Nonda Buxhuku/A janë rritur pensionet ?

    479
    Sigal

    Sipas premtimeve, por edhe sipas të dhënave gjysmë zyrtare, duke filluar nga një korriku, pensionet në qytet do të rriten në masën 4 për qind dhe në fshat 5 për qind. Gjatë dy mandateve të qeverisjes demokratike pensionet e të gjitha llojeve, si në qytet dhe në fshat janë rritur për çdo vit. Pensionet e plota të pleqërisë që përbëjnë pjesën më të madhe të të gjitha llojeve të pensioneve, gjatë tetë viteve të fundit, krahasuar me vitin 2005 (i cili merret si viti bazë), janë rritur si më poshtë.

          Shuma dhe rritja në % e pensionit gjatë viteve

    Në qytet Shuma e pensioneve 2005 2006 2007 2008 2009 2010 2011 2012 2013
    Minimal 7850 8240 8650 9515 10276 10690 11117 11562 12024
    Maksimal 15700 16480 17300 19030 20552 21380 22234 23123 24047
    Rritja 5% 5% 10% 8% 4% 4% 4% 4%
    Në fshat 3439 4116 4528 5434 6420 6980 7468 7841 8233
    Rritja  – 20% 10% 20% 20% 7% 7% 5% 5%
    Në korrik minimal

