Nëna lehonë: Kur më thanë çmimin e ilaçeve në farmaci, më ra të fikët!

    479
    Sigal

    Ryshfetet në spitale. Bërtasin ‘Ujku, ujku…’, por çakalli bën kërdinë…

     Po e titulloj kështu shkrimin tim, duke marrë shkas nga një ngjarje shumë reale dhe e dhimbshme dhe janë këto fjalët e para që përdor një fshatar i varfër, i nisur – asgjëkund – dhe pa shpresë…!  Jam i detyruar të mbroj identitetin e tij dhe të mos jap hollësira por nuk mund të rri pa përmendur ngjarjen e hidhur të cilën na e tregon me lot në sy djali 32 vjeçar nga Belshi i Elbasanit. Rastësia është mbreti i fatit, është ajo që lë gjurmë në historinë e secilit nga ne. Ishim në të njëjtin fugon me djaloshin dhe udhëtonim për në Greqi. Ashtu siç jemi mësuar të hyjmë në biseda dhe të ndajmë në një farë mënyre barrën e halleve me njëri tjetrin, ashtu filloi edhe tregimi i djaloshit nga Elbasani se përse e kishte marrë këtë rrugë. Pa e zgjatur shumë ai afroi dorën përpara fytyrës dhe më tregoi dy foto. E para ishte një fëmijë i sapo lindur, të cilën e puthi dhe qau….Foto e dytë ishte një çift, të cilin e sqaroi më vonë… Mua si gazetar më vjen keq që ndesh në persona të tillë, të cilët janë si shushunja të vërteta, pa mëshirë për të thithur gjakun e cilitdo që bie në kontakt me ata, por nuk mund të mos rri pa i përmendur me emër dhe me figurë, (foto) për hir të së vërtetës dhe të atij djali që qante dhe betohej mbi fotografinë e fëmijës së tij të parë. – Ky fëmijë është… fëmija im i parë…-Sqaron djali dhe puth fotografinë duke vazhduar i ngashëryer. – Ky…që mua të më rrojë dhe ta kem me jetë, më nisi sot në rrugët e Greqisë, për punë vëlla…punë…për të jetuar! Se ky nuk do të dijë kam apo skam unë! Do të hajë, të vishet, të mos i mungojë gjë…etj…! Nuk do të dijë se ka borxhe babai apo jo! Kurse ky çifti këtu….Dhe tregon një çift simpatik të cilin e ruante në telefon.

