Prof. Alfred Frashëri: Jeta dhe vepra e Abdylit, Naimit dhe Samiut, edukuan shqiptarët ndër shekuj

    730
    Sigal

     INTERVISTA/ Flet Prof. Alfred Frashëri: Vëllezërit Frashëri ishin flamurtarë të rilindjes shqiptare

      “Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar

    Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr”

    Naim Frashëri

    Kujtimit të rilindësve, luftëtarëve të pushkës dhe të penës, që sollën pavarësinë, që shkrinë jetën e tyre dhe pasurinë për të bërë Shqipërinë ne i përulemi me respekt të madh. Ne nderojmë dhe përulemi ndaj atyre që me luftën dhe punën e tyre u rrënjosën  shqiptarëve ndjenjën e shqiptarisë,  u treguan se si duhet të luftonin për Shqipërinë, për liri e pavarësi, u mësuan gjuhën shqipe sa të ëmbël e sa të dlirë, gjuhën e Naimit të Madh që flasin ne sot. Dhe, midis atyre që ishin në ballë të luftës, ishin edhe vëllezërit Frashëri, profetët Abdyli, Naimi dhe Samiu. Ata e ngritën Frashërin në piedestal dhe e bënë Mekën e Shqipërisë, siç e quajti luftëtari Mihal Grameno. Një nga pasardhësit e fisit të madh të Frashërinjve është dhe Prof. Alfred Frashëri.

    Si do ta cilësonit Abdyl Frashërin?

    Nuk ka patur nxënës në Shqipëri që të mos e dinte se vëllai i madh i Frashërinjve, “Heroi i Popullit”, luftëtari Abdyl ishte ideologu i Rilindjes Kombëtare dhe udhëheqësi kryesor i Lidhjes Shqiptarëve të Prizrenit. Nuk ka patur shqiptar që nuk dinte përmendësh vjershat e bilbilit të gjuhës shqipe, Naimit të Madh, për Shqipërinë e Skënderbeun dhe nuk frymëzohej nga ato. Për ideologun, dijetarin e madh, statistin, shkrimtarin dhe publicistin Sami Frashëri, kushdo në Shqipëri mund të fliste për veprën monument “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” (Bukuresht 1899), themelimin dhe kryesimin e “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” (Stamboll 1879), revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe “Dituria” (Stamboll 1884-1885), “Dhe shkronjë dhe Alfabetare e gluhësë shqip”, si edhe “Abetare e gjuhës shqip” (Kostaninopojë 1879, Bukuresht 1886). Bustet e tyre ndodhen në shumë qytete të Shqipërisë. Emrat e tyre i mbajnë shumë shkolla në Shqipëri. Për ta kanë shkruar penat më të forta të vendit. Vepra e tyre është përjetësuar në Internet, në shqip dhe në anglisht.

    Por nga vijnë dhe cilët janë vëllezërit Frashëri, ku dhe kush i edukoi, ku dhe si luftuan për Shqipërinë?

    Sami Frashëri në faqen 3352 të Enciklopedisë që shkroi “Kamûs ül-Ă-lâm” (1889) shkruan: “Bejlerët e Frashërit kanë prejardhjen nga Kazaja e Tomorricës, por nga nevoja u shpërngulën së andejmi në fshatin Stanimaka, që u ishte dhënë malikane, duke u detyruar të qëndronin aty. Në kohën kur Qypryli Mehmet Pasha ishte kryeministër (1655-1661) si bashkatdhetar i tyre që ishte, i lejoi të ktheheshin në Shqipëri dhe të ndërronin Stanimakën me fshatin Frashër, që atëherë ish me popullsi të krishtere, si edhe me disa fshatrat në Myzeqe. Bejlerët e Frashërit rrjedhin nga një i quajtur Ajaz Bej.

