Protesta popullore ndaj babëzisë së CEZ

    529
    Sigal

    Ndryshimi i çmimit të energjisë favorizon klientët e qeverisë dhe rëndon në xhepat e qytetarëve

    Abuzimi me faturat, ndërprerja e energjisë në mënyrë kolektive, këto dhe probleme u kanë dhënë shkas qytetarëve që çdo ditë e më shumë të humbasin besimin tek CEZ. Kjo kompani çdo ditë e më shumë po i shkel të gjitha rregullat dhe nuk po i përmbush detyrimet që ka ndaj qytetarëve shqiptarë. Qytetarët tani nuk po kanë më besim as tek qeveria, pasi e shohin që qeveria është e lidhur me korrupsionin dhe padrejtësitë që po bëhen nga kjo kompani. Po ashtu qeveria nuk po i kërkon llogari siç duhet kësaj kompanie për përmbushjen e detyrimeve dhe zbatimin e kontratës. Kohët e fundit  qytetarët kanë filluar që të bëjnë protesta, për padrejtësitë që po u bëhen me faturat dhe me ndërprerjen e energjisë në mënyrë kolektive. Ndërkohë që, qytetarët po vazhdojnë protestat, ata kërcënojnë se nëse nuk do u zgjidhen problemet me energjinë do të vijojnë edhe më tej protestat deri në mosbindje ndaj CEZ dhe qeverisë që është bërë pjesë e korrupsionit. Para pak ditësh banorët e fshatit Breg Lum të komunës Tërthore kanë bllokuar portën hyrëse të nënstacionit elektrik “Rexhepaj”. Ndërkohë që ditën e djeshme banorët e fshatit Breg Lumë të Komunës Tërthorë në Kukës i janë rikthyer protestës në nënstacionin elektrik që furnizon gjithë rrethin e Kukësit. Ndërsa jo më larg se dje banorët e Komunave Maqellarë, Gjoricë e Shupenzë në rrethin e Dibrës bllokuan rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë, në shenjë proteste ndaj ndërprerjes së energjisë nga kompania CEZ. Fillimisht banorët kanë protestuar pranë nënstacionit elektrik duke e përshkallëzuar protestën deri në bllokimin e segmentit rrugor nacional. Ndërprerja masive e energjisë elektrike për këto zona duket se ka penalizuar edhe konsumatorët e rregullt të energjisë. Pas protestës CEZ bëri të mundur rikthimin e energjisë, duke paralajmëruar ndërprerje në rast të mosshlyerjes së detyrimeve. Ndërkohë që, qëndrimin e CEZ ndaj konsumatorëve shqiptarë e ka kritikuar edhe specialistë të fushave të ndryshme të pyetur për “Telegraf”. Avokati Idajet Beqiri, administratori i Konfidustrias Gjergj Buxhuku, eksperti për energjinë Gjergj Simaku dhe deputeti i PS-së, Albert Gaxhi, duke folur për “Telegraf”, ndajnë mendimin se CEZ, nuk po zbaton siç duhet kontratën dhe se qeveria nuk po merr masa.

    Ahmetaj: Po i hiqen KESH-it 100 milionë dollarë për t’ia dhënë CEZ-it

    Edhe opozita është kundër vendimit të Entit Rregullator të Energjisë  që  uli tarifën me të cilën KESH i shet energjinë elektrike kompanisë së shpërndarjes CEZ. Sipas deputetit socialist, Arben Ahmetaj,në një njoftim për shtyp më parë është shprehur se ky vendim po ndëshkon financiarisht jo vetëm KESH-in, por të gjithë shqiptarët. “Vendimi i fundit i Entit për të riparë tarifën që KESH faturon ndaj CEZ me ulje nga 2.8 në 2.2 lekë KË/orë, i shkakton KESH një dëm prej 100 milionë dollarë në tre vite. Ky vendim është vazhdë i vendimeve të këtij lloji dhe në të dy periudhat 3-vjeçare, atë që kaloi dhe atë që do të vijë, dëmi i shkaktuar është 200 milionë dollarë. Kjo ndodh në një periudhë kur gjendja financiare e KESH është tejet e rënduar, me 300 milionë dollarë borxhe ndaj të tretëve”. Sipas Ahmetaj, vendimi i ERE-s në  favor të CEZ nuk ka argumente teknikë, por është një marrëveshje klienteliste përmes së cilës qeveria sponsorizon me paratë e buxhetit kompaninë “CEZ”. “Ajo që ka ndodhur me vendimin dhe ajo që ndodh është një sponsorizim i drejtpërdrejtë që KESH, indirekt buxheti i shtetit, i bën CEZ Shpërndarje dhe në këtë letër që Enti i Energjisë i dërgon grupit parlamentar, e shpreh drejtpërsëdrejti që ngarkesa në rast të një gjendje të ngarkuar financiare i kalon Buxhetit të Shtetit dhe indirekt qytetarit shqiptar”, shtoi socialisti Ahmetaj.

