Pse ndahemi për festat e Nëntorit me politikën dhe objektivi i partisë së ushtarakëve

    421
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve, Zyhdi Kroi për festimet e Pavarësisë

    Krijimi i partisë së Shoqatës së Ushtarakëve, është në rrugën e duhur përsa i përket mbledhjes së firmave dhe së shpejti do të bëhet publike. Një fakt të tillë për ecurinë e përgatitjeve për këtë parti na e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Presidenti i Nderit të Shoqatës së Ushtarakëve, Zyhdi Kroi. Ai ka theksuar se kjo parti do i përkasë së majtës dhe se kjo parti do të mbrojë interesat e ushtarakëve të cilët deri më sot nuk i ka mbrojtur asnjë parti, qoftë e majtë, apo e djathtë. Ndërsa përsa i përket festimeve të 28 Nëntorit ai ka theksuar se, drejtues të Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë do të jenë të pranishëm në qytetin e ngritjes së flamurit në Vlorë.

    -Zoti Kroi në çfarë faze ndodhen përgatitjet për krijimin e partisë së ushtarakëve?

    -Po, është e vërtetë që prej disa ditësh ka filluar puna për krijimin e një partie të shoqatës së ushtarakëve. Është ngritur një komision dhe po punojnë për dokumentet që duhen për këtë. Po ashtu janë shpërndarë disa formularë nëpër rrethe për të mbledhur firmat që duhen.

    -Kur do  të jetë e gatshme kjo parti, kur do të bëhet publike ajo, dhe në cilin krah të politikës do të pozicionoheni?

    -Unë besoj që brenda muajit dhjetor do të mbyllim dokumentet dhe do t’i dërgojmë në gjykatë. Kjo është ajo që unë mund të ju them tani për tani. Ne do të jemi në krahun e majtë, kjo është e sigurt.

    -Sa mendoni se do i ndihmojë krijimi i një partie të tillë ushtarakët e sotëm?

    -Këtë nuk e di, por kjo varet edhe nga politika. Ne nuk pretendojmë që të futemi në këto zgjedhje dhe të fitojmë tani. Synimi ynë është për më lart. Objektivat tona janë shumë herë më të larta, se sa fitimi në këto zgjedhje. Por megjithatë le t’ja lëmë të ardhmes këtë se nuk mund të flasim për fitore që sot.

    -Festimet e 28-29 Nëntorit, do ju gjejnë të ndarë apo të bashkuar me politikën?

    -Do të jemi të ndarë nga politika. Këtë qëndrim e kemi bërë të ditur edhe më parë si unë ashtu edhe kolegë të mitë. Ne respektojmë ligjin, që 28 Nëntori është festa e Pavarësisë dhe 29 nëntori është Festa e Çlirimit. Kështu që ne do të bëjmë nderimet për këto data. Në datë 28 Nëntor në do të jemi të pranishëm në Vlorë në qytetin ku u ngrit Flamuri dhe në datën 29 ne do të bëjmë nderimet që i takojnë kësaj feste.

    -Akti Normativ është një çështje e pazgjidhur për ushtarakët, si po shkon çështja për këtë akt që ju keni dërguar në gjykatë?

    -Akti Normativ së bashku me Avokatin e Popullit, ne, prej disa kohësh e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Por një shoqatë tjetër ish ushtarakësh dhe konkretisht shoqata e Xhenierëve ka dërguar një ankesë dhe presin që të pushojë padia. Por një tjetër problem është që Akti Normativ ka ulur pensionet e parakohshme në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2007 dhe të vitit 2009. Por ne kemi bërë gjithmonë vërejtje që pensionet nuk duhet të ulen, pra masa e pensionit nuk duhet të ulet, kështu edhe një e drejtë e fituar nuk mund të mohohet. Të gjithë ato që kanë dalë në pension të parakohshëm kanë fituar një të drejtë me ligj, ndërsa tani aty po u mohohet kjo e drejtë.