    Djali i Abdylit, Mid’hat Frashëri (Mali Kokojka) në librin e tij “Naim Be Frashëri” (Sofie 1901) shkruan “….Më 1570 Hamza beu, i par i Tomorricës desh të shtojë urdhrin e tij e të marrë mpronjë Skraparë, Oparë, Verçën etj.; po qeveri e Turqisë që s’i  pëlqyen punët e këtij zotërije, e rrethoi në Berat, dhe Hamza beu, siç ju sosnë çdo gjë desh të dilte nveshur si grua; po u njoh dhe u zu i gjallë; mbi këtë me gjithë fëmijë u dërgua në Stanimakë, ku ndenji 70 vjet; më 1650 në kohë të Mehmet pashë Qypryliut, u fal Ajaz beu, i nipi i Hamza-jt dhe ju dha mprojë Frashëri, Mertinja, Xhanjani, Topojani dhe në Vlorë Kudhësi, Armeja dhe ca pshatra në Myzeqe; po Ajazi pëlqeu Frashërin për të ndenjurë se është vend i fortë. Kur erdhi Ajazi në Frashër, atje gjeti fëmijë parsije: Aliçkaj, Cërasit, Bregasit dhe Bakasit”. Ajaz beu, para se të kthehej në Frashër, u lë dy djemve të tij një testament dhe 2000 pjastra për të ngritur në shenjë mirënjohje dhe kujtimi një xhami në Stanimakë, që është edhe sot. Këtë testament e firmosën edhe dy pashallarë, njëri libohovit dhe tjetri gjirokastrit, të cilit ishin edhe kujdestarë për zbatimin e testamentit (Ajet Libova).

    “Nga fisi i Ajaz beut sot ka 40-50 shtëpi” shkruan Sami Frashëri (Kamûs ül-Ă-lâm, Vëll. V, f. 3352-3353, 1889). Midis tyre, që nga shekullin e XVIII-të në Frashëri jetonte edhe fisi i Dakollarëve. Nga kjo derë doli në vitin 1797 edhe Halid Frashëri (Dakollari), babai i Vëllezërve Frashëri, vëllai i tij Dyrmishi, i cili ishte babai i Eshref Frashërit, Kryeparlamentarit në vitet 30-të, si edhe i juristit Kahreman beu, babai i historianit Xhemil Frashëri, si edhe vëllai tjetër i tyre Sejfullai.

    Cilët janë pasardhësisht e vëllezërve Frashëri në ditët tona?

    Pasardhësit e vëllezërve Frashëri në ditët tona janë nipërit dhe mbesat e vajzës së Abdylit, Eminesë, e martuar me Kahreman Vrionin, vajza e Sherifit, Hasia, që e rriti Naimi, e martuar me Murat Toptanin, vajza e Naimit, Nevrezi, e martuar me Shahin Kolonjën, nipërit dhe mbesat e Samiut në Turqi, midis të cilëve Emin Ereriu dhe Ali Semi Yen, nipërit dhe mbesat e Mehmetit, martuar me Vesime Toptanin, vajza e Seit Toptanit. Një shekull pas Samiut, nipi i tij Ali Semi Yen, në librin e tij “Bir numarali Galatasarayili “, Galatassaray Üniversitesi Kültür, Istanbul, 2011, jep përsëri pemën gjenealogjike të fisit të tyre, i cili rrjedh nga dera e Ajaz Beut, që nga Stanimaka erdhi në Frashër, duke filluar me Ajazin, Beqirin e deri tek stërnipat e stërmbesat e tyre, që banojnë në Turqi.  Kur lindi Abdyl Frashëri, në vitin 1839 në Frashër kishte rreth 300 shtëpi, të grupuara në 22 lagje (Frashëri K. 1984). Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të filloi largimi i banorëve. Atje kishte 101 shtëpi (Bezati K. 1978).

