Presidenti Nishani, shpresa e fundit për ish-ushtarakët

    383
    Sigal

    Ish- ushtarakët do i paraqesin së shpejti zyrtarisht kërkesat e tyre Presidentit të ri të Republikës

     Presidenti i ri i Republikës zoti Bujar Nishani, i cili ka marrë detyrën para pak ditësh, duke qenë se vjen nga radhët e ushtarakëve shihet si shpresë nga ish- ushtarakët për zgjidhjen e një sërë problemesh që kanë ngelur pezull nga e kaluara. Në ditët në vijim shoqata e ushtarakëve do t’i parashtrojnë Presidentit Nishani kërkesat e saj dhe kanë një arsye më shumë për të shpresuar duke qenë se vetë zoti Nishani duke ardhur nga radhët e tyre i di mirë hallet dhe problemet dhe mund t’u japi një zgjidhje çështjeve të kësaj kategorie. Përfaqësuesit e Shoqatës së Ushtarakëve, shprehen skeptikë për zgjidhjen e problemeve të tyre, por sërish kanë ende shpresë tek Presidenti i ri Bujar Nishani. Në lidhje me këtë kanë folur për “Telegraf”:  Koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi, Presidenti i Shoqatës së ish-ushtarakëve të Liruar dhe ne Rezerve, Mehdi Pogaçe si dhe Presidenti i Nderit i Shoqatës së Ushtarakëve, Zyhdi Kroi.

    Pyetjet për temën

    1-Duke qenë se Presidenti Nishani vjen nga radhët e ushtarakëve a besoni se do të keni mbështetjen e tij në kërkesat tuaja?

    2-Në qoftë se Shoqata e Ushtarakëve (AKUSH) do të listonte kërkesat e saj për Presidentin e ri, të ç’natyre do të ishin ato?

    3- Deri tani qeveria aktuale nuk i ka përmbushur kërkesat e ushtarakëve, a ju duket ky qëndrim i qëllimshëm?

      

    Pëllumb Zaimi: “Nuk kemi shpresë tek një President të emëruar nga Kryeministri anti-ushtarak”

    1-Aspak. Ushtarakët që i janë futur rrugës së politikës ose më saktë rrugës partiake të politikës deri tani kanë rezultuar thjesht interesaxhinj. Kanë parë interesat e veta dhe kanë braktisur idealin ushtarak. Nuk të jap dot një shembull ndryshe për 22 vjet. Nuk të them dot asnjë emër që për hir të interesave ushtarake, për hir të respektit ndaj kolegëve të vet, të ketë sakrifikuar karrierën në shenjë proteste ndaj dhunimit të tyre. As zoti Bujar Nishani nuk besoj se, do të dalë nga vatha partiake. Sepse nuk ka dalë asnjëherë deri tani. Sepse është i emëruar në atë post nga Sali Berisha dhe zoti Nishani është i detyruar të bëjë siç thotë e siç do kryeministri anti-ushtarak. Do ta provoni shumë shpejt së është kështu siç them unë. Jam gati të vë bast me këdo që s’e ka këtë bindje. Madje mendoj se interesat e ushtarakëve do të nëpërkëmben akoma më shumë, ashtu siç do të nëpërkëmben interesat e sigurisë shqiptare në përgjithësi. Kemi Forcat e Armatosura më të nëpërkëmbura në Ballkan dhe kjo është një strategji e qëllimshme. Ne s’kemi ekuilibër të fuqisë ushtarake me asnjë nga shtetet e rajonit pale më të tjerët. Ne po zhvishemi dita-ditës ushtarakisht dhe kjo s’do shumë mund që të kuptohet. Sigurisë e mbrojtjes tonë i ka rënë “murtaja” nga të gjitha pikëpamjet dhe ju më thoni që zoti Bujar Nishani do të vërë rregull si ish-ushtarak. Nuk mund të vërë rregull një president i emëruar nga kryeministri dhe pikë. Prisni pak dhe do ta kuptoni!

    2-Një listë kërkesash për Presidentin e ri, shoqata jonë AKUSH do ta formulojë pas një vendimmarrje kolegjiale, prandaj unë po shpreh vetëm pikëpamjen individuale. Unë personalisht do të shtroja vetëm një kërkesë: Presidenti apo komandanti i ri i Forcave të Armatosura duhet t’i drejtojë NATO-s kërkesën për pranimin e ushtarakëve në radhët e kësaj aleance. Deri tani është pranuar ushtria jonë por jo ushtarakët. Ushtarakët shqiptarë nuk janë pranuar në NATO!?. Nuk janë pranuar sepse nuk shoh e nuk prek në radhët e tyre asnjë standard juridik, ekonomik e politik të homologëve të tyre në NATO. Ata nuk gëzojnë as standardet më minimale të ushtarakëve të vendit më të dobët të NATO-s. Prandaj, them se kërkesa për pranimin e ushtarakëve shqiptarë në aleancën veri-atlantike është e para dhe e vetmja kërkesë që duhet shtruar. Tani për tani ushtarakët shqiptarë të të gjithë brezave janë të përjashtuar nga aleanca sepse ju nuk mund të evidentoni qoftë edhe një standard që t’i përafrojë ata me kolegët e ushtrive të tjera. Doktrina euro-amerikane e konsideron profesionin ushtarak “monopol shteti”, por këtu as që ka depërtuar një koncept i tillë. Këtu ky profesion është “monopol i bajraktarit” Sali Berisha dhe mbi këtë bazë modelohet gjithë këndvështrimi i burimeve njerëzore të sigurisë, gjithë trajtimi ushtarak, juridik, ekonomik i këtij profesioni. E kthen dot zoti Nishani profesionin ushtarak në “monopol shteti”? Nuk e besoj kurrë! Nuk e besoj sepse gjithë legjislacioni për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik njeh si hierarkun kryesor kryeministrin, ndërsa Komandanti i Përgjithshëm i FA vetëm emrin ka të tillë. Ja propozon të gjitha funksionet kryesore ushtarake kryeministri dhe ai s’ka autonomi për asnjë funksion. Ai s’emëron dot as këshilltarin e tij numër 1 që është Shefi i Shtabit të përgjithshëm. Të tërë hierarkët ja propozojnë të tjerët dhe ja shkarkojnë të tjerët. Komandanti i Përgjithshëm vetëm hedh firmën sipas vullnetit të kryeministrit. Komandant koti!

