Niko FERRO/ Shtëpia e vjetër e Libohovëve në Lushnjë

    448
    Sigal

    Vendi ku u strehuan Delegatët e Kongresit të Lushnjës në 1920-n

    Po e nisim artikullin tonë me disa pyetje: Çfarë dihet për këtë shtëpi? Pse është e rëndësishme kujtesa e saj ? Ku ndodhej afërsisht kjo shtëpi përpara shkatërrimit?

           Si datë për ndërtimin e saj jepet viti 1908. Mësojmë se ajo u ndërtua me mure guri sipas formës dhe stilit të ashtuquajtur  “tipit beratas” me dy kate. Ajo kishte një oborr të madh i paraprirë nga një pus dhe një magje e madhe uji për pushimin e kafshëve. Dimë që kjo shtëpi banimi kishte 10 dhoma, të pajisur secila me nga një oxhak.

    Bujaria dhe mikpritja e kësaj familje me tradita shprehej kudo. Dyert e kësaj shtëpie ishin të hapura për të gjithë, sa herë që lypesh nevoja për të kaluar natën  pse jo edhe shumë ditë me radhë. Por nuk mbaron me kaq, jo të gjithë e dinë se në këtë shtëpi kanë bujtur delegatët e Kongresit Kombëtar si : Aqif Pashë Elbasani, Ahmet Zogu, Sotir Peci, Qazim Kokoshi, Myrteza Këlliçi, Adem Gjinishti, Rasim Babameto e shumë të tjerë. Po në këtë shtëpi u strehuan edhe delegatë të Kongresit Arsimor të mbajtur po në Lushnjë.

           Gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, kjo shtëpi ka funksionuar si bazë dhe njëherazi vendstrehim për të plagosurit në radhët e partizanëve. E gjithë familja Libohova ishte e lidhur ngushtë me Luftën. Në këtë shtëpi kanë lindur dhe rritur dy dëshmorët e atdheut, Aqif dhe Skënder Libohova. Për fat të keq ,ditën e fundit kur okupatori gjerman u largua nga Lushnja më 18 tetor 1944, e shënjestroi dhe më pas e dogji atë. Vlen të theksojmë se kjo nuk ishte shtëpia e vetme në qytetin e Lushnjës që u dogj nga ushtria gjermane, numërohen edhe 7 shtëpi të tjera në lagje të ndryshme të cilat patën të njëjtin fat. Poshtë po paraqesim dy foto të shtëpisë para dhe pas djegies.