    *Ajaz beu u lind dhe fëmijërinë e tij e kaloi në Stanimakë, ku ishte internuar gjyshi i tij, Hamza bej Grëmshi (Bejko). Stanimaka – Asenovgradi i sotëm është një qytet në Bullgarinë jugore, në Rumelinë lindore të mesjetës. Qyteti përfaqëson hyrjen më të përshtatshme të kalimit nëpër Malet e Rodopit, që lidhin Thrakën me Rajonin e Egjeut. Në vitin 1363 Stanimaka u pushtua nga Perandoria Otomane dhe ishte një qytet i vogël bujqësor duke humbur rëndësinë e saj gradualisht. Stanimaka u çlirua nga sundimi otoman, gjatë luftës ruso-turke e 6 janar 1878. Asenovgradi i sotëm është një qendër tregtare dhe industriale. Kjo zonë është edhe sot është korridori i rëndësishëm i transportit Plovdiv- Ksanthi në Greqi. Fshatrat ku banuan shqiptarë në rrethinat e Stanimakës, Asenovgradit të sotëm, janë Gornoslav dhe Dolnoslav, që fillimisht quheshin “Arnautkoi”, fshat arnautësh. Ata ndodhen rreth 13 km në jug-lindje të Asenovgradit, të vendosur në shpatin lindor të maleve Rodop. Në vitin 1396 krahina ra nën okupacionin otoman. Si dy fshatra, ato cilësohen edhe në përshkrimet e udhëtarit Evlija Çelebiu të mesit të shekullit të XVII. Midis të tjerave ai tregon se shqiptarët ndërtonin shtëpi të mira. Popullsia bullgare gjente mikpritje tek shqiptarët, të cilët megjithëse ishin të besimit mysliman, nuk  mirëkuptoheshin me turqit, madje i urrenin. Prania e shqiptarëve dhe e grekëve ishte shkaku i mungesës së turqve në këto dy fshatra. Këta ishin të parët e frashërllinjve, në ato vende kaluan jetën e tyre, por asnjëherë nuk e harruan mëmëdheun e tyre, dhe me rastin e parë u kthyen në Atdhe. E zgjodhën Frashërin për të banuar. Dhe duke udhëtuar nëpër Rodope, në shtatorin e vitit 2011, më erdhën në mend vargjet e Naimit dhe mu duk sikur më thoshte mua: “A mos vjen prej Çamërie,/Prej Skrapari, prej Dobreje/…..”, i cili kujtoi edhe hallën e tij të martuar në Dobrenjën e Tomorricës, ku nga Grëmshi i Tomorricës kish ardhur në Stanimakë edhe i pari i saj, Hamza beu (Bejko?).

    Si do ta përkufizonit Frashërin në aspektin gjeografik?

     Frashëri është një fshat fenomen, është një dukuri e veçantë jo vetëm natyrore, por edhe sociale, e rrallë në botë. Kështjellë natyrore, i vendosur në lartësinë 1050 m mbi nivelin e detit, i rrethuar me qafa dhe maja të larta malesh. Frashëri ka nxjerrë në vite shumë njerëz të mëdhenj, që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të japin ndihmesën për të bërë historinë e kombit tonë. Me një histori mbi 500- vjeçare, nga Frashëri kanë dalë si asnjë vend tjetër patriotë e burra shteti, si edhe njerëz të shkolluar të profesioneve të ndryshme. Nga Frashëri, ku kanë dalë tre kolosët e Rilindjes Kombëtare Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, numurohen dhjetë politikanë e deputetë në kohëra të ndryshme, një Kryeministër i Perandorisë Otomane, ministra e kryeministra në Shqipëri e vende të tjera, shtatë pashallarë. Pasardhës të denjë të Frashërllinjve të Mëdhenj janë katër akademikë, trembëdhjetë profesorë nga të cilët njëmbëdhjetë vetëm këto dyzet vitet e fundit, tridhjetë doktorë shkencash, si edhe dhjetëra e dhjetëra juristë, mjekë, inxhinierë, agronomë, veterinerë, mësues, oficerë, artistë dhe sportistë të dëgjuar. Nga brezat e frashërllinjve, edhe sot dalin njerëz me vlera të mëdha për vendin. Jam i bindur se kolosët e Rilindjes, që ndërgjegjësuan shqiptarin për shqiptarinë, që i mësuan gjuhën, që i treguan me vepra se si duhej luftuar për pavarësi, që i treguan botës për shqiptarët dhe dëshirën e tyre, që përgatitën dhe sollën Pavarësinë e Shqipërisë, do të rrojnë në jetë të jetëve. Prandaj, për t’i nderuar Rilindësit e mëdhenj, Abdylin, Naimin dhe Samiun, për t’u përulur me respekt para veprës së tyre, e gjeta të udhës të përsëris vetëm disa nga shkrimet e tyre për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, që edhe mua frashërlliun m’i mësoi gjyshi, babai, nëna dhe mësuesja e parë, që edhe unë dhe gruaja e ime u a mësuam fëmijëve tanë, nipit dhe mbesës gjashtë vjeçarë dhe, ashtu si të gjithëve ne, ato shkrime që na kanë frymëzuar në vite dhe do të na jenë fener për gjithnjë në rrugën e jetës sonë.

