhe e dhunshme, siç ka ndodhur shpesh herë në Shqipëri, që të përfundojë në masakrimin e votave, kjo do të jetë fatale për Shqipërinë, por edhe për Europën, që shpreson te ne. Popullit i humbet besimi te institucioni i votës së lirë. Por kjo fushatë e 2013-s do të jetë më e egër edhe në shpenzimin e parave.

– Këto para do të jenë të zeza?

– Këto para fushate, gjithnjë kanë qenë të zeza. Unë nuk mendoj që një parti mbledh me kuotacione miliona dollarë që t’i shpenzojë për fushatën elektorale. Do të harxhohen shuma të mëdha. Paratë shpenzohen për të manipuluar votën, e jo për të bindur njerëzit se cilët janë më të mirë.

– Cilët mund të jenë faktorët që do të kristalizojnë aleancat e 2013-s?

– Unë do të shpresoja të dominonin interesat politike e ideologjike. Që e djathta të ishte e djathtë dhe e majta e majtë. Në këto vite të fundit, elementi lidhës, fatkeqësisht, ka qenë interesi personal, i grupit, i biznesit.

– Kjo që thoni, mos duhet nënkuptuar që LZHK-ja do të jetë tradicionalisht në kampin e së djathtës?

– Unë do të jem, aty ku kam qenë gjithnjë. Në qendrën e djathtë.

– Larg PD-së, apo në aleancë me atë?

– Ndoshta, këtu mund të gjendet edhe hapësira për t’u bashkëpunuar. PD-ja ka grumbulluar rreth vetes, për arsye oportune, elementë që nuk janë kurrë të djathtë. Me këtë ligj antidemokratik të zgjedhjeve, u kanë mbyllur derën shumë personazheve të reja në politikën shqiptare. Konsensusi i PD-PS për këtë Kod Zgjedhor, treguan që u intereson pushteti dhe jo demokracia. Në mënyrë të detyrueshme i kanë lënë njerëzit pa alternativa.

– Mendoni që elektorati ynë ka fituar ndërgjegjen demokratike që të votojë më të mirën?

– Unë gjykoj që shqiptarët votojnë në bazë të interesave. Shoqëria jonë nuk është e përgatitur akoma për një sistem demokratik.

– Te përqendrimi i pushtetit absolut në duart e Kryeministrit, siç ndodh pas emërimit të Presidentit, a shikoni ju një ngushtim të hapësirës demokratike? Ta pranojmë si realitet, apo përbën rrezik?

– Përqendrimi i të gjitha pushteteve te një dorë, është i rrezikshëm dhe i gabuar. Ndryshimet kushtetuese të 2008-s, nuk u bënë për të balancuar institucionet e pavarura, por për t’i kthyer nga ana tjetër. Institucionet e pavarura duhet të jenë të të gjithëve, e jo të një partie, qoftë edhe kur kjo parti është maxhorancë.

– A gjykohet drejt kur argumentohet se qeveris shumica dhe jo pakica në demokraci?

– Pakica nuk qeveris, por qeverisja është një nga elementët e demokracisë. Demokracia është më e gjerë se sa koncepti i ekzekutivit, i qeverisë. Duhet të shkojmë përtej qeverisë, duhet të mbërrijmë te shteti, ku janë një tjetër bashkësi institucionesh, e cila nuk mund të legjitimitohet me një votë më shumë.

-Ju faleminderit!