Presidenti Bamir Topi: Ja çfarë do bëj më pas!

    446
    Sigal

    Intervistë/ Pesë ditë para largimit nga detyra, flet ekskluzivisht për “Telegraf”, Presidenti i Republikës, Prof. Bamir Topi

    Presidenti i Republikës, Prof. Bamir Topi, bashkë me zonjën e Parë, Teuta Topi, ishte i pranishëm në veprimtarinë kulturore artistike “Itali-Shqipëri: Miqësia mes dy popujve”, që u zhvillua në Bashkinë e Celino San Markos, në provincën e Brindizit, në rajonin e Pulias. Ai pati takime me kryetarët e Bashkive të Brindizit dhe Leçes dhe është shoqëruar nga këngëtari italian Al Bano Karrisi. Në prani të autoriteteve  të rajonit të Pulias, artistë dhe intelektualë shqiptarë që jetojnë në këtë rajon, Presidenti është vlerësuar me Medaljen “Mirënjohje”, për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë si Kryetar i Shtetit Shqiptar, për thellimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për forcimin e urave të miqësisë mes dy popujve fqinj, me lidhje tradicionale dhe historike miqësie e bashkëveprimi. Gjatë kësaj veprimtarie, çifti presidencial, ndoqi dhe vlerësoi promovimin e librit “Dashuri shqiptare për Al Banon”, dokumentarin “Al Bano dhe Shqipëria”, si dhe një koncert me interpretues shqiptaro-italianë të muzikës klasike. Kreu i shtetit nderoi me urdhrin “Mjeshtër i Madh”, pianisten shqiptare, Aksinja Xhoja, që për 22 vjet jep koncerte si pianiste në vende të ndryshme të botës. Pas takimeve me kryetarët e Bashkive të Pulias, nga Leçe, Prof. Bamir Topi jep këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf”, që është e fundit për të si President i Republikës.

    – Zoti President, cili ishte motivi i vizitës tuaj dy-ditore në rajonin e Pulias?

    – Sigurisht, në asnjë rast nuk vihet pa një motiv. Kam ardhur këtu me një ftesë zyrtare të kryetarit të Bashkisë së Celino San Marko, Avv. Francesco Cascione, shtoj këtu edhe ftesën e këmbënguljen e këngëtarit të famshëm italian Al Bano Karrisi. Ishte një axhendë rajonale, shumë e pasur, sepse ishte parashikuar takimi me Presidentin e Provincës si dhe kryetarët e Bashkive në Brindizi dhe Lece. Shumë interesante dhe prekëse ishte ceremonia e organizuar në sallën e Bashkisë në Celino, që sikurse e dini është vendlindja e Al Banos, që titullohej “Itali – Shqipëri: Miqësia mes dy popujve”, e cila kish të bënte me marrëdhëniet në këto vite demokracie mes dy popujve, duke u ndalur në rajonin e Pulias. Nuk mund të anashkaloj faktin, që pjesë e këtij eventi kulturor, ishte edhe promovimi i librit “Dashuri shqiptare për Al Banon”, përkthyer në gjuhën italiane, shkruar nga ju. Sigurisht ju as që mund të pyesni dhe as flisni për këtë, por ashtu sikurse ju vlerësuan të pranishmit edhe unë ju përgëzoj. Kjo për faktin se keni qenë jashtëzakonisht e ndjeshme në këto marrëdhënie, keni prekur nga afër ndjeshmërinë që ka populli shqiptar, duke specifikuar Vlorën për këtë zonë, pasi distanca gjeografike është shumë e vogël, sido që në vitet e diktaturës ajo shfaqej e paarritshme, si mijëra km larg. Pra, për ta mbyllur këtë pyetje, duhet të them se ky aktivitet, që kulmoi me emocione të mëdha, shpalosi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojmë mes dy vendeve tona, që janë historike, madje do të thoja antike, por që sot janë në një sens tjetër, kur Italia dhe Shqipëria janë dy vende aleate, pjesë e NATO-s dhe ku vendi ynë shpreson të jetë zyrtarisht, pjesë e familjes së madhe Europiane.

    – Ku u përqendruan bisedimet tuaja me krerët e Bashkive të Pulias, zoti Topi?

    – Esenca ishte rreth miqësisë, ku si urë e rëndësishme janë mijëra emigrantë, që punojnë e jetojnë këtu. Sigurisht, unë e konsideroj të rëndësishëm kujdesin që duhet të tregojmë për bashkatdhetarët tanë dhe vlerësimi për ta ishte i njëjtë nga të dyja palët. Shqiptarët janë punëtorë të zotë dhe njerëz të ndershëm, që tashmë prej vitesh janë integruar plotësisht si qytetarë të Europës. Në forcimin e kësaj miqësie, nuk mund të rrimë pa përmendur rolin e artistit të madh Al Bano Karrisi, i cili e ndjen veten po aq shqiptar sa edhe ne. Në veprimtarinë e organizuar në Celino, sollëm edhe njëherë ndërmend miqësinë dhe kontributin e Karkelo Karrisit, babit të këngëtarit, që në vend të luftës, mbolli dashurinë me shqiptarët dhe, më pas në kohë, të Al Banos, që është i pari këngëtar perëndimor që në shtator të vitit 1989 përcolli mesazhin e lirisë dhe të demokracisë me këngën “Liberta”. Që nga ajo ditë, ai do të bëhej pjesë e veprimtarive të shumta të organizuara në Shqipëri edhe nëpërmjet shoqatës që ka emrin e tij. Për hir të së vërtetës, dua të them se gjatë viteve që kam qenë në Presidencë, kam pasur rastin të takohem disa herë, të jem pjesë e aktiviteteve që janë bërë për të dhe tashmë ai është jo vetëm mik i shqiptarëve, por edhe miku im personal.