    Abdyl Frashëri

    Abdyl Frashëri (1839-1892), vëllai më i madh, “Hero i Popullit”, ishte ideologu dhe luftëtari, atdhetari, politikani, diplomati, organizatori më i shquar i Rilindjes Shqiptare në shekullin e 19-të. Qëndroi në ballë dhe i priu luftës për pavarësi dhe tërësinë e trojeve shqiptare. Abdyli na mësoi ne shqiptarëve dhe u tregoi të huajve se: “Shqipëria meriton pavarësinë më tepër se asnjë kombësi tjetër e Ballkanit dhe ne shpresojmë se ajo do ta tregojë veten më të denjë për të gëzuar respektin e Europës dhe më të aftë për të qeverisur vetveten”.

    Ai iu kundërvu rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare gjatë Luftës Ruso-Turke dhe periudha 1877-1881 ishte koha kur ai punoi për të ndërgjegjësuar shqiptarët por edhe të huajt për rëndësinë e realizimit të objektivave të Rilindjes Shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës, Abdyl Frashëri përpiloi projekt deklaratën për pavarësinë e Shqipërisë. Ai u kundërvu synimeve dhe veprimtarisë së fqinjëve të Shqipërisë, grekëve dhe serbëve, të cilët të mbështetur nga Perandoria Ruse rrezikuan rëndë dëshirat e atdhetarëve shqiptarë. Duke qenë kryetar i Komitetit Qendror të Stambollit për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ai ishte njëri ndër autorët kryesorë të platformës politike të këtij Komiteti, të cilën publikoi gjatë pranverës së vitit 1878 nëpërmjet organeve të shtypit europian. Si atdhetar i aksionit, në periudhën 1878-1881, veprimtaria kryesore e Abdyl Frashërit ishte drejtuar në organizimin dhe aktivitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila adaptoi platformën e përgatitur nga Abdyli. Ai morri pjesë pothuajse në të gjitha kuvendet ose edhe komitetet ndërkrahinore që organizoi Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes. Së bashku me Baba Alushin, Abdyli organizoi dhe drejtoi Kuvendin e parë të Frashërit në 30 maj të vitit 1878, mori pjesë më 24 korrik 1878 në Kuvendin e Janinës dhe përfaqësoj Toskërinë në Asamblenë e parë të Dibrës, në 1 nëntor 1878. Ishte organizatori kryesor i Asamblesë së Prevezës në janarin e vitit 1879, që u mblodh për të shmangur lënien e Çamërisë nën Greqinë.

