Prof. Petrit Malaj: “Talenti futet vetë në Universitetin e Arteve

    406
    Sigal

    Intervistë/Prof. Petrit Malaj, Rektor i Universitetit të Arteve, flet për kuotat e reja dhe për kriteret e pranimit të studentëve për vitin akademik 2013-2014

    Problemi me të cilën po përballet tani, në sezon provimesh,  Universiteti i Arteve është ngarkesa e madhe me të cilën përballen, studentët, pedagogët dhe administrata. Kjo për shkak të punëve përfundimtare me të cilat shpërfaqet çdo student në kushtet e ambienteve të pamjaftueshme për një universitet me specifika të veçanta siç është Universiteti i Arteve. Këtë na e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Prof. Petrit Malaj, Rektor i Universitetit të Arteve. Gjithashtu në intervistë Prof. Malaj na flet për kuotat e prani9mit të studentëve për vitin e ri akademik, por edhe për talentin si të vetmin kriter në përzgjedhjen e studentëve, të cilët pa dyshim do të përballen dhe këtë vit me konkursin.

    Si po shkon ky sezon provimesh në Universitetin tuaj? A është i ngarkuar, a dalin ambientet që keni në dispozicion për mbarëvajtjen e këtyre provimeve?

    Po unë mund të them që Universiteti i Arteve ka ardhur në momentin final të tij, të vitit akademik. Ne, këto ditë përfundojmë dhe mbyllim semestrin e dytë dhe kalojmë në paraqitjet e punëve përfundimtare të studentëve, që janë projekte skenike për Dramën, apo projekte filmike për Regjinë e Filmit, ekspozita për të tjerët, pra ata që janë në fakultetin e Artit Skenik, me baxho apo me elementë të veprave të shquara të kompozitorëve shqiptarë apo të huaj për fakultetin e Muzikës, pra për instrumentistët dhe njëkohësisht shkojmë drejt asaj që mund ta them me shumë kënaqësi që para 2-3 ditësh kemi pasur një Opera këtu, të studentëve tanë të klas-operas, të Kantos dhe duke shkuar më tej te fakulteti i Arteve të Bukura që paraqesin punët e tyre në atelie dhe në galerinë FAP të këtij fakulteti. Mund t’ju them me bindje, që është një ngarkesë shumë e madhe për studentët, për pedagogët, për të gjithë ne në Universitetin e Arteve dhe për sektorin  ndihmës që është administrata, pasi çdo shkollë arti ka specifikën e saj dhe këtu çdo student ballafaqohet hapur në provimet publike me komisionin, me kolegët e mi pedagogë dhe me publikun e gjerë, pra këtu nuk ka asgjë që mund të bëhet si në një universitet tjetër që ka një komision aty dhe para këtij komisionit ti shkon dhe paraqet dijet e tua, por këtu ajo ç’ka ti ke mësuar dhe përvetësuar gjatë gjithë vitit akademik shprehet në një projekt skenik, muzikor dhe pamor. Në këtë sens, përgjegjësia është shumë madhe, përgjegjësia fillon te studentët, të cilët kërkojnë të shpërfaqen sa më mirë te kolegët e mi pedagogë, që në fund të fundit puna e tyre një vjeçare reflektohet dhe materializohet pikërisht në këtë punë që paraqesin studentët, tek ne, si Rektorat dhe gjithë sektori ndihmës i Universitetit që ka për detyrë dhe ka përgjegjësinë e mbarëvajtjes dhe miradministrimit të këtij momenti. E gjithë kjo, ka një gjë pozitive që sjell një atmosferë shumë të mirë, ne po komunikojmë së bashku këtu dhe sipër nesh, dikush po bën një arie. Dua të them, që në 6 të mëngjesit shkolla është me studentë dhe ju them me bindje që mbyllet në 11-12 të natës. Kjo është për atë, që studentët përpiqen të shfrytëzojnë ambientet gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje vonë. Mund t’ju them me bindje një gjë tjetër. Ne startojmë para  përfundimit të sezonit me ndonjë provim të studentëve të tre fakulteteve, vazhdojmë gjithë muajin e sezonit dhe të them të drejtën dhe e shtyjmë pak sezonin, duke u nisur vetëm nga specifika e punës, sepse çdo student ballafaqohet në skenë me një punim të tijin, çdo student ballafaqohet në galeri me një punim të tijin dhe këto ambiente është e pamundur të plotësojnë të gjithë kërkesat që ne kemi. Unë mund t’ju them dhe të shpreh këtu, gjithë respektin dhe mirënjohjen për kolegët e mi që drejtojnë dhe institucione të tjera në  Tiranë, pasi ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me teatrin e Metropolit, me teatrin Kombëtar, me teatrin e Komedisë, me të tre këto, ne kemi një komunikim shumë të mirë dhe shumë studentë tanët disa punë të tyre i paraqesin pikërisht në këto skena që unë i përmenda. Kjo ka dhe një të mirë tjetër. Ne përpiqemi që krijime që paraqesin dhe vlera të mirëfillta artistike dhe krijuese t’i nxjerrim jashtë mureve të shkollës, ta kalojnë këtë prag dhe të jenë të pranishme në ambiente të tjera publike të kryeqytetit dhe duke i siguruar dhe një gjë tjetër, që projektet e studentëve janë projekte të të rinjve, projekte të atyre që inspirojnë të jenë dikush nesër në artin shqiptar. Dhe  në këtë sens, ata punojnë shumë, djersitin shumë, ata lodhen shumë, kolegët e mi po ashtu, po nuk do të thotë kjo vetëm nga pikëpamja fizike. Unë gjykoj se nga pikëpamja e idesë, e imazhit, e abstraksionit që ata sjellin në raste të veçanta, ju siguroj, që ka projekte që paraqesin një interes të veçantë dhe një interes në rritje për publikun. Këtë jua them me bindje, sepse një i ri  apo një e re që është në Universitetin e Arteve, në shpërfaqjen e vet që bën në ambiente të tilla, kërkon të japë maksimumin, të godasë dhe të lejë një gjurmë.