    – Ky është një doktor pediatër në spitalin e Elbasanit. Quhet K. I. dhe e shoqja e tij F. I. e cila është po personel në të njëjtin pavion me burrin e saj, në Obstetrikë-Gjinekologji, ku mbahen fëmijët e porsa lindur. U ndodha keq, shumë keq kur më lindi gruaja në këtë spital. Infermierja vinte e para të jepte “sihariqin” dhe donte lekë..” e donte zakoni”… Nejse, i dhashë një pesëdhjetëshe (pesë mijëshe) në dorë. Nuk ishte e kënaqur por donte edhe një pesëdhjetëshe apo qindëshe për doktorin..! (Burrin e saj). Kur nuk ja jepje ai të mbushte një recetë me ilaçe dhe të tjera që duhet ti merrje për fëmijën, ndryshe fëmija rrezikohej të jetonte se… ”ishte në gjendje të keqe shëndetësore!”  Të gjitha këto ishin kolpo të tij po unë merhumi më vonë i mësova, ku ta dija unë! Mbasi më shkundi mirë nga xhepat dhe pashë një rast tjetër që edhe ilaçet që merrnin prindërit ai nuk jua bënte fëmijëve, por i kthente mbrapsht tek farmacia!  Ai miku që thoni ju… -tregonte djaloshi dhe rruga nuk po na dukej fare me këtë tregim interesant të tij. Ai nuk e dinte se unë isha gazetar dhe do ti riprodhoja këto tregime, jo vetëm për atë por për qindra e mijëra të tjerë që kishin rënë në rrjetën e doktorit. Dhe sa të tillë qarkullojnë në Elbasan dhe në qytete të tjera dhe qeveria bërtet me të madhe : “ Nuk ka vend korrupsioni tek ne..”. Shumë mirë, edhe popullin e ke me vete, kapi për fyti dhe mbyllua grykën të gjithë këtyre personave të pa ngopur, cilëtdo qofshin dhe mos mbaj me hatër as nga ana partiake dhe as nga pozita shoqërore! – Ai miku që thoni ju, vazhdon djaloshi, ka një farmaci me të cilën është lidhur,“Farmacia Berlin”, ku të dërgon të marrësh një ilaç, “Pentaglobin”, i cili kushtonte 18000 lekë (180 mij të vjetra) dhe ca qumësht se gjoja i duhen fëmijës…! Ku ti shesë këto farmacia?  Kur më tha çmimet farmacia më ra të fikët, një 20 mijëshe (200 mijë të vjetra) e dinte se gjendeshin në rrugë!!! Desha s’desha i mora, për hatër të fëmijës. por mbeta pa lekë në xhep dhe gjysmat ja mora një shoku që gjeta jashtë në rrugë dhe nga meraku nuk e doja veten!  Nuk kisha lekë as për t’u kthyer dhe isha pa bukë që nga mëngjesi. Po ka dhe njerëz të mirë o vëllezër! U ndodh një praktikante e cila më dha bukën e saj dhe lekë sa për fugonin që të kthehesha në Belsh. Doktori kështu ua bënte të gjithëve, i grinte nga xhepat dhe ajo laraska, (thoshte për të shoqen) është pa shpirt fare. Shkon e para që ju thotë prindërve të interesohen, gjoja, të marrin recetën e të blejnë ilaçin se ndryshe fëmija rrezikohet dhe është gjynah! “Bërtasin ‘Aha Ujku’, dhe Çakalli po bën kërdinë” Thonë se vodhën Saliu e Fullani…po këta Fullanët e vegjël e grinë fare popullin! Çdo njeri nga ne e kupton lojën e ndyrë të mjekëve të korruptuar, si ky që na tregonte djaloshi nga Belshi, por pyetja ime si gazetar është:
    1 – A duhet t’i mbulojë spitali mjekimet për fëmijët e porsa lindur dhe aq më tepër pa marrë daljen nga pavioni Obsetrik?. 2 – A është e ligjshme të jenë në të njëjtin pavion shërbimi dy bashkëshortë? A nuk ka mundësi korrupsioni?. 3- A duhet të kenë libreza siguracionesh nga shteti fëmijët e porsa lindur, apo prindërit? Presim reflektimin e organeve kompetente dhe drejtuese të spitalit dhe pushtetit lokal të Elbasanit. Presim reflektimin e ministrisë së shëndetësisë për të tillë “pehlivanë” sado profesionistë të jenë, mbi të gjitha duhet të jenë njerëz.

    ***

    Dy mjekë në Durrës dhe tre mjekë në Tiranë merren ndjekje penale

     Skandal në mjekësi. Vdes 3 vjeçari, se nuk u mjekua sipas diagnozës

    Mjekët e spitalit Rajonal në Durrës, sërish të akuzuar nga të afërm të pacientëve, kësaj here nga prindër të një fëmije 3 vjeçar. Rasti fatal ka ndodhur 3 javë më pare, kur prindërit e kanë dërguar me urgjencë djalin e tyre 3 vjeçar Adriano Elezi, pas shqetësimeve që ai kishte si kollë, temperaturë, etj. Fillimisht prindërit e kanë dërguar në qendrën shëndetësore e lagjes, dhe pastaj tek Pediatria dhe në fund në Tiranë. Me lot në sy babai 3 vjeçarit Hamza Elezi thotë se “nuk do të lë gurë pa lëvizur derisa të jenë ndëshkuar penalisht mjekët e Durrësit, të cilët neglizhuan dhe u treguan harbutë, dhe të poshtër”. Ai akuzon mjekët, duke filluar nga poliklinika e lagjes në Durrës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, aty ku djali tij 3 vjeçar ndërroi jetë, duke kërkuar nga kryeministri Rama, Prokuroria dhe Ministria e Shëndetësisë të marrin masa ndaj mjekëve që shkaktuan vdekjen e djalit. Babai 3 vjeçarit kërkon zbardhjen e fakteve për vdekjen e djalit të tij dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të mjekëve autorëve. “As unë dhe as gruaja nuk po flemë , duam drejtësi, duam të shohim të ndëshkuar penalisht ata që vonuan mjekimin e djalit tone, ata që mbushin xhepat dhe tallen me njerëzit”.

