Paratë që jepen për romët përpihen nga shoqata fantazmë

    454
    Në qytetin e Bilishtit konstatova një fakt. Gjatë rrugëve nëpër qytetin e Bilishtit nuk të drejtohej asnjë fëmijë rom për të lypur. I them një mikut tim nga Bilishti dhe ai ma konfirmoj këtë fakt, këtu nuk ka lypsa. Bilishti një qytet me mbi dhjetë mijë banorë në skajin juglindor të vendit, jetojnë rreth 150 familje rome dhe askush prej tyre nuk del në rrugë për të lypur. Janë romë Devolli, që ashtu si banorët e kësaj krahine i falen vetëm punës. Sepse puna për ta nuk është vetëm pavarësi ekonomike, por në një farë mënyre është edhe çelësi i krenarisë së tyre. Janë të vendosur këtu prej kohësh, si një komunitet i përhershëm dhe në përgjithësi nuk dallojnë nga pjesa tjetër e shoqërisë sa i përket strehimit dhe veprimtarisë ekonomike, gjë që dëshmon edhe për kujdesin e vazhdueshëm të saj, por edhe të pushtetit lokal. Po ky, siç thonë devollinjtë, “nuk është diell që ti ngrohë të tërë”, se edhe fondet aq janë, e kush të marrë më parë, por ata që kanë më shumë fëmijë, se sa halle… Megjithatë edhe pse kriza i ka mbyllur punët, të rriturit nuk e humbasin shpresën; gratë do të dalin përsëri fshatrave si shitëse ambulante e për të mbledhur bimë medicinale, kurse burrat disa shfrytëzojnë mundësinë e lëvizjes me vizat Shengen e shtegtojnë për punë sezonale, në zonat kufitare me Greqinë, kurse të tjerë kanë bizneset e tyre në qytet e me zotësinë e talentin në tregti, janë konkurrentë veçanërisht për tregtimin e artikujve të veshmbathjeve, fruta perimeve, enëve të kuzhinës, kinkalerive etj. Puna që ata bëjnë, nuk u jep vetëm mundësi për të jetuar, por mbi të gjitha u jep pavarësi. Sepse për romët më shumë se e shkuara dhe e ardhmja ka rëndësi e tashmja që duhet jetuar. Mbase për këtë kemi edhe më pak stres, Arben Kosturi, i cili është edhe kryetar i shoqatës së romëve “Isudni Albania” në Korçë, na thotë se është fakt që në Devoll nuk gjen rom që të lypi: Janë muzikantë, dixhej e kameramanë që punojnë nëpër dasma, punojnë si bojaxhinj, samarxhinj, merren me rritjen dhe tregtinë e kuajve, thurin kanistra etj “Në jetën e Romëve na thotë kryetari i tyre për qarkun e Korçës Arben Kosturi, gjithçka sillet rrotull familjes. Ajo është njësia bazë e strukturës sociale që përbën grupet e familjes; është njësia ekonomike në të cilën bëhet puna dhe gjendet solidariteti që lidhet me punën; është njësia edukative që siguron faktin se shoqëria riprodhon veten dhe kështu jep siguri e mbrojtje për individët.”. Ai sjell një shembull konkret Nevruz Nuren, ose Lulushin si i thoshin, një nga talentet më të mëdha të karinës, që kishte parë në Festivalet Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës Shqipëria, të cilit për ta vlerësuar i dhanë apartament të ri për të jetuar, në bllokun e pallateve në qendër të qytetit në Korçë. Lulushi u mendua një javë me çelësat në xhep dhe e ndërroi hyrjen me dikë tjetër. Nuk mund të largohem, nga pleqtë nga lagja ime, tha. Dhe aty rrojti deri sa vdiq para kohe, si Demkë Hajroja mjeshtri i serenatave korçare, Sherif Cobani, Fuat Sula, apo sazexhinjtë e tjerë të famshëm të Korçës, që regjisori i shquar Viktor Gjika i përjetësoi bashkë me Korçën, në filmin e tij epokal “Gjeneral Gramafoni”. Romët jetojnë, punojnë e vuajnë sëbashku. Madje fëmijët punojnë pranë prindërve të tyre dhe edukohen jo vetëm me ndjenjën e punës, por bëhen më të përgjegjshëm për veten e të tjerët. E kundërta ndodh në Korçë dhe në Pogradec apo qytete të tjera ku të mbytin lypsarët romë Më mirë të mbledhë kanoçe mes pisllëkut, thonë prindërit e romëve në Bilisht, se sa të bëjë ato punë që askush nuk ja u ka parë hajrin. Dhe adoleshenti ose adoleshentja që na shtrin shpesh dorën në bulevard, është një përgjegjësi reale për familjen e vet. Familja për romët është simbol i qëndrueshmërisë. Në Korçë ka rreth 500 fëmijë romë të moshës nga tre deri 15 vjeç, ku ka një numër të madh romësh që lypin. Po të paktë janë ata që vazhdojnë studimet e larta edhe pse rajoni sot ka dy universitete dhe tarifa studentore për ta nuk ekziston. Vetëm gjashtë student kemi në auditor, thotë rektori i Universitetit “Fan Noli ”. Përballë kohëve moderne, ky është një realitet që të dëshpëron. Nuk mund të vihet gishti për ç’do gjë te varfëria. Tërheqje nga arsimimi i plotë, do të thotë, më pak shanse nesër në jetë, në krahasim me bashkëmoshatarët e tjerë. Por me romet abuzohet disa fondacione në ndihmë të tyre që me fondet e dhëna nga Komiteti Europian për romët, blenë makina luksoze me abuzime, blenë shtëpi nëpër vende turistike. Kontrolli i Lartë i shtetit dhe donatorët, duhet ti kontrollojnë fondet që ata japin se ku shkojnë dhe si shpërdorohen dhe personat përgjegjës të penalizohen sepse ka abuzime të tmerrshme. Ka ardhur koha që fondacionet e ndihmës për fëmijët romëve duhet ti drejtojnë romët që kanë mbaruar universitete dhe mastera, vetëm atyre mund tu dhimbsen këto fonde dhe mos i abuzojnë ashtu siç abuzojnë disa drejtues fondacionesh me lekët e tyre, që jep Këshilli Europës për romët.
    Bardhyl Berberi
    Sigal