     3- I jam përgjigjur shumë herë kësaj pyetje. i qëllimshëm që çke me të!? Merrni e krahasojeni ushtarakun shqiptar me çdo ushtarak ballkanas dhe do të shikoni se është më i keqtrajtuari! Mos të duket e paqëllimshme kjo? Kjo kërkon të vrasë shpirtin e shërbimit ndaj sigurisë. Po u vra ky shpirt, po u denigrua misioni që ka për detyrë të mbrojë atdheun nga rreziku, merreni me mënd sa zbuluar mbetet kjo mbrojtje. Kush e do këtë gjendje, përveç armiqve të Shqipërisë? Oficeri në karrierë e shikon me tmerr daljen në rezervë ose pension! E di që e pret fati i keq i paraardhësve të tij!?. Prandaj e kap paniku, serviloset dhe manovron me lloj-lloj sjelljesh anti-ushtarake duke deformuar vlerat e etikës ushtarake. Kjo e nxjerr nga binarët ku duhet të udhëtojë ushtaraku i devotshëm. E nxjerr nga misioni i vet. E kthen jo në një shërbëtor besnik të shtetit të vet, por të eprorëve të vet. Kush e do një ushtarak të tillë pa vlera? Gjejeni vetë përgjigjen se unë e kam atë?Përgjigja ime është një ushtarak në shërbim të eprorëve të vet partiakë nuk i shërben Shqipërisë.

     Zyhdi Kroi: “E shoh të vështirë realizimin e kërkesave të ushtarakëve”

    1-Jo absolutisht nuk besoj që do të kemi përkrahjen nga Presidenti i ri i sapozgjedhur. Nuk besoj për faktin sepse ai është një President partiak. Ai është një president që vjen nga partia, e cila që në vitin 1999 na ka diskriminuar. Dhe kjo parti, e cila është në pushtet sot nuk ka pasur vullnet për të na zgjidhur hallet tona, prandaj edhe nuk shpresojmë se do të na zgjidhi ndonjë problem presidenti i  ri.

     2 -Ne nuk kemi ndërmend që t’i drejtohemi fare Presidentit. Ne kemi menduar që t’i dërgojmë një mesazh urimi. Do t’i shprehim dëshirën tonë për të ndryshuar disa gjëra.

     3 –Fakti që ligjet kanë ndryshuar disa herë, po të kujtojmë që nga 1996-ta që është bërë ligjin e parë nga qeveria e “Meksit”, në 2006 që ndryshoi ligji i pensionit që bëri Partia Socialiste, në 2008 dhe në 2010 ata i kanë përkeqësuar më këto ndërhyrje ligjet nuk i kanë përmirësuar. Kështu që ne kemi edhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk po bëhet gjë. Ashtu edhe si për shumë gjëra të tjera edhe për këtë nuk ka vullnet.

     Mehdi Pogaçe: “Shpresojmë tek Presidenti Nishani për kërkesat tona!”  

    1 -Unë shpresoj që duke qenë se zoti Nishani vjen nga radhët e ushtarakëve, duke qenë se zoti Nishani është edhe Komandant i Forcave të Armatosura. Ku tek Forcat e Armatosura nuk bëjnë pjesë vetëm aktivët, por bëjnë pjesë edhe ata që kanë dalë në pension. Të gjithë janë pjesë e Forcave të Armatosura. Unë për këtë shpresoj që Presidenti i Republikës të ketë në qendër të vëmendjes së tij edhe ushtarakët dhe problemet e tyre që kanë të bëjnë pensionet, apo edhe probleme të tjera. Por jam pak skeptik përsëri se këto kërkesa ja kemi drejtuar edhe Presidentëve të tjerë, por që nuk kanë dhënë zgjidhje, por përsëri shpresoj.

     2-Unë nuk e kam menduar akoma këtë. Por kërkesat që ne i kërkojmë jo vetëm Presidentit të Republikës, por edhe organeve të tjera është që të zbatohet shteti ligjor, ku ligji të jetë mbi të tërë. Nëse Presidenti i Republikës do të zbatojë ligjin, atëherë edhe kërkesat e ushtarakëve do të plotësohen.

     3-Unë nuk kam thënë që qeveria nuk ka bërë asgjë, janë bërë disa gjera. Mendoj që është edhe pjesa tjetër, nuk është vetëm Presidenti ai që duhet t’i përmbushi këto pasi janë edhe pjesa tjetër që duhet t’i përmbushin detyrimet e tyre, për të qenë sa më korrekt me zbatimin e ligjeve.