    Folëm për studentët që janë aktualisht,  le të flasim tani për studentët që pritet të jenë pjesë e këtij Universiteti. A kemi kuota të studentëve që pretendojnë të jenë pjesë e këtij universiteti?

    Unë mund t’ju them një gjë, ne si Universitet nuk jemi hapur ashtu siç janë hapur dhe universitetet e tjera. Ne i qëndrojmë besnik për të zgjedhur cilësinë. Unë, për këtë gjë, kam gjetur dakortësinë edhe me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, ne nuk mund të hapemi, ne nuk mund të pranojmë këdo në një shkollë arti. Shkolla e artit kërkon disa cilësi dhe ne përpiqemi që ta ruajmë këtë kriter dhe mendoj që kjo shkollë sa të jetë do ta ketë këtë kriter, nuk mund të parashikohet që këtu mund të hyjë kushdo, pse është zgjuar një mëngjes dhe thotë që do të bëhet aktor apo instrumentist, nuk mundet, kjo kërkon një punë shumë të madhe dhe për mua gabon shumë rëndë ai që thotë se unë do ta çoj te Artet djalin, sepse atje është më lehtë. E siguroj me 100%, që do të bëjë gabimin më të madh të jetës dhe do t’i humbë të ardhmen fëmijës së tij, sepse në një shkollë arti, nëse ti nuk ke brumin e duhur dhe nëse ti nuk ke vlerat e duhura  me talentin tënd, ti nuk ke se çfarë të marrësh, ti nuk ke se çfarë të zhvillosh, ti nuk ke se çfarë të lesh gjurmë më pas, por do kalosh 4-5 vite të zymta të jetës tënde dhe nuk do të bësh asgjë në jetë.   Pra, këtu vijnë ata që inspirojnë, ata që kanë pasion, ata që kanë  të dhëna, ata që mendojnë se vërtet mund të godasin dhe ne jemi të lumtur pikërisht për këtë pjesë, se në fund të fundit ne duam një produkt final, pra duam disa studentë që të kemi një shkallare pozitive me ta, që të kemi punuar, të kemi shprehur vërtetë aspektin profesional në formën më maksimale me ta si pedagogë dhe në fund të shohim një produkt vlerash krijuese dhe artistike, të cilët godasin, lejnë një gjurmë dhe pse jo, premtojnë shumë për nesër. Padyshim, them që kjo shkollë nuk do të hapet në këto trajta, i qëndrojmë kësaj gjëje dhe këto vite kemi gjetur një gjuhë të përbashkët me Ministrinë e Arsimit, ne kemi ruajtur kuotat, ne nuk kemi pësuar rritje. Janë shumë faktorë që na e kërkojnë këtë gjë: mundësitë, numri i pedagogëve të brendshëm , ambientet që kemi dhe në fund fare, padyshim dhe tregu. Ne nuk mund të  hapim kurse aktorësh ku të jenë 50 studentë, sepse jetojmë në Shqipëri, kemi një realitet përpara dimë sesa teatro kemi, dimë sesa mundësi kanë këta të rinj të përthithen nga tregu, pra ne nuk mund ta bëjmë këtë gabim. Ah, ne mund të krijojmë programe të reja studimi, në ato fusha të cilat i kërkon tregu sot. Dhe e kemi bërë, në fakt kemi hapur para disa vitesh Regjinë e Filmit dhe të Televizionit, sepse tregu elektronik mediatik në Shqipëri pësoi një zhvillim të paparë dhe po të shikosh këto mediat elektronike të gjithë të rinjtë që punojnë regjisorë apo në pikat e montazhit të tyre janë studentë të kësaj shkolle. Mua më rastis shpesh të shkoj, të jap intervista, të jem pjesë e shumë emisioneve në media të ndryshme në Shqipëri, qoftë në ato publike, qoftë në ato private dhe kam kënaqësi, kur shoh studentët tanë dhe në këtë sens kemi përgatitur dhe kuotat në vitin e ri akademik 2013-2014, pak a shumë në linjën e mëparshme.

