Nuk janë paguar prej 6 muajsh 1400 naftëtarë të ARMO-s, sot në protestë

    438
    Sigal

    Flasin drejtuesit e sindikatave Iljaz Kamberi dhe Bujar Kabashi: Ministria e Energjetikës na mashtroi. Nëse e drejta na mohohet, do hyjmë në grevë urie!

    Na ktheni në punë, na jepni pagat, ose do të përshkallëzojmë protestën deri në grevë urie. Kështu janë shprehur përfaqësues të protestës së rafinerisë së naftës në Fier dhe Ballësh, në kërkesat e tyre për titullarët e kompanisë ARMO dhe pushtetarëve shqiptarë. Sindikatat e naftëtarëve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, në Ballsh dhe Fier, ka paralajmëruar sot mbajtjen e një greve njëorëshe, lidhur me mosmarrëveshjet e krijuar prej kohësh mes tyre dhe administratorëve të ARMO-s.  Këtë e kanë konfirmuar për gazetën “Telegraf” drejtuesit e protestës. “Janë një sërë problemesh të mbartura dhe të reja, të cilat pavarësisht përpjekjeve të administratorit për t’i ezauruar, nuk po zgjidhen. Kjo na detyron që ne të ashpërsojmë qëndrimin sindikalist, deri në një grevë paralajmëruese 1- orëshe”,- tha Kryetari i Lëvizjes Sindikaliste të Përpunimit të Naftës, në Ballsh, Kamber Iliazi. Disa nga kërkesat që naftëtarët kanë ndaj kompanisë së naftës, janë ato për dhënien e pagave të prapambetura, respektimi i kontratës kolektive, kthimi në funksion i repartit të shkumës dhe zjarrfikëses, vendosjen e një page fikse, duke filluar nga data 23 të muajt pasardhës, si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve të tjera, ku së fundmi shënohet ajo e mbajtjes së 70 % të rrogës së muajt mars. Ende nuk kanë kaluar një muaj që nga koha kur naftëtarët e rafinerisë së përpunimit të naftës në Fier dhe Ballsh, mbajtën protestën e fundit, para kompanisë ARMO, pasi prej 3 muajsh e gjysmë, për punëtorët e Fierit, 6 muaj për ata të Vlorës, si dhe 2 muaj për ata të Ballshit, nuk kanë marrë pagat e prapambetura që nga viti 2013. Për rreth një orë ata bllokuan hyrjen kryesore të rafinerisë, duke mos lejuar hyrjen dhe daljen e autoboteve të naftës. Punëtorët shprehen se, drejtuesit e rafinerisë do të mbyllë përkohësisht uzinën, çka do të sjellë edhe falimentimin e saj dhe largimin e punonjësve nga puna. Ndërkohë, mësohet se, rafineria e Ballshit është në gjendje remonti dhe është bllokuar funksioni i saj, ndërsa ajo e Fierit punon me kapacitet të plotë. Pas kësaj proteste paralajmërohet, kalimi në grevë urie në ratë të mos marrjes së masave. Ndërkohë, pritet që kësaj protestë t’i bashkohen dhe punëtorët e pushuar nga puna të Fierit, si dhe familjarët e tyre, duke e çuar numrin e protestuesve në më shumë se 1400. “Në rafinerinë e Ballshit është dhënë 30% e muajt mars dhe janë mbajtur 70 % nga paga. Nuk na japin as një shpjegim, thonë që nuk kemi gjendje financiare për të paguar. Kemi patur takime dhe negociata me drejtuesit e kompanisë, me përfaqësuesin e Federatës së Sindikatave të Industrisë së Shqipërisë, ku aderojnë më ne, kemi patur takime disa herë, por nuk kemi rënë dakord në sa një pikë, pasi ata duan të çojnë rafinerinë në një lloj konservimi që çon drejtë falimentit. Kemi patur takime në ministrinë e Energjetikës, kemi krijuar mundësinë që ARMO-s t’i jepet lënda e parë e vendit, por këta nuk bëjnë kontrata dhe marrëveshje. Të dyja uzinat do të dalin në protestë, veçanërisht ajo e Ballshit që është më e organizuar”,-shprehet z. Iljazi. Ndërkohë, mësohet se, Kryetari i Sindikatës së Fierit, Bujar Kabashi, është i pushuar nga puna, pa të drejtë. I kontaktuar nga ne, z. Kabashi shprehet se, në rafinerinë e Fierit vazhdon prodhimi me tonelata, me 30 ton ora, me maksimumin e kapacitetit të uzinës. I pyetur nëse është në dijeni të pagesës së sigurimeve shoqërore, ai pohon se, nuk ka informacion për një fakt të tillë, pasi askush nuk jep një përgjigje. “Uzina punon, punohet në mëshirë të fatit, pa kushtet më minimale. Do kalojmë në grevë pa afat nëse nuk merren masa. 19 punëtorë të pushuar do jenë të pranishëm në protestë, ata vijnë çdo ditë, por nuk marrin as një përgjigje”,-pohon ndër të tjera Bujar Kabashi.