    – Ju jeni në ditët e fundit të mandatit tuaj si President. Ndoshta dikush tjetër do ta konsideronte këtë vizitë si çlodhje. Çfarë ju shtyu të ndaleshit gjatë tek problemet dhe bashkëpunimi me autoritetet e Pulias?

    – Është e pamundur, qoftë edhe në këtë vizitë, që mund të konsiderohet rajonale, të heshtësh përpara shqetësimeve, bashkëpunimit dypalësh për të arritur më të mirën e mundshme për bashkatdhetarët tanë, për të mësuar se si iu venë punët, nëse mësojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla, nëse fëmijët që kanë lindur këndej po mësojnë gjuhën shqipe. Pra, thënë ndryshe, ky është një kujdes, i cili duhet të jetë i vazhdueshëm, duhet krijuar mundësia jo vetëm për të biseduar për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Itali, por për të marrë edhe vlerësimet për ta. Kjo vlen për çdo lloj institucioni dhe gjykoj se kjo marrëdhënie i shërben më së miri promovimit të vlerave të shqiptarëve dhe, nga ana tjetër, tregon se shteti kujdeset për ta, sido që janë nën kujdesin e autoriteteve italiane. Kështu e gjykoj unë dhe kështu kam vepruar e do të veproj sa herë të më jepet rasti për të kontaktuar autoritetet e çdo vendi, ku jetojnë dhe jetojnë bashkatdhetarët tanë.

    – Ju u vlerësuat me Medaljen e Mirënjohjes nga Bashkia e Celino San Marko. Si u ndjetë me këtë vlerësim?

    – Njeriu kur merr një vlerësim e pret me gëzim, por edhe me modesti. Unë për vete preferoj dhe vlerësoj më shumë vlerësimet që më japin njerëzit e thjeshtë. Gjykoj se ai vlerësim nuk vjen nga firma e Kryetarit të Bashkisë, por i njerëzve të thjeshtë që e kanë zgjedhur atë. Këtë e faktova nga komunikimet që pata me ata, nga takimet e përzemërta kur përshkuam Celinon. Ndjeva emocion që ata më buzëqeshnin, më duartrokisnin, më shtrëngonin duart. Kjo më emocionon dhe i vlerësoj si miq të vërtetë të shqiptarëve.

    – Ndoshta emocionet u shtuan edhe për shkak se është vizita e fundit që bëni jashtë vendit si President i Republikës, apo jo?

    – Po, kjo është vizita e fundit si President i Republikës, pasi javën tjetër unë dorëzoj mandatin presidencial, dorëzoj detyrën, por ama, nuk mbaron gjithçka këtu. Kufijtë janë të hapur, ne jemi njerëz të lirë dhe do të ushtrojmë të gjithë eksperiencën, influencën, me miqtë kudo që ndodhen për të vazhduar, për promovimin e të gjithë atyre traditave, që ka Shqipëria, pasi misioni, asnjëherë nuk lidhet me një detyrë funksionale. Misioni është qytetar dhe përderisa është qytetar, kudo që të ketë qytetarë, kudo që ke mundësi se çfarë të përçosh tek qytetarët, nuk duhet të hezitosh ta bësh këtë mision.

    – Zoti Topi, të ndalemi tek problemet tona, ose sikurse thotë shprehja popullore “Tek dhëmb dhëmbi, vete gjuha”. Do të mundeni Ju, që të dilni sadopak nga vetja për të shuar flakët e zjarrit të politikës në Shqipëri?

    – Në këtë qetësi shpirtërore që fituam në këtë vizitë kaq miqësore dhe me emocione, do të dëshiroja që të mos flisnim për këtë çështje në këtë intervistë që po bëjmë bashkë. Kudo politika sjell debate të ashpra, por mendoj se politika shqiptare ka ardhur koha të maturohet. Përfaqësues të saj të veçantë, do të thoja, do të kenë më shumë nevojë, të marrin mësimet më të mira nga demokracia funksionale, bashkëkohore, që ka të bëjë me mënyrën e komunikimit, të sjelljes, pasi këto çështje i shërbejnë maturimit të demokracisë, por edhe të vetë atyre që janë bërë interpretues të një roli që nuk i ka detyruar askush. Të merresh me politikë, është në vullnetin e personit, por ta interpretosh atë është mision, është edukatë qytetare, është art, profesion. Në këtë kontekst gjykoj se është mirë kur aktorët e përmirësojnë profesionalizimin e tyre, qoftë në skenë, qoftë edhe jashtë saj.

