Pas sensibilizimit në këtë gazetë, rifilluan punimet për hapjen e rrugës

    456
    Sigal

    Banorët e fshatit Shqefën në Mat falenderojnë gazetën “Telegraf”!

    Thënia se “Media është pushteti i katër”, tashmë është një realitet i pamohueshëm nga askush. Kontributi i medias vizive dhe ajo e shkruar për sensibilizimin e problemeve dhe shqetësimeve të ndryshme, këto vitet e fundit, ka qenë mjaft i vyer. Pas çdo sensibilizimi në media të ndryshme, reagimi i institucioneve përkatëse shtetërore apo private, ka qenë, pothuajse, në shumicën e rasteve, i menjëhershëm. Kështu ndodhi edhe me shqetësimin e banorëve të fshatit Shqefën të komunës së Macukullit në rrethin e Matit. Me datën 2 Dhjetor 2014, me autor Shefqet Metuku, në gazetën “Telegraf”, është botuar shkrimi për ndërprerjen e punimeve të rrugës së fshatit Shqefën, ku dhe akuzohej Kryetari i Komunës për shpërdorimin e fondit të kësaj rruge. Botimi i këtij shkrimi në këtë gazetë, vuri në lëvizje të gjitha strukturat shtetërore lokale si komunën Macukull, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, si dhe Komisariatin e Policisë të këtij rrethi. Reagimi i këtyre strukturave ka qenë i menjëhershëm, ku dhe u morën masat përkatëse për rifillimin e punimeve të rrugës së Shqefënit, e cila ishte ndërprerë prej më shumë se një viti. Lidhur me shkrimin e para disa ditëve të botuar në këtë gazetë, Kryetari i Komunës Macukull, z. Skënder Gjuci na tha se ndërprerja e punimeve të rrugës së Shqefënit, nuk ka aspak lidhje dhe as që bëhet fjalë për shpërdorim fondesh, por ka patur disa probleme teknike të projektit të rrugës si dhe pengesat e disa banorëve për të mos lejuar që rruga të kalonte nëpër tokat e tyre. Edhe në bisedë me disa nga banorët e këtij fshati, thonë se është e vërtetë që me datën 07.08.2013, kryetarit të komunës z. Skënder Gjuci, i është dërguar një peticion nga 36 banorë të fshatit Shqefën, ku i është kërkuar rifillimi i punimeve të rrugës, që arsyet e ndërprerjes së saj, ende nuk ishin mësuar dhe ndërkaq në asnjë rresht apo fjalë të peticionit nuk thuhet dhe as lexohet për shpërdorim të fondeve nga ana e kryetarit të kësaj komune. Sipas burimeve të mirinformuara, rezulton se kryetari i komunës së Macukullit z. Skënder Gjuci nuk është implikuar aspak për akuzën e vjedhjes, apo shpërdorimit të fondit të rrugës së fshatit Shqefën të kësaj Komune. Gjithashtu, është e vërtetë se në gazetën “Telegraf” është botuar një shkrim për problemin e sipërpërmendur dhe që ka një autor të vetëm (Shefqet Metuku), ndërsa emrat që ndodhen vertikalisht përbri shkrimit të botuar, nuk janë autorët e shkrimit, por janë 36 emrat e nënshkruar të peticionit, ku për këtë lapsus, iu kërkohet ndjesë këtyre banorëve, pasi është bërë një gabim teknik gjatë faqosjes së gazetës. Rifillimi i punimeve në këtë segment rrugor ka disa ditë që ka filluar dhe tashmë është drejt përfundimit. Kryetari i komunës z. Skënder Gjuci thotë se punimet në këtë rrugë, jo vetëm që po ecën me ritme të shpejta, por nga firma ndërtuese po tregohet kujdes edhe për cilësinë e punimeve. Halil Lleshi dhe Sokol Rami, që janë dhe drejtuesit e punimeve, kanë ndjekur në vazhdimësi dhe me kujdes të gjitha proceset e punës për ndërtimin e kësaj rruge. Paralelisht me hapjen e rrugës po punohet edhe me vendosjen e turbinave, sistemimin e dherave si dhe hapjen e kanalit kullues përgjatë gjithë segmentit të hapur deri më tani. Duhet theksuar se në fillimin e punimeve të rrugës, nga ndonjë banorë i fshatit, ka patur tentativa për të penguar punimet nga firma ndërtuese, gjoja për pretendime pronësie. Por kësaj situate, sapo kanë marrë njoftimin, Punonjësit e Komisariatit të Policisë së Matit, kanë mbërritur në vendndodhje dhe më pas gjithçka ka vazhduar normalisht. Sipas informacioneve të posedueshme, edhe Prokuroria e rrethit Mat ka ofruar gatishmërinë e saj në këtë drejtim. Edhe kryeplaku i fshatit z. Ramazan Hoxha, anëtari i këshillit të Komunës z. Shpëtim Suçi si dhe ish-punonjësi i gjendjes civile të komunës z. Qemal Mëcuku, kanë kontribuar në mbarëvajtjen e punimeve të rrugës, si dhe kanë treguar gatishmërinë e tyre për parandalimin e ndonjë konflikti të mundshëm që mund të bëhej pengesë për hapjen e rrugës. Në bisedë me disa banorë të fshatit shprehen mjaft të kënaqur për rifillimin e punimeve të rrugës si dhe falënderojnë kryetarin e komunës z. Skënder Gjuci si dhe për cilësinë dhe ritmin e punimeve nga ana e firmës sipërmarrëse. Gjithashtu, banorët shprehin besimin se firma ndërtuese do të bëj të mundur përfundimin e punimeve të rrugës jo vetëm në kohën e duhur, por edhe me të gjitha parametrat që kërkon ndërtimi i një rruge. Sipas burimeve konfidenciale, pas miratimit të projektit nga Këshilli i Komunës, nga disa banorë të fshatit Shqefën, pati edhe nga ata zëra që keqinterpretonin këtë projekt duke thënë se kjo është një rrugë lagjeje dhe jo rrugë fshati. Por e vërteta është krejt ndryshe. Kjo rrugë, faktikisht kalon përmes lagjes “Frangaj” dhe që në fazën e dytë do të shtrihet në drejtim të lagjes “Guri i Zi”, e, për më tej, në drejtim të qendrës së fshatit Shëlli. Duhet nënvizuar fakti se ky segment rrugor prej 1.5 km është vetëm faza e parë e projektit që do t`i paraprijë një faze tjetër të dytë të një segmenti rrugor prej më shumë se 2 km, që do të bëjë të mundur lidhjen mes 2 fshatrave, respektivisht Shqefën -Shëlli, duke realizuar kështu edhe lidhjen mes të gjithë fshatrave të komunës dhe me qendrën e rrethit. Realizimi i projektit i fazës së dytë që përkon me segmentin rrugor lagjja “Frangaj”-“Guri i Zi” – “Shëlli”, pa dyshim do të kërkoj edhe fonde disi të konsiderueshme, kjo i përket një të ardhmeje të afërt.

    Nga Ferit Metuku