    Reparti i zjarrfikëseve dhe i shkumës nuk funksionon

    Ajo çka është më shqetësuese për punëtorët e rafinerisë është mosfunksionimi i repartit të zjarrfikëses dhe ai i shkumës, të cilët janë të domosdoshëm në ato kushte pune ku ata punojnë. Ndërkohë që, përdoren lëndë djegëse me një rrezikshmëri të lartë, sipas protestuesve, punonjësit e zjarrfikëseve që janë vënë në dispozicion nuk kanë kualifikimin e duhur për t’i ardhur në ndihmë punonjësve në rast incidentesh. “Na ka ardhur një letër, një flet prokurë, në të cilën thuhet se, për shkak të ristrukturimit të vendit, duhet të shkrihet reparti zjarrfikës, gjë që bie ndesh me vendimin e këshillit të ministrave dhe me ligjet për Uzinat e Rëndësisë të Veçantë që janë aktualisht në Shqipëri. Është e pa lejueshme që të shkrihet reparti zjarrfikës, veçanërisht ajo e rafinerisë ku jemi ne, ku aktualisht operohet me mjete primitive. Ata thonë se, do ta mbulojnë shërbimin zjarrfikës në mënyrë private ose nga jashtë. E mbulon administratori nga jashtë me anë të prefekturës, me anë të një subjekti privat ose me anë të një kompanie të huaj. Këto janë shpjegimet që japin ata. Aktualisht nuk është bërë as një gjë. Problemi qëndron edhe tek reparti i shkumës, i cili është jetik dhe domosdoshmëri e madhe në uzinën e përpunimit të naftës së Fierit. Nuk mund të ndizet uzina nëse nuk janë zjarrfikëset dhe shkuma në gatishmëri. Çdo gjë është jashtë funksionit. Aty punohet, saldohet, përdoren lëndë djegëse dhe nuk ka repart zjarrfikëse. Punëtorët që janë aty nuk janë të specializuar për përdorimin e zjarrfikëseve, as për të dhënë ndihmën e parë në rast zjarri, për bllokimin e linjave të nxehtësisë, etj.. ”,-shtojnë ndër të tjera përfaqësues të protestës. Sipas tyre, drejtuesit e kompanisë ARMO janë shprehur për konservim të rafinerisë, çka do të thotë, hedhjen në rrugë të 1400 punëtorëve dhe dhënien e një shume që ata dëshirojnë dhe që ju leverdisë, ndërkohë që në kontratën kolektive, në raste të daljes në rezervim të rafinerisë, punonjësit duhet të paguhen me rrogën bazë, plus vjetërsi pune. Sipas tyre, mosfunksionimi i repartit të zjarrfikëses është një minë me sahat. Por ajo që është me e rëndësishmja, është fakti se 1400 punëtorët rrezikojnë të ngelen në rrugë të madhe që sipas tyre vjen për efekt krize.