    – Si do ta nisë jetën Prof. Bamir Topi në ditët e para “postpresident”?

    – Sigurisht, njeriu ka nevojë për një pushim të shkurtër, sepse kjo detyra ka qenë e mbushur me impenjime. Është fakt që edhe në mesin e pushimeve verore, unë kam zhvilluar edhe vizita të tjera, ndaj e ndiej si shumë të rëndësishëm dhe domosdoshmëri pushimin. Kam nevojë edhe për reflektim dhe do të jetë fillimi i shtatorit, ku do të deklaroj zyrtarisht se me çfarë do të angazhohem.

    – Zoti Topi, ju njiheni dhe jeni në fakt, një njeri me kulturë, me një komunikim ndryshe nga politikanët e tjerë, a do të mund të fitoni betejën përballë tyre?

    – Gjithçka do ta them kur të vendos se çfarë do të bëj, por gjithsesi, çështja nuk është tek mospërputhja, sipas asaj që ju shpreheni, tek mungesa e kulturës. Unë mendoj se kultura dhe karakteri shkojnë në sinkron të plotë, çka do të thotë se, nëse dikush demonstron se ka kulturë, padyshim do të ketë edhe karakter. Gjykoj se beteja politike, nuk mund të fitohet në planin agresiv, sikurse mendon dhe vepron ndonjë politikan. Sot ka fituar terren politika e argumentit, nuk është puna se sa ngjit mesazhi tek ata që duan të marrin mesazhin tënd. Vetëm argumenti do të bëjë të mundur që suksesi, nëse unë do të marr pjesë në aktivitete politike, do të jetë argumenti ai që do të sjellë suksesin.

    – Përse ende nuk e deklaroni që do të drejtoni një parti të re, që tashmë ka krijuar degët në qytetet kryesore, ndërsa flasin hapur ata që janë bërë pjesë e saj?

    – Sepse është koha e konsultimit me njerëzit që gjykojnë njësoj, me miqtë e dashamirësit, që kanë se çfarë të thonë në këtë konsultim, për të vendosur për perspektivën e pjesëmarrjes në këtë formacion politik.

    – Cili do të ishte një mesazh i Juaji, i përmbledhur natyrisht, nga ky oaz qetësie mbushur me emocione, teksa Al Bano këndon në sfond?

    – Ajo që dua të them me gojën plot, është se politika mbetet një borxhlie e madhe përpara halleve dhe problemeve që kanë qytetarët. Këtu kam parasysh ata që tentojnë ta kenë profesion politikën. Gjykoj se ka shumë shmangie nga gjërat reale, që kanë të bëjnë me problemet e këtij populli, ka shumë retorikë, shumë llafe, shumë shpenzim kohe me agresivitetet, me fyerje, që nuk kanë brumë. Politika, si institucion është nga më të rëndësishmit, për të treguar perspektivën e zhvillimit të vendit, që politika e pushteti të shkojnë bashkërisht në të njëjtat shina, për të ndërtuar shtetin e fortë ligjor, një shoqëri të zhvilluar, të një mjedisi të qetë shoqëror, në mënyrë që njerëzit të mos e ndjejnë politikën si një stres, por si një pjesë të domosdoshme që do të ndihmojë ata, që të kapërcejë hallet e jetës, sa më lehtë.

    – Edhe një pyetje e fundit për Ju Zoti Topi. Besoni se pasardhësi Juaj, Bujar Nishani, do të jetë me të vërtetë Presidenti i të gjithë shqiptarëve, apo do të jetë “noter” i partisë që e vendosi?

    – Unë besoj se z. Nishani do ta përmbushë këtë detyrë me përgjegjësi shumë të madhe përpara popullit, me dinjitet.

    – Ju faleminderit, Zoti President!

    Mbërrin në port me 10 orë vonesë, trageti ku udhëtonte Presidenti Topi

    Ka mbërritur pas mëse 18 orësh qëndrim në det trageti i linjës Bari-Durrës me të cilin udhëtonte edhe presidenti Bamir Topi. Vonesa ka ardhur si pasojë e një avarie që ka pësuar trageti ‘Adriatik 1’ i cili lundronte nga Italia drejt Durrësit, që në fakt duhet të ishte ankoruar në orën 10 të paradites në port. ‘Adriatika 1’ ka mbërritur rreth orës 20:00 të mbrëmjes në portin e Durrësit, falë ndihmës së 2 rimorkiatorëve, të cilat e tërhoqën deri në destinacion, ndërkohë që mësohet se trageti me defekt ka shfaqur probleme edhe gjatë ankorimit, ku është kërkuar ndihma e dy trageteve të tjerë për ta afruar me kalatat.

    Mësohet se trageti kishte pësuar avari në tubat e filtrit. Kapiteti i portit Hysni Aruçi sqaroi më herët se trageti ka udhëtuar me shpejtësi të kufizuar, 4 milje në orë, duke shtuar se shkak për defektin është bërë përdorimi i karburantit jo cilësor.