Nebi Sulejmani: Si u shkatërrua KSSH, pas ardhjes së Kol Nikollës. Ja faktet

    409
    Sigal

    Federata  Sindikale e  Bujqësisë, Ushqimit, Tregtisë dhe  Turizmit, jep fakte për abuzimet e kryetarit të KSSH-së Kolë Nikollaj

    Sipas kryetarit të Federatës së Sindikatave të Bujqësisë, Ushqimit, Tregtisë dhe Turizmit, Nebi Sulejmani, ardhja e Kol Nikollës në krye të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë ka qenë një skandal i vërtetë dhe një fatkeqësi për lëvizjen sindikaliste. Është pikërisht Kolë Nikollaj që ka shkatërruar dhe prishi krejt demokracinë e brendshme e Konfederatës. Zoti Sulejmani shprehet për “Telegraf”, se, pas ardhjes se zotit Nikolla, nuk janë bërë më transparente edhe të ardhurat. Sipas tij, abuzimet e zotit Nikolla janë mjaft të rënda janë shumë fakte që e dëshmojnë këtë dhe që meritojnë të bëhen publike për të parë fytyrën e vërtetë të këtij pseudosindikalisti.

     -Zoti Sulejmani, ju jeni shprehur se kreu i KSSH Kol Nikollaj ka abuzuar me postin që ka. A mund të na thoni, ku janë shkeljet sipas jush?

    -Së pari dua të them se që nga koha që zoti Kol Nikollaj ka marrë drejtimin e Konfederatës në 2004, u mendua që do të kishte një zhvillim pozitiv, por nuk ndodhi kjo që pritej. Pas ardhjes së tij filloi të zbehej demokracia e brendshme në Konfederatë, filloi që të dëgjohej vetëm uni i zotit Nikollaj. Po ashtu nuk zhvilloheshin sipas statutit takimet dhe veprimtaritë që ishin të parashikuara dhe që duheshin bërë. Në lidhje me të ardhurat që siguronte konfederata nga pronat e saj ligjore sipas ligjit nuk bëhet në mënyrë absolute asnjë lloj transparence. Që nga viti 2008 nuk është bërë asnjë lloj analize as për bazën as për rrethet. Ajo që e dëmtoi më shumë është dhe manovra që ai filloi të bëjë për lëvizjen e njerëzve që kishin dalë në pension, gjë që sipas ligjit ishte në kundërshtim. Këtu ka filluar konflikti i madh me disa drejtues të sindikatave si të arsimit, të mbrojtjes etj. Është një problem parimor, unë e kam konsideruar një problem tepër të rëndë që në të vërtetë ka shkatërruar lëvizjen sindikaliste në vend. Askush nuk mund t’i bësojë këtij njeriu dhe ta ndjekë atë.

     -A ka sindikata të tjera nga informacionet që keni që kanë pakënaqësi ndaj kreut të KSSH-së?

    -Unë mendoj që nga 11 federata themeluese, 8 prej tyre kanë dalë me një thirrje ndaj Kol Nikollës për shkeljet që ka bërë. Këto i janë bërë me dije edhe ministrit të punës dhe kryeministrit. Pra kjo është një shkelje e statutit të Konfederatës. Një fakt tjetër që tregon se ai ka shkelur ligjin e Konfederatës, është se ai është munduar që të krijojë federata që për fatin e keq gjykata i ka njohur në kundërshtim me ligjin. Pasi në kodin e punës thuhet: që për të krijuar një  sindikatë duhen të pakën dy tre organizata, që të krijohet një federatë duhen dy tre sindikata të njohura juridikisht. Pra, Kola ka spekuluar me krijimin e sindikatave të tilla që nuk mund të krijohen sipas ligjit. Por ai ka njohur 18 sindikata të tilla në kundërshtim me ligjin.

    – Ju keni bërë dhe një kërkesë që i keni dërguar zotit Nikolla, çfarë qëllimi kishit?