    Përgjegjësia për repartin e zjarrfikëses dhe shkumës

    Në 5 pikat e peticionit në naftëtarëve drejtuar ministrit të Energjetikës se Kryeministrit, pikërisht pika 5 ku kërkohet “Të kthehet në funksion shërbimi i repartit zjarrfikës dhe ai i shkumës”, është plotësisht përgjegjësi e shtetit. Kjo sanksionohet në ligjin NR.8766, datë 5.4.2001, të miratuar nga Kuvendi. Në këtë ligj, përkatësisht në nenin 1 të tij thuhet konkretisht:

    1. “Mbrojtja e jetës së njerëzve dhe e pronës nga rreziku i zjarrit dhe i fatkeqësive natyrore e fatkeqësive të tjera në rastet e emergjencave, është detyrë e organeve  shtetërore, e ministrive dhe institucioneve qendrore, e organeve qeverisëse vendore, e organeve të specializuara, e personave juridik e fizikë vendas ose të huaj…
    2. policia e Mbrojtjes nga zjarri dhe e Shpëtimit (PMNZSH) është pjesë e administratës, në përbërje të strukturës së Ministrisë së Pushtetit vendor dhe strukturave të prefektit…
    3. PMNZSH-ja është organ shtetëror i specializuar i gatishmërisë së përhershme…”. atëherë, pse shteti hesht përballë këtij detyrimi ligjor që ka ndaj naftëtarëve, qytetarëve dhe shtetasve që banojnë në afërsi të zonës, apo presin një Gërdec të dytë?!

    Letra

    Burime për “Telegraf” u shprehen se, përfaqësues të protestës dhe të sindikatës hartuan dhe një e-mail, të cilin ja dërguan ministrit të Energjetikës, ministrit të Punës, ministrit të Brendshëm, Kryeministrit të vendit, z. Rama, si dhe administratorit, pas së cilit pritën një takim. Dhe nëse nuk do të merren masa, paralajmërojnë se do ta përshkallëzojnë protestën deri në grevë urie. “Kërkesa e e-mail-it përbehej nga 5 pika: 1-Të zgjidhet gjendja kaotike e shoqërisë ARMO. 2- Të kthehen punëtorët në punë. 3- Të merren rrogat e prapambetura. 4- Të zbatohet kontrata kolektive, në rast konservimi të zbatohet neni 49, pika tre e kontratës kolektive. 5- Të kthehet në funksion shërbimi i repartit zjarrfikës dhe ai i shkumës”,-thekson një ndër përfaqësuesit e protestës. Por, megjithëse kanë kaluar gati tre javë ende nuk është marrë as një masë dhe kjo letër ka mbetur pa përgjigje. Madje, përfaqësues të protestës kanë qenë të pranishëm dhe në panairin e punës, që u organizua për tre ditë resht tek Pallati i Kongreseve, por nuk kanë mundur të takojnë Kryeministrin.

    Pasojat e mbylljes së rafinerisë së naftës

    Punëtorët e rafinerisë janë shprehur të irrituar nga vendimi për mbylljen e rafinerisë, pasi sipas tyre ky vendim do të linte qindra familje pa të ardhura. Punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh kanë vënë në dukje edhe rrezikun e ndonjë shpërthimi të mundshëm, si pasoje e ndalimit të punës në rafineri, duke përbërë rrezik serioz për jetën e punonjësve dhe banorëve përreth, si dhe ndotje masive ekologjike.

