“Paralizohet” pavijoni i Hematologjisë në Spitalin “Nënë Tereza”

    494
    Edhe pse Ministri i Shëndetësisë premtoi se, gjendja në Spitalin “Nënë Tereza” do ndryshonte, sa i përket ofrimit të medikamenteve dhe përmirësimit të cilësisë së kushteve dhe shërbimit do ndryshonin, përsëri asgjë nuk është bërë deri tani, për ofrimin e shërbimit ndaj pacientit, ashtu siç është premtuar nga vetë ministri. Gjendja mjaft e rëndë paraqitet në pavijonin e Hematologjisë, ku ankesat nga ana e pacientëve nuk kanë fund. I tillë është rasti i një gruaje të moshuar, e cila është detyruar të vijë në Tiranë të marrë shërbimin nga Vlora, për shkak se Vlora nuk e ofron këtë mundësi. Të afërmit e të moshuarës tregojnë se, “me fillimin e terapisë, filluan dhe vuajtjet, jo vetëm për të sëmurën, por edhe për ne, -tregon nipi i të moshuarës, e cila vuante nga një sëmundje e rëndë. Problematika në këtë pavijon fillonte që me shërbimin. Infermieret nuk të gjendeshin për shërbim, edhe nëse i kërkoje, duhet t’i thërrisje tre apo katër herë. Duhet të kërkoje në të gjitha dhomat e spitalit për të gjetur një infermiere, e cila mund të të ofronte shërbimin. Në momentin që infermierja pas shumë kërkesash nga ana jonë, vendoste serumin të sëmurës, serum i blerë nga vetë ne, pasi lajmërimi për blerjen e të gjitha këtyre shërbimeve na u bë që në hyrje të spitalit. As çarçafë të pastër nuk mund të siguronte ky pavijon. 

    Tek dhoma ku ne shtruam të sëmurën, çarçafët ishin pis, dhe ne u detyruam të blinim të rinj, sepse në ato kushte vetëm një i sëmurë që nuk mund të rrijë. Të gjitha medikamentet që u përdorën, u blenë nga ne, spitali nuk siguroi, as edhe një shiringë boshe. Nuk mjaftonte kjo, por duhej dhe udhëzimi i infermierëve apo mjekëve, se ku mund të gjenim ilaçe më të mira, nuk diskutohej, bëhej fjalë për farmaci private. Edhe një ilaç mjaft i shtrenjtë, që kushtonte 1500 euro, e blemë përsëri ne, edhe pse me detyrë duhet të jepej nga spitali, – shprehet nipi i të moshuarës, e cila ishte shtruar në këtë pavijon për fillimin e një terapie, për shkak të gjendje së rëndë shëndetësore. Ajo që pohohet me plot gojën nga pacientët është se, shërbimi i ofruar në mënyrë teorike këtë pavijon, është shumë ndryshe nga realiteti…. Si rasti i kësaj të moshuare, e cila detyrohet të plotësojë të gjitha kushtet vetë, ka me dhjetëra në këtë pavijon. Kjo është gjendja pas shumë premtimesh të bëra nga ana e Ministrit Beqja, për rregullimin e të gjitha problemeve dhe halleve me të cilat përballen pacientët që paraqiten në këtë pavijon për marrjen e shërbimit mjekësor.
    Sigal