    Idajet Beqiri, avokat  

    Me thënë të drejtën kompania CEZ, është kthyer në një tmerr për shqiptarët. Ajo ka ardhur me qëllim për të nxjerrë një super fitim, kjo kompani ka menduar që këtu mund të vjedhësh jo me trast, por me thasë dhe tani nuk po u del mirë hesapi, pasi ka edhe humbje në rrjet, ka edhe mungesë organizimi. Po ashtu nuk janë të rregullt në lidhjen e kontratave, por ka edhe disa njerëz që pagimin e energjisë elektrike ato e bënin duke i dhënë votën PD-së. Tani të tëra këto lloj boshllëqet duan ti mbushin me njerëzit e ndershëm, pra kërkojnë përgjegjësi kolektive. Por nuk ka në asnjë vend të botës përgjegjësi kolektive, ajo është individuale, qoftë në të drejtën civile, qoftë në të drejtën penale përgjegjësia është individuale. Nëse unë si individ nuk paguaj ti do vish dhe do më presësh mua energjinë elektrike, por nuk do të ja presësh energjinë tërë fshatit, apo tërë lagjes. Kjo është një reprezalje që po i bëhet qytetarëve shqiptarë dhe vetëm shqiptarët e durojnë këtë, se po të ishte një vend tjetër nuk do ta duronte njeri këtë. Protestat janë normale, por janë të dobëta, në kuptimin që po bëhen shumë paqësore, më këto veprime që po bëjnë. Sepse është skandaloze që ta lësh një fshat pa drita sepse nuk paguan një person. Kontrata është individuale me CEZ-in dhe unë jam përgjegjës nëse nuk pagua, apo nëse kam probleme mund ta hedh  në gjyq unë CEZ-in, por nuk mund të paguajnë të tjerët për fajin tim se nuk paguaj unë.

    Gjergj Simaku, ekspert i energjisë

    Problemi është i thjeshtë, për sa kohë qeveria është menaxhuese e kësaj situate, atëherë njerëzit janë kundër qeverisë jo kundër CEZ-it, kot flitet për CEZ-in. Sepse qeveria i rregullon marrëdhëniet me CEZ-in. Përsa kohë qeveria shet lirë CEZ-it atë që e blen shtrenjtë nga importi nuk ka si të ndodhi ndryshe, vetëm varfërim të shqiptarëve. Prandaj do vazhdojnë edhe protestat, ato do të jenë edhe më të mëdha nuk do të jenë kaq të thjeshta. Tani janë nëpër pushime njerëzit dhe më vonë nuk ato do të organizohen. Nuk e kanë problemin me CEZ-in. Është rritur çmimi, shërbimi është i jashtëzakonisht keq dhe qeveria nuk e kontrollon këtë lloj situate dhe nuk ndërhy që të përmirësojë shërbimin sipas kontratave që ka bërë me CEZ. Kështu që CEZ nuk po bën asnjë lloj investimi dhe prandaj jemi në këtë situatë që shohim sot.

    Albert Gaxhi, deputet i PS-së

    Sjellja e kompanisë së CEZ-it është mjaft komplekse. Ajo duhet të jetë më e kujdesshme me qytetarët dhe në zbatimin e kontratës. Qeveria e ka favorizuar maksimalisht CEZ-in. Qytetarët kanë të drejtë që bëjnë protesta, pasi po shkellen mjaft rregulla të kontratës

    Gjergj Buxhuku, administratori i Konfidustrias

    Në radhë të parë duhet që të kemi reciprokisht një plotësim detyrimesh, si nga qytetarët ashtu edhe nga CEZ. Këtu kemi të bëjmë me një sërë ngjarjesh komplekse dhe kjo çështje duhet trajtuar me përgjegjshmëri nga të dyja palët. Sipas të dhënave të fundit ne kemi një plagë të hapur prej kohësh, kjo është një plagë e trashëguar dhe që vazhdon, pra nuk kanë dalë sot këto probleme. Por ndërkohë nga ana tjetër kuptohet që zgjidhja përfundimtare e këtij problemi kërkon investime të mëdha. Dhe këto investime deri më sot nuk janë të realizuara ne, sikundër edhe janë edhe disa premtime që CEZ-i duhet t’i kishte përmbushur para disa vitesh.