Njohja e diplomave profesionale dhe universitare në Itali

    516
    Titujt e studimit e marrë jashtë nuk kanë vlerë ligjore në Itali, me përjashtim të rasteve kur ekzistojnë Konventa ndërkombëtare ose kur janë marrë pranë shkollave të njohura nga shteti italian. Procedura që duhet ndjekur ndryshon në bazë të motivit për të cilin kërkohet njohja e titullit të studimit:
    Për të vazhduar në Itali studimet e larta ose pasuniversitare si doktoraturë e master ose për të ushtruar profesionin (inxhinier, arkitekt, ekonomist etj).
    Në të gjitha rastet nevojitet përkthimi zyrtar i diplomës së studimit që do të kërkohet të njihet që duhet çuar në konsullatën italiane në vendin ku është lëshuar diploma për të marrë të ashtuquajturën “deklaratën e vlerës në vend”, në italisht “Dichiarazione di valore in loco”, (në përfaqësitë italiane ka zyra të posaçme për studentët) që më pas duhet legalizuar me vulën apostile.

    Mund të qëllojë që, kur kërkohet njohja e diplomës pranë zyrës kompetente duke paraqitur “deklaratën e vlerës” dhe dokumentacionin që dëshmon provimet e mbrojtura, të interesuarit t’i kërkohet të bëjë disa provime plotësuese.
    Nëse kërkohet njohja për të vazhduar shkollën e mesme në Itali, i interesuari duhet t’i drejtohet Zyrës shkollore të provincës.
    Nëse kërkohet njohja për ndjekjen e një kursi universitar, pasuniversitar të një masteri apo të një doktorature, duhet t’i drejtohet sekretarisë së studentëve të Universitetit të zgjedhur. Në kuadrin e autonomisë, janë vetë universitetet që vendosin për njohjen e titujve të huaja të studimeve.
    Kërkesës, që i drejtohet Rektorit të Universitetit, i bashkëngjiten dokumentat e mëposhtëm:
    – Diploma e pjekurisë e përkthyer, e legalizuar dhe me “deklaratën e vlerës” të lëshuar nga përfaqësia konsullore italiane në vendin ku është lëshuar titulli i studimit;
    – Diploma universitare, e përkthyer, e legalizuar dhe me “deklaratën e vlerës” të lëshuar nga përfaqësia konsullore italiane në vendin ku është lëshuar titulli i studimit;
    – Certifikatë e provimeve universitare, e përkthyer, e legalizuar dhe e autentifikuar nga konsullata italiane;
    – Programi i studimeve për çdo provim të dhënë i përkthyer, i legalizuar dhe i autentifikuar nga konsullata italiane;
    – Fotokopje e lejeqëndrimit.
    – Autoritetet e universitetit që e marrin në shqyrtim mund të konsiderojnë kursin e studimeve të barasvlefshëm me të vetin dhe të njohin të gjitha provimet, ose të njohin diplomën pjesërisht e të kërkojnë kërkojnë dhënien e disa provimeve plotësuese për njohjen e titullit.
    Sigal

    Njohja e titullit profesional për qëllime pune

    Në rastin kur njohja e titullit bëhet për të ushtruar profesionin në Itali, i interesuari duhet të paraqesë kërkesë njohjeje pranë ministrisë kompetente. Për shembull, për profesionet e sektorit të mjekësisë është kompetente ministria e Shëndetësisë, për profesione si avokat, llogaritar, biolog, kimist, agronom, gjeolog, inxhinier, psikolog, konsulent pune, gjeometër, gazetar, punonjës i kuaifikuar në bujqësi dhe industri, ministria e Drejtësisë. Listën e plotë të ministrive kompetente për profesionet e gjeni në këtë faqe të ministrisë së Universitetit. Nëse dokumentacioni është i saktë dhe i plotë, ministria kompetente, me një dekret që botohet në Gazetën Zyrtare italiane, do të njohë titullin. Pas njohjes, i huaji mund të regjistrohet në Urdhrin profesional, nëse ekziston një i tillë për profesionin që dëshiron të ushtrojë. Në disa raste, mund të parashikohen sidoqoftë plotësime për njohjen e plotë të titullit ose periudha praktike pune.