Porti i ri i peshkimit dhe 10 milionë eurot e Bankës Islamike

    373
    Sigal

    Durrësi ka mbi 82 anije peshkimi dhe sipërfaqja, ku ato ankorohen, është vetëm për 22 të tilla

    Prej disa ditësh pjesëtarët e flotiljes së peshkimit në Durrës, i janë kthyer problemit të diskutuar para 2 vitesh, për portin e ri të peshkimit. Diskutimet e shumta, debatet mediatike dhe institucionale, lidhur me vendin, ku po ndërtohet porti i ri i peshkimit, punimet e të cilit nisën në janarin e vitit 2013, kur ministria e asokohe e Bujqësisë përmes Bankës Islamike mori 10 milionë euro, si kësti i parë. Realisht punimet kanë nisur pikërisht në vendin e quajtur “dallgëthyesi”, apo pjesa e portit pas kullave “binjake”, por ajo që ngrihet si diskutim nga peshkatarët dhe ambientalistët mbetet cilësia e punimeve dhe ndotja e bregdetit. Përgjatë vitit 2012 deri në janar 2013, debate dhe diskutime u bënë edhe mes qytetarëve durrsakë dhe peshkatarëve, zyrtarëve të Ministrisë Bujqësisë, ambientalistëve dhe drejtuesve të pushtetit vendor. Duket se u ra dakord për parametrat teknikë dhe mjedisorë në pjesën veriore të portit, (duke anuluar tre variante të tjera) duke synuar, që porti të gjendej pranë tregut dhe qytetarëve. E ndërsa punimet vazhdojnë janë qytetarët durrsakë që sërish po interesohen mbi respektimin e kondicioneve teknike për të eliminuar ndotjen, që sjell një port peshkimi aq pranë zonave të banuara. Durrësi prej vitesh e ka ndjerë nevojën urgjente të një porti të ri për peshkim, i cili duhet të jetë larg territorit të portit detar dhe qendrave të banuara ashtu sikundër është sot. Porti aktual, apo kalata e vetme e peshkimit, nuk mund të kryejë funksionin e portit, kur dihet se vetëm Durrësi ka mbi 82 anije peshkimi dhe sipërfaqja ku ato momentalisht ankorohen, është vetëm për 22 të tilla. Në këto kushte, duke njohur edhe situatën dhe nevojën urgjente, qeveria shqiptare dhe Banka Islamike, kanë marrë përsipër financimin e ndërtimit të portit të peshkimit me një investim me vlerë mbi 10 milion euro. Banka Botërore në studimin e fizibilitetit të portit detar, i cili u realizua 10 vjet të shkuara parashikoi zhvendosjen e peshkimit jashtë territorit të portit në mënyrë që t’i krijonte mundësi zgjerimit të terminalit të trageteve. Për këtë qëllim u hartua projekti për ndërtimin e portit të ri të peshkimit. Aktorët vendosën që porti i peshkimit të ndërtohej jashtë dallgëthyesit, diku pranë Kapitenerisë së Portit. Në projekt, gjithashtu, u parashikua, që rruga lidhëse e peshkimit me qytetin e Durrësit të kalonte brenda territorit të portit. Por, zhvillimet e sotme e kanë hedhur poshtë variantin e lidhjes së peshkimit me anë të rrugës së brendshme të portit dhe ka dalë si domosdoshmëri ndërtimi i një rruge lidhëse jashtë portit. Për këtë qëllim projektit i nevojitet edhe një sipërfaqe tjetër territoriale e cila nuk ekziston në projektin e parë. Sipas projektit ekzistues rezulton, se peshkimi është i detyruar ti dorëzojë portit një sipërfaqe prej 1, 3 ha në të cilën është vendosur sot. Sipas specialistëve një port i ri peshkimi, do të ishte i domosdoshëm jashtë qendrave të banuara dhe më konkretisht në Kallm, Spitallë, apo Porto-Romano. Dihet që radha e jashtme dhe pjesa ngjitur me dallgëthyesin, janë territore të portit detar. Për ndërtimin e rrugës së re, peshkimit i nevojitet një sipërfaqe tjetër toke prej 1, 4 ha si dhe i duhen 7 milion euro shtesë për të mundësuar realizimin e të gjithë projektit i cili kushton 17 milion euro. Ministria e Mjedisit prej janarit të vitit 2009, ka marrë dijeni në rrugë zyrtare për këtë problem që ka lindur në zbatimin e këtij projekti. Gjithashtu ende nuk është menduar, se cili do të jetë burimi për financimin shtesë që nevojitet për këtë projekt.

     Flasin specialitëve

    Në flotën e peshkimit në Durrës bëjnë pjesë rreth 100 anije, por vetëm 82 prej tyre janë në gjendje pune. Ky sektor ka nevojë për motorristë, riparues rrjetas dhe teknikë gjuetie. Sipas specialistëve, “nga studimi që është në kryer në bashkëpunim me shoqatën e menaxhimit të peshkimit, ky sektor ka nevojë për 150 peshkatarë të kualifikuar për çdo vit”. Këto mungesa janë kompensuar duke marrë punonjës nga sektorë të tjerë, të cilët nuk e njohin mirë detin. Vetëm arsimi profesional, që do të kalojë në vartësi të pushtetit vendor sikurse ngjet në të gjithë vendet e zhvilluara europiane, do të zgjidhte problemin e arsimimit në sektorin e peshkimit, kjo sepse do të ketë më tepër fonde me të cilat do të mund të blihen apo merren me qira mjetet e nevojshme didaktike, pra do të jetë i interesuar vetë biznesi i peshkimit.