     Së pari sqarojmë se të ardhurat e pensionit të plotë të pleqërisë në qytet bëhen 14174 lekë, nga të cilat 12024 lekë pension bazë, plus dhe 2150 lekë subvencione (12024 + 2150 = 14174 lekë) dhe ato të pensionit të plotë maksimal bëhen 24547 lekë, nga të cilat 24047 lekë pension bazë, + 500 lekë subvencione (24047+ 500 = 24547 lekë). Ndërsa në fshat pensioni i pleqërisë bëhet 9123 lekë, nga të cilat 8233 lekë pensioni bazë, + 890 subvencione (8233 plus 890= 9123 lekë). Tani duke ju referuar të dhënave të tabelës së mësipërme rezulton që, pensionet e plota të pleqërisë në qytet më 1 korrik janë 53.2 për qind më të larta se ato të vitit 2005 me një rritje mesatare vjetore 6.6 për qind, ndërsa pensionet e pleqërisë në fshat janë rritur 2.4 herë. (12.024:7850 = 1.532 ose 53.2%). Gjatë katër viteve të fundit, rritjet janë më të ulëta dhe kjo shpjegohet me ndikimin e krizës globale ku ritmet e rritjes ekonomike kanë qenë të ulëta. Megjithatë, po të mbahet parasysh se në shumë vende të Europës e sidomos në rajon, ku jo vetëm që nuk ka pasur rritje të pagave e pensioneve, por ka pasur dhe ulje, rritje në masën 4 dhe 5 për qind duhet vlerësuar në mënyrë pozitive. Tani na duhet të ndalemi në një tjetër problem, na duhet të bëjmë një analizë ekonomike të drejtë për të sqaruar se kjo rritje e përvitshme dhe në tërësi e pensioneve është një rritje reale plotësisht, është pjesërisht ose në çfarë mase ajo ka ndikuar në mirëqenien e pensionistëve, ose më shqip, pensionistët jetojnë më mirë sot se një vit apo tetë vite më parë. Ndaj këtij problemi shumica në pushtet dhe pakica në opozitë ndajnë qëndrime ose bëjnë propagandë të kundërt ose për llogari të vetë. Qeveritarët propagandojnë kryesisht rritjet aritmetike nga një pension në tjetrën (rritjet nominale), ndërsa opozitarët thonë se nuk ka rritje të vërtetë, pasi çmimet janë rritur më shumë se rritja nominale e pensioneve duke arritur në disa raste sat ë thuhet se sot jetohet më keq se para tetë viteve duke dhënë shembuj për rritjen e çmimeve të disa mallrave të veçantë etj.. Atëherë si qëndron e vërteta? Ka apo nuk ka rritje reale të pensioneve? Para se ti japim një përgjigje të drejtë këtij problemi duhet të bëjmë një sqarim. Ashtu siç njihen dy kategori pagash (paga nominale dhe paga reale), ashtu kemi edhe pensione nominale dhe pensione reale. Pensioni nominal përfaqëson shumën e parave që merr pensionisti në dorë çdo muaj, ndërsa pensioni real përfaqëson se çfarë blen he nëse jeton më mirë apo më keq me pensionin që merr duke e krahasuar atë me një periudhë të mëparshme, p.sh para një, dy apo më shumë vite etj. Se ndofta gjatë periudhave që krahason, rritja mesatare e çmimeve mund të jetë më e lartë se rritja e pensioneve dhe kjo ka ndikuar negativisht në jetën e pensionistëve ose e kundërta që sjell mirëqenie të tyre. Pra, nga sa më sipër del se rritja nominale e pensioneve duhet krahasuar me indeksin e çmimeve të konsumit të mallrave e shërbimeve që do të thotë: po qe se rritja e pensioneve në përqindje është më e lartë se rritja e indeksit të çmimeve, atëherë kemi rritje reale të pensioneve, ndërsa e kundërta edhe pse mund të ketë rritje pensionesh, por kjo është më e ulët se rritja e indeksit të çmimeve, pensioni real ka rënie, pra jetesa është më e ulët se rritja e indeksit të çmimeve, pensioni real ka rënie, pra jetesa është bërë më e shtrenjtë, pra është përkeqësuar. Në vendin tonë, gjatë tetë viteve të fundit indeksi i çmimeve është luhatur mesatarisht në masën 2 deri 3 për qind ose gjatë tetë viteve ai ishte në nivelin afërsisht 20 për qind. Pra është më i ulët se rritja nominale e pensioneve prej 53.2 për qind. Kjo do të thotë që pensionet janë rritur edhe realisht çka ka ndikuar në mirëqenien e tyre. Dhe kjo është pozitive dhe duhet pranuar. Është tjetër fakti që niveli (masa ) e pensioneve është relativisht i ulët dhe se rritjet që janë bërë deri tani nuk mund të sjellin përmirësime të ndjeshme në jetën e pensionistëve sidomos të atyre që kanë pensione të ulëta që me vështirësi përballojnë jetesën. Edhe pse pensionet në vendin tonë janë relativisht të ulëta fondi në buxhetin e shtetit për përballimin e tyre është më shumë se 24.6 për qind ose 6.4 për qind të produktit të përgjithshëm bruto, shumë relativisht i lartë për kushtet e ekonomisë së vendit tonë në zhvillim. Por nuk mund të hesht për një problem tjetër, lidhur me pensionet e pleqërisë në qytet që ka qenë i mundshëm për tu zgjidhur dhe kaluan plot tetë vjet dhe vetëm heshtje. Kjo është e pafalshme. Problemi është lidhur me diferencat e pensioneve të plota të pleqërisë në qytet. Dhe konkretisht të diferencave që ekzistojnë akoma midis pensioneve të lidhura deri më 31.12.1996 dhe atyre të lidhura nga 01.01.1997 e në vazhdim, duke përjashtuar këtu pensionet e plota minimale, të cilat janë të gjitha të barabarta pavarësisht nga periudha kur janë lidhur. Diferencat në pensione lindën si nga rritja e diferencuar e tyre deri më 30.03.2000 ashtu edhe nga disa llogaritje të gabuara të Institutit të Sigurimeve Shoqërore gjatë shtesave të pensioneve. Më të dëmtuarit janë pensionistët që kanë dalë në pension nga data 01.04.1996 deri 31.12.1996, të cilat sot marrin 20 për qind më pak nga sa u takon ose 4.623 lekë më pak (ai që ka pensionin maksimal). Marrin më pak 14.9 për qind ose 3450 lekë (pensioni maksimal), pensionistët e periudhës 01.01.1993 deri 31.03.1996. Po kështu marrin më pak nga sa u takon pensionistët që kanë aplikuar deri 30.09.1993. Diferenca e tyre varion nga 3.4 deri në 12 për qind. Gjatë qeverisjes socialiste u ndërhy pesë herë për zbutjen e diferencave por nuk u përfundua. Gjatë viteve të qeverisjes demokratike nuk u trajtua fare ky problem. Ngelet dhe një ndërhyrje e fundit ( e gjashta), që të zgjidhet ky ngërç në dëm të pensionistëve të pafajshëm, që me sa duket do i takojë qeverisë që do të dali pas 23 qershorit. Gjithnjë me shpresë, megjithëse edhe kjo ka një kufi. Më i vogli në moshë nga prekja e diferencave në pensione është 77 vjeç. Kur do e marrë atë që i takon dhe që nuk e ka marr për vite të tëra, jo për faj të tij, por për neglizhencë të të tjerëve duke filluar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Ministria e Punës apo edhe e Financave dhe deri në qeveri.

    Box

    Tabela me rritjen e pensioneve 1 korrik

    -Të ardhurat gjithsej të pensioneve minimale në qytet

    është: 11562( pens. bazë) plus 2150 (subvencione) = 13712 lekë.

    Bëhet: 12024 ( pens. bazë)plus 2150 (subvencione) = 14174 lekë. Shtesa është 462 lekë.

    -Të ardhurat gjithsej të pensionit maksimal në qytet

    Është: 23123 ( pens. bazë) plus 500 (subvencione) = 23623 lekë

    Bëhet: 24047( pens. bazë) plus 500 (subvencione) = 24547 lekë. Shtesa 924 lekë.

    -Të ardhurat gjithsej të pensionit të plotë në fshat

    Është: 7841 + 890 (subvencioni) = 8731 lekë.

    Bëhet: 8223 +890 (subvencioni) = 9123 lekë. Shtesa 392 lekë.