Këshilli i Profesorëve dhe Këshilli i Fakultetit Histori-Filologji, letër Berishës për konviktin

622
Sigal

Republika e Shqipërisë

Universiteti i Tiranës

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë

Zoti Kryeministër,

Këshilli i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë i Universitetit të Tiranës, i mbledhur në datën 17.07.2007, për të diskutuar rreth çështjes të ndërtesës së konviktit Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja, vendosi t’u drejtohet me këtë kërkesë: Godina ekzistuese e konviktit të Gjuhëve të Huaja është pjesë e fondit të institucioneve arsimore publike. Gjykojmë se ndajmë me Ju të njëjtin opinion bazë se tjetërsimi i aseteve infrastrukturore të arsimit publik dhe kalimi i tyre në zotërim ose përdorim të operatorëve privatë do të ishte një precedent i dëmshëm, i pakuptueshëm dhe i padrejtë në planin ekonomik, etik, dhe juridik. Kjo godinë është ngjitur me atë të fakulteteve të Gjuhëve të Huaja dhe të Histori-Filologjisë dhe, bashkë me ndërtesën e këtyre fakulteteve, krijon një ansambël infrastrukturor të pandashëm për aktivitetin akademik të këtyre dy fakulteteve me rëndësi të veçantë në fushën e shkencave albanologjike. Ndërfutja e një operatori universitar privat në këtë hapësirë urbane nuk do të ishte në përputhje me dinamikat koherente të zhvillimit të saj. Fakultetet tona kanë mbi 8 mijë studentë për të tria ciklet e shkollimit, duke pasur hapësirë për student jo më shumë se 0,50 metër katror. Mësimi zhvillohet me turne dhe pa mjedise zyrash pune për pedagogët, bibliotekat dhe laboratorët përkatëse. I bëjmë me dije me shqetësim qytetar se procedurat e deritanishme nga institucionet publike në synim të këtij tenderimi nuk kanë qenë aspak transparente dhe na kanë përjashtuar krejtësisht nga e drejta e informimit dhe e konkurrimit. Për arsyet e mësipërme kërkojmë prej jush zoti Kryeministër që të ndërhyni personalisht për zbatimin e politikave publike të drejta dhe transparente për zhvillimin e arsimit të lartë dhe të hapësirave urbane të destinuara për qëllime akademike, duke mirëkuptuar shqetësimin tonë si profesorë, të instancave drejtuese që na përfaqësojnë si edhe atë të mijëra studentëve që ne formojmë dhe edukojmë si specialistë të ardhshëm dhe qytetarë aktivë.