Parandalohet një krim i mundshëm në Vlorë

    72
    Policia e Vlorës ka ndërhyrë në kohë dhe ka arritur të parandalojë një krim, që mund të kishte pasoja të rënda. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, gjithçka ka nisur në bulevardin Vlorë-Skelë, në afërsi të kompleksit të pallateve “Aleksandria”, ku uniformat blu kanë konstatuar një grup personash që janë përfshirë në një konflikt të shoqëruar me përplasje fizike. Menjëherë ndërhynë shërbimet e policisë duke neutralizuar personat e mësipërm, të cilët u shoqëruan në komisariat. Nga hetimet paraprake rezultoi se, një prej personave të mësipërm, 23 vjeçari E.Bitaj, kishte kërcënuar me armë zjarri pistoletë dhe madje duke goditur me qytën e saj dhe duke dëmtuar në kokë njerin prej dy vëllezërve K.H 26 vjeç dhe I.H 24 vjeç. Nga kjo përplasje, që mbeti e lokalizuar pas ndërhyrjes së policisë, u lëndua edhe Bitaj, i cili rezulton të jetë goditur me një mjet të fortë nga vëllezërit. Të dy të lënduarit u përcollën në spitalin rajonal të Vlorës, ku po trajtohen me asistencë mjekësore, por jashtë rrezikut për jetën.
    Pavarësisht kësaj dhe pas veprimeve proceduriale, policia arrestoi 23 vjeçarin Bitaj, i cili akuzohet për veprën penale të kanosjes dhe armë mbajtjes pa leje, ndërkohë që nisi çështjen penale në gjendje të lirë edhe për dy vëllezërit e përfshirë në konfliktin me të, që akuzohen për veprën penale të plagosjes me dashje. Ndërkohë, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë “TT”, një krehër të mbushur me 7-fishekë (të cilat i përkasin shtetasit E. Bitaj), si dhe një automjet tip “Audi”, me targë: AA990LU, pronë e një prej dy vëllezërve.