    Abdyl Frashëri kryesoi delegacionin shqiptar të Lidhjes së Prizrenit, që vajti në Berlin për ti parashtruar Kongresit të Berlinit, më 13 qershor 1878, kërkesën për të drejtat e Shqipërisë, por atje nuk gjeti përkrahje çështja shqiptare. Edhe në 1879 udhëtoi në kryeqytetet kryesore të fuqive të mëdha për të mbrojtur integritetin e tokave të Shqipërisë, dhe të drejtat e shqiptarëve.

    Abdyl Frashëri drejtoi Asamblenë Kombëtare të Gjirokastrës (23 korrik 1880), ku foli për vendimin lidhur me krijimin e shtetit shqiptar autonom, duke përkrahur luftën e armatosur të shqiptarëve. Në Kuvendin e dytë të Frashërit (qershor 1880) punoi për projektin e krijimit të një qeverie të përkohshme shqiptare. Ai ishte anëtar i qeverisë Ad Interim që u formua në Prizren në fillimin e vitit 1881.

    Pas shtypjes së Lidhjes, u dënua me vdekje nga gjykata osmane, dënim i kthyer në burgim të përjetshëm. Bëri 3 vjet burg (1882-1885) dhe u lirua për arsye shëndetësore, me kusht që të mos merrej me veprimtari politike. Por Abdyl Frashëri vijoi rrugën e vet të luftës dhe përpjekjeve për bërjen e Shqipërisë. Më 25 shtator 1888, i drejtoi një memorandum kryeministrit të Italisë Francesko Kripsit, ku midis të tjerave i shkroi “….Populli shqiptar është i vetmi komb që ka zhvilluar prej kohësh një rezistencë energjike kundër pushtuesve turq. Kjo rezistencë heroike ka vazhduar deri në ditët tona. Nëse shqiptarët, për hir të karakterit të tyre krenar e luftarak, nuk e kanë lënë veten të nënshtrohen aq ultësisht sa fqinjët e tyre, janë ata që e kanë ndjerë më tepër peshën e zgjedhës së huaj dhe janë ata që kanë vuajtur më shumë si pasojë e kryengritjeve të pandërprera që kanë qenë të detyruar të zhvillonin për të fituar pavarësinë e tyre…Si rrjedhim, Shqipëria meriton pavarësinë më tepër se asnjë kombësi tjetër e Ballkanit dhe ne shpresojmë se ajo do ta tregojë veten më të denjë për të gëzuar respektin e Evropës dhe më të aftë për të qeverisur vetveten”.

    Abdyl Frashëri vdiq 23 tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, në 100- vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    Heroit, populli i thuri këngën:

                                      Të lutem moj baltë e varrit

                                      mos i rëndo mëmëdhetarit

                                      po bëji ndere shqiptarit.

    .                                 ……………………………….

    Naimi i Madh

    Në këto përpjekje dhe luftë të shqiptarëve, përkrah vëllait të tij të madh u rreshtua edhe Naimi i Madh, poeti që aq bukur i këndoj shqip Shqipërisë dhe Skënderbeut. Në vjershën e tij  “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve” ai u drejtua shqiptarëve:

    O djemt’ e Mëmëdheut, o trima atdhetarë,

    të ditur, të dëgjuar u burra luftëtarë,

    sikundër të bashkuar, që ndodheshim të tërë,

    të besësë për kombin e miq për jetë bërë

    lispet dhe sot të jemi, si kemi qem’ një herë

    të lidhur, të bashkuar, vëllezër kurdoherë.

    dhe hodhi kushtrimin: Liria duhet fituar me çdo kusht dhe me çdo sakrificë.

    Dashurinë për atdheun e këndoi shqip në poemën e tij “Bagëti e Bujqësi” dhe u mësoi shqiptarëve në “Historia e Skënderbeut”:

    “hapni sytë dhe punoni,

    të gjithë për Shqipërinë,

    tjetërë gjë mos kërkoni

    ajo sjell mirësinë”

    Naimi ishte flamurtar i rilindjes shqiptare, është për ne ç’ka është Gëte për gjermanët, Shekspiri për anglezët dhe Viktor Hygo për francezët. Ai u futi shqiptarëve shpirtin e zgjimit, u frymëzoi atyre idealin kombëtar dhe dashurinë për atdheun, ka shkruar Syrja bej Vlora (AQSh, Fondi 56, dosja 8, 1909). Ne sot flasim në gjuhën shqip të bukur të Naimit.