    Si ka ndodhur gjëma

    Në 10 nëntor të 2014, Hamzai e ka çuar djalin e tij tek poliklinika e lagjes numër 1, pasi kishte pak kollë dhe pak temperature, dhe prej aty ai ka marrë shurup dhe një sprajt për bajamet. Duke e parë djalin që nuk ishte mirë dhe të nesërmen e dërgon në Pediatri, pasi nuk i kanë shërbyer tek Urgjenca, pasi i kërkonin libreza, dokumente të tjera etj. Pas shumë lutjesh e dërgojnë djalin për ti bërë një grafi dhe rezulton me bronkopneumoni. Hamzai tregon se “mjekja (Gani) më dha një recetë ku duhej ti bëja për tre ditë antibiotik “Davikson”. Për tre ditë nga dy herë në ditë mori mjekim djali.Pas tre ditësh nga e marta, në datë 11, e çova më 14 nëntor pasi i kishte përfunduar antibiotiku sërish për kontroll, dhe atje prap ishte mjeke Ganimetja. E dërgoi djalin për grafi dhe më tha që “djali qenka përkeqësuar, dhe më tha se do ta shtrojmë për disa orë”. Në Pediatri mjekët nuk e kanë lejuar Hamzain të merret me djalin, ti qëndrojë pranë, duke pretenduar se “duhet nëna, kur mamaja e tij ishte në Maternitet”. Rreth orës 03:30, një mjek roje i kishte thënë se “ ta nisim në Tiranë”, pasi nuk pati konsulta me mjekët specialistë. Vetëm pas 3 orësh vjen ambulanca nga Tiranë. Diskutohej absurdi “po nuk i dhe lekë ambulancës nuk vjen, nuk ka karburant”. Ndërkohë Hamzai tregon se ”përpara se të nisej në Tiranë fëmija nuk ishte në gjendje kritike për jetën ai nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë. Në spitalin e Pediatrisë në Tiranë diskutohej që nuk kishte vende për të shtruar fëmijën.Sapo ambulanca ka mbërritur në Tiranë tek Pediatria dy infermiere, pasi e kanë lënë djalin 3 vjeçar dy orë tek salla e mbledhjeve të mjekëve i thane babait tij se “nuk ka vende”, dhe nga atje e dërguan djalin e sëmurë tek një mjek roje, që e ka vizituar djalin dhe ka konstatuar bronkopneumoni , dhe e kanë vonuar pastaj operimin e djalit, me pretekse si “nuk ka mjek specialist, nuk ka sallë bosh”. Babai i Adrianit u shpreh se “akuzoj mjeken Ganimeten, në Durrës, mjekun e rojës Mondin,  Melpomenin, Kolin kirurgun, të Tiranë. I jam drejtuar Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, Kryeministrit Edi Rama, dhe deri sot nuk më është dhënë asnjë përgjigje”. Ndërkohë Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin pas kallëzimit që ka bërë shtetasi Hamza Elezi. Sipas burimeve hetimore “kjo çështje është regjistruar, dhe ka nisur hetimi për vdekjen e vogëlushit 3 vjeçar, do të bëhet sekuestrimi i kartelave mjekësore, dhe pritet ndalimi mjekëve përgjegjës”. Ky është rasti i tretë fatal që ndodh me mjekët e Pediatrisë, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë edhe kur ka ardhur për “ndëshkime”, ka mjaftuar me paralajmerime dhe dreka “pune” në resortet e plazhit.

     ARTUR AJAZI