“Rruga e Elbasanit”, rrezik serioz për kalimtarët

900
Situata në pjesën e rrugës që të çon në drejtim të stadiumit “Qemal Stafa”, vend i përcaktuar edhe si stacion për linjën e autobuzëve dhe furgonave që të çojnë në Elbasan dhe Korçë, është mjaft problematike për faktin së në këtë stacion rrëmujës së krijuar nga shoferët e këtyre linjave, kohët e fundit i janë shtuar dhe parkimet e makinave buzë kësaj rruge që të çon në drejtim të “Rrugës së Elbasanit”. Kjo situatë është e përditshme, duke u bërë një rrezik serioz për kalimtarët, por edhe për automjetet, të cilat qarkullojnë në këtë rrugë, vend, ku ndodhet dhe stacioni. Problematik janë shfaqur shoferët e automjeteve, të cilët parkojnë automjetet e tyre në vende të lira, ku të ketë mundësisht, duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve, duke rënduar trafikun. Kaosit të krijuar nga parkimi i parregullt nga ana e shoferëve të automjeteve të cilat përdoren për shërbim publik, i janë shtuar dhe parkimet e automjeteve në pjesën anësore të kësaj rruge, që të çon nga “Rruga e Elbasanit” në drejtim të stadiumit, bën që rreziku për këmbësorët, të cilët janë të detyruar të bëjnë këtë rrugë disa herë në ditë, të jetë tepër i madh. Mungesa e një sinjalistike të rregullt në këtë pjesë të rrugës, rëndon akoma më shumë situatën. Kalimtarët të pyetur në lidhje me këtë situatë, shprehen mjaft të shqetësuar, kjo sepse situatë në këtë pjesë paraqitet e rënduar që në orët e para të mëngjesit, për tu qetësuar disi më vonë, pas orëve të pasdites, kur furgonat dhe autobusët përfundojnë orarin e shërbimit. Por problematik sërish në këtë orë mbeten pjesët anësore të kësaj rruge, të zaptuara nga automjetet, drejtuesit e të cilëve marrin shërbimet e bizneseve që ndodhen aty pranë, kryesish bar-kafe. Tepër e rrezikshme paraqitet situata dhe në “Rrugën e Elbasani:”, ku mungon sinjalistika, apo vendosja e një semafori në pjesën që të çon në drejtim të stadiumit. Për shkak të mungesës së sinjalistikës në këtë rrugë, nuk kanë munguar dhe rastet e shumta të aksidenteve. Vetëm pak ditë më parë një e moshuar humbi jetën në këtë rrugë, në afërsi të shkollës së “Gjuhëve të Huaja”. Mungesa e një semafori në këtë kryqëzim, bën që njerëzit të shprehen mjaft të shqetësuar, për shkak se lëvizja e madhe e njerëzve në këtë kryqëzim është tepër i lartë, ashtu siç paraqitet dhe rreziku në këtë kryqëzim. Vijat e bardha në këtë kryqëzim, janë vendosur, por sinjalistika për të bërë rregullimin e trafikut mungon. Duke bërë që njerëzit të presin të mbarojnë radhët e automjeteve, për të kaluar më pas, sërish me frikë. 
Sigal

Plani i munguar i bashkisë për parkimin e automjeteve 

Kreu i ri i Bashkisë Erion Veliaj, ka filluar menjëherë ndërhyrjet për sistemimin dhe zbukurim e disa trotuareve në rrugët e kryeqytetit, diçka normale, por problem është se financimet e tij, duhet t’i shtrihet edhe në disa akse rrugore, ku rrugët janë të shkatërruara, apo sinjalistika është për tokë. Z. Veliaj, duhet të mos merret vetëm me lirimin e hapësirave publike nga tavolinat e zënë nga kafenetë, por të merret edhe me parkimin vend e pavend të automjeteve, të cilat shkaktojnë rrëmujë, trafik, por dhe aksidente të panumërta. Z. Veliaj, nuk duhet të shikojë vetëm bulevardin “Zogu i Zi” apo atë tek “Dogana”, për shtrimin e trotuare me pllaka, por duhet të shikojë edhe gjendjen e rrugëve, ku ujerat e zeza notojnë në sipërfaqe. Kryebashkiaku, nuk duhet të lëvizë vetëm e autobus, por duhet të bëjë dhe një copë rrugë në këmbë, për të parë gjendjen reale të rrugëve dhe rrugicave të kryeqytetit. Duhet të bëjë shumë më shumë gjëra për të ofruar sigurinë e qytetarëve dhe për të bërë diçka, e cila mund të jetë shumë më dobiprurëse për banorët e kryeqytetit. Duhet të merret dhe me rregullimin e pusetave, kapakët e të cilave mungojnë, për shkak të tregtimit për skrap, duke mos e lënë projektin e tij në letër, pasi nxori numrin real të pusetave pa kapakë, por që deri më tani asgjë nuk është bërë për rregullimin e kësaj situatë, për të cilën kryebashkiaku ishte mjaft i shqetësuar para zgjedhjeve. Mungesa e kapakëve të pusetave, shkakton dhjetëra dëmtime personash në ditë, kjo sepse gjatë natës edhe ndriçimi në shumë vende mungon. Janë këto dhe shumë probleme të tjera, të cilat shqetësojnë banorët e Tiranës, dhe nuk janë problem shtrimi me pllaka apo lënia me asfalt e trotuareve të kryeqytetit.