    Kriteri bazë për të hyrë në këtë Universitet është konkursi.

    Ne i kemi shpallur tashmë, qoftë rregulloren, por dhe kriteret e konkursit në faqen tonë ëeb të Universitetit, i kemi dërguar ato në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në fakultete, pranë sekretarive mësimore janë njerëz të posaçëm, të cilët mund të japin informacionin e duhur për të gjithë kandidatët të cilët kërkojnë që vitin e ardhshëm akademik të jenë pjesë e shkollës sonë. Për konkursin, ne jemi të interesuar që numri të jetë padyshim sa më i madh i konkurrentëve. Është për t’u vlerësuar që vitet e fundit neve nuk kemi pasur ulje të atyre që kanë ardhur për konkurs dhe besoj se edhe sivjet kemi për të pasur një paraqitje të mirë të numrit të caktuar me mundësi përzgjedhjeje që anëtarët, specialistët përkatës në programet e studimit përkatëse, të kenë mundësi përzgjedhjeje. Ju siguroj për një gjë, që në shkollën tonë i talentuari hyn vetë, ai pa dyshim troket dhe i bie një herë derës por pastaj hyn vetë. Ndërsa për atë që është i patalentuar, e preka dhe më lart, nuk ka arsye që t’i drejtohet kësaj shkolle, sepse do ndjejë, që në vitin e parë, një zhgënjim të madh, sepse në fund të fundit nuk mund të ingranohet në këtë shkollë një njeri, i cili vjen për të bërë një aventurë, apo vjen për të kaluar disa vite, kjo është një shkollë që kërkon punë, që kërkon vullnet dhe kërkon pasion. Këtu çdo student ballafaqohet me skenën, këtu çdo student ballafaqohet te figurativi, çdo student i muzikës paraqet punët e tij në provim para publikut, para publikut e theksoj këtë, pra në këtë shkollë nuk mund të fshihesh.

    Ju jeni i sigurt që një talent nuk shkon pa u vlerësuar, siç ndodh rëndom në realitetin shqiptar? Boll të kujtojmë rastin e këngëtares tonë Elhajda Dani, e cila duhej të shpallej fituese e “The Voice of Italy” për të bërë bujë në vendin e vet. 

    Çuditë në këtë botë ndodhin, por unë nuk dua ta besoj këtë. Përsa i përket Elhajdës, besoj se ju, po i referoheni realitetit shqiptar në përgjithësi. Unë dua të them që Elhajda ishte pjesë e Universitetit tonë një mbrëmje. Unë e prita me kënaqësi atë dhe maestro Koçante, u krijua një atmosferë e shkëlqyer do të thoja në Universitet. Pra ajo, ka bërë një gjë shumë të madhe për të gjithë ne, se në fund të fundit, ka fituar një çmim muzikor në vendin e muzikës, e Kantos, siç është Italia, dhe kjo është një ngjarje shumë e madhe, ajo këndoi atë natë që erdhi këtu në fakt, këndoi dhe pati shumë emocion. Di të them që studentët, apo kolegët, apo e gjithë salla u ngrit në këmbë pikërisht për atë çka bëri ajo për ne, për veten e  saj, por në fund të fundit për atë mbrëmje emocionuese që ne patëm këtu, në Universitet bashkë me Koçanten dhe vlerësoj se ishte një moment interesant, i dashur për të gjithë, kuptohet kemi nevojë për këto gjëra dhe kemi nevojë  që ata të rinj, se ajo është vërtetë një e re që premton shumë, që në fund të fundit përfaqësojnë denjësisht veten e tyre, por dhe vendin tonë, ne të kemi sensibilitetin e duhur  dhe të kemi detyrimin për të bërë maksimumin për të tjerë të rinj që janë brenda Universitetit të Arteve. Atë natë 4 studentë të Kantos të Universitetit të Arteve u shpërfaqen në këtë koncert dhe mund t’ju them që në një bisedë që pata me Koçanten, ai i vlerësoi ata në mënyrë të jashtëzakonshme.