    Samiu

    Në një radhë më ta, në ballë të luftës për çështjen shqiptare dhe pavarësinë e Shqipërisë, qëndronte edhe vëllai më i vogël i tyre Samiu (1850-1904), që në librin e tij tregoi se ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet Shqipëria, duke theksuar se  “….Shqiptar është çdo njeri i pjellë prej shqiptarësh e që flet shqip, po shqiptar i vërtetë ësht’ ay që ka mendjen e zëmrënë shqiptar. ……. Se në dashqim’ e në u përpjekçimë, do të jemi një nga më të mirët’ e nga më të ndrituarët e kombeve t’Evropës…”. Është lapidar thënia e tij: “Bashkimi bën të mundshme gjërat e pamundshme, përçarja bën të pamundshme edhe gjërat e mundshme”.  Ai ka shkruar mbi 60 vepra. Veç atyre për Shqipërinë e shqiptarët, shquhet vepra e tij madhore “Kamûs ül-Ă-lâm” (Fjalori universal i historisë dhe gjeografisë” në 6 vëllime (1889-1898), fjalori i gjuhës turke, fjalori turqisht-frëngjisht dhe anglisht-turqisht. Sami Frashëri, që nga shekulli i robërisë së rëndë, na la amanet dhe na porositi:

    –        Jemi shqiptarë dhe jo turq e kaurë,

    –        Fetë i përçajnë kombet,

    –        Shqiptarët të gjithë duhet të duan njëri-tjetri, të kenë vëllazërinë në mest,

    –        Shqipëria është një dhe e pandarë,

    –        Duhet të jemi të bashkuar. Bashkimi duhet të futet në gjakun e secilit,

    –        S’ka në jetë më i lik njeri se tradhtari i kombit dhe i mëmëdheut,

    –        M’i dashur se kombi, m’i dhembshur se mëmëdheu, m’i ëmbël se gjuha e tij s’ka gjë tjetër për njeriun,

    –        Një njeri sa do të mira të ketë për veten e tij s’mund të jetë faqebardhë, do të ketë kombin dhe mëmëdheun e vet fatzi,

    –        Të hiqet Turqia dhe të vijë një sundues tjetër, është sikur një shtazë të ndërrojë samarin dhe jo lirinë.

    Veprën e tyre e vazhdoi edhe vëllai më i vogël dhe pasardhës, Mehmeti, i cili ka qenë Drejtor i gazetës “Besa” në Stamboll  (1908).

    Të frymëzuar nga Vëllezërit Frashëri, kontribut për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare kanë dhënë edhe shumë e shumë njerëz të shquar kanë dalë nga familjet e mëdha të frashërllinjve. Emërtimin “Familje të mëdha” nuk e them në kuptimin mikroborgjez të familjeve të pasura, por të familjeve që kanë kontribute të shquara ndër vite për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare ndër breza.

    Mësimet e ndritura të Vëllezërve Frashëri, që së toku me atdhetarë të shquar të tjerë ishin në ballë të Rilindjes sonë Kombëtare, janë me vlerë edhe sot më tepër se kurdo, janë të ditës thirrjet e tyre:

    –         “M’i dashur se kombi, m’i dhembshur se mëmëdheu, m’i ëmbël se gjuha e tij s’ka gjë tjetër për njeriun” dhe “Jemi shqiptarë dhe jo turq e kaurë” e të madhit Sami Frashëri

    –         “Feja e shqiptarit është shqiptaria” e të madhit Pashko Vasa.