    Historia

    Rafineria më e madhe në Shqipëri e naftës, ajo e Ballshit dhe Fierit prej kohësh ka pësuar një ndryshim pronarësh, ku fillimisht nga rafineri shtetërore ajo u privatizuar dhe u blenë aksione nga Rezart Taçi dhe më pas më 07.08.2013, u firmos kalimi i pronësisë nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruhet nga aksionerët azerbajxhanas dhe Rezart Taçi. Pronarët e rinj marrin përsipër shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit, bankave dhe palëve të treta. Tashmë kjo rafineri është në privatizim nga kompania ARMO, ku shteti ka vetëm 14.9 % të aksioneve, të cilat kapin vlerën e 22 milionë euro. Pasi prej shumë vitesh, në pronësi të ARMO-s, kjo industri që përbën pjesën më determinuese të të ardhurave, që gjeneron për vetë shtetin, por edhe në zënien me punë, si dhe të përmirësimit të ndjeshëm cilësisë së karburanteve, pritej që të ishte një lajm i mirë për ekonominë vendase, por e vërteta është se kjo gjë solli një kaos në ekonominë e vendit, duke dëmtuar xhepat e qytetarëve që punojnë në këto rafineri. Ndërmarrja Kompania ARMO është shoqëria e vetme shqiptare e përpunimit të naftës dhe prodhimit të karburanteve. Ajo është krijuar në vitin 1999 dhe kapitali i saj, në vitin 2008 kur është publikuar bilanci ishte rreth rreth 43 milionë euro. Aktivet kryesore të kompanisë janë dy impiante rafinerie në Ballsh dhe Fier, të cilat janë ndërtuar rreth 40 vjet me parë.

    Prodhimi i naftës

    Shqipëria parashikoi që ta rrisë me 18 % prodhimin e naftës në vitin 2013, që do të jetë një nivel i lartë në tërësinë përparuese të këtij sektori strategjik. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e përkthyer në shifra niveli prej 18 për qind i parashikimit të vitit 2013 është 1.200.000 ton, pra 1 milion e 200 mijë. Ndonëse niveli ruan rritje të vazhdueshme, me krahasimin e viteve 2005-2009-2013 ajo përqindje, pra 18-a, është më e ulëta.

    Vendimi për shkurtimet e vendit të punës dhe indiferentizmi i Ministrisë së Energjetikës

     Edhe pse kanë kaluar disa muaj pas protestave të para të naftëtarëve, ku shënohen gati çdo muaj protesta, ende nuk ka patur përmirësim të gjendjes apo reagim nga strukturat e shtetit. ARMO vazhdon të mos i përmbush detyrimet që ka ndaj punëtorëve të naftës, duke i lënë pa rroga, pa shërbime bazë, në mëshirë të fatit. Sipas burimeve konfidenciale për “Telegraf”, kompania ARMO, i ka paraqitur Ministrisë së Financës, Ministrisë së Energjetikës dhe asaj të Punës, një kërkesë, ku kërkon të negociojë për shkurtimet e vendeve të punës. Lidhur me këtë fakt, punonjësit nuk janë në dijeni. Në këtë kauzë që është kthyer në një shqetësim parësor për familjet e 1400 naftëtarëve, është vënë re një indiferentizëm i ministrisë së Energjetikës, e cila në mungesë të përgjegjshmërisë, nuk ka marrë masa për ndryshimin e gjendjes, pavarësisht kërkesave dhe thirrjeve të herëpashershme. Detyrimi i kompanive të dhëna me koncesion është të hapë vende të reja pune dhe jo t’i mbyll ato, për këtë arsye, kjo ministri është treguar moskokëçarëse për fatin e këtyre punëtorëve. Ende nuk dihet fati i kësaj çështje, Ministria e Energjetikës duhet të kërkonte kontrollin në këto rafineri, të kërkonte shkaqet e mosfunksionimit të impianteve dhe daljes së saj në konservim, shkurtimit të vendeve të punës, por me sa duket çështjet janë të lidhura me interesa personale, fitimprurëse të drejtuesve. Ndërkohë që këta punëtorë janë në mëshirë të fatit dhe kërkojnë pagën për të plotësuar nevojat e tyre më minimale, për bukë, pasuria e drejtuesve shënon 800 milionë euro në vit.