    – Kjo është një kërkesë që unë në emër të federatës që përfaqësoj i kam dërguar K. Nikollës dhe gjithë kolegëve të tjerë të federatave por edhe të zgjedhurve të tjerë në rrethe dhe po thuaj gjithë administratës të KSSH, duke parë shkelje të rënda të bëra para e pas kongresit (kam parasysh para dhe pas kongresit nga i cili burojnë të gjitha pushtetet në KSSH), për këtë kërkesë nuk ka pasur asnjë reagim nga K.Nikollaj sepse nga pjesa e të “zgjedhurve” në rrethe nuk mund ta mendosh që të ketë, ky ka qenë një denoncim që i është bërë asaj maskarade që ka bërë Kol Nikollaj para dhe pas Kongresit pasi të gjitha vendimet e marra para kongresit kanë qenë anti-statutore që rrjedhimisht bëjnë të tilla dhe vendimet e kongresit. Dhe ajo që është tronditëse ka të bëjë me mashtrimin që i ka bërë gjykatës për numrin e delegatëve  që ishte vendosur nga Këshilli Drejtues i KSSH si organi kompetent sipas statutit, pikërisht Kol Nikollaj këtë e ndryshon  duke marre mbi vete përgjegjësi të mëdha por dhe shpërdoron detyrën për interesa personale, nga 547 në 345 kjo për të vetmen arsye për të siguruar  numrin e delegatëve pra për të legjitimuar në gjykatë vendimet e Kongresit sepse në të kundërt gjykata nuk do ja pranonte.

    Anëtare  themeluese e  konfederatës  së  sindikatave  të  Shqipërisë

    Tiranë më 11.08.2012

    Lënda:  Propozim për zhvillimin e kongresit të  jashtëzakonshëm të KSSH.

    Drejtuar  kolegëve: Xhafer  Dobrushi, Riza Bengasi, Zija Hasanaj, Hajdar  Kanani, Taf Koleci, Ylli  Ballta, Minella  Mano, Neriana  Zaimi, Qerim  Ismeni, Festim  Shehaj.

    Gjithë   të  zgjedhurve  në  rrethe.

    Presidentit  të  KSSH  z.Kol Nikollaj.

    Për dijeni  gjithë   punëmarrësve  sindikalistë  ose jo.

    Nga  Nebi Sulejmani  kryetar i FSBUTT.

    Të nderuar  kolegë!

    Duke  ju  uruar  shëndet   dhe  suksese  në punën tuaj të përditshme,  njëkohësisht ju  kërkoj  ndjesë  për  këto  probleme   shumë të rëndësishme  e  të përbashkëta  që  do ju paraqes  në këtë material,  pasi  jeni duke  kaluar  me pushime.                                                                                                    Kanë kaluar   gati 3 vjet  nga zhvillimi i Kongresit të  IV  të KSSH, kongres  i cili ka  e  kthyer   KSSH  në një  organizatë  ku dikton z.Kol  Nikollaj.  Të  gjithë e dimë se si është zhvilluar   ai kongres  pasi ka patur shumë debat.  Këtë  kongres   z. Nikollaj   ka  nxituar  ta regjistrojë   në gjykatën e Tiranës, (këtë e kam informacion jo zyrtar), duke kryer nje  veprim të ulët   si drejtues i një organizate të madhe si KSSH , ai ka deklaruar  para  gjykatës,  duke marrë  kështu përgjegjësi mbi vete,  se  në  kongres  kanë marrë pjesë  345 delegatë,  por  në  KD  të KSSH   në   korrik   2009  në  kemi  vendosur që ne kongres do të marrin  pjesë 547 delegatë, këtë numër  me  këmbënguljen e tij,  dhe kishte të drejtë pasi e detyronte statuti neni 10  pika 2 ku për 200 anëtare zgjidhej  1  delegat (547=109.400  anëtarë), dhe po  të  kemi parasysh  që  KSSH,  edhe ai  vetë si përfaqësuesi  i saj,  raportonte   në  Min. Punës   apo   media ,  por edhe në organizmat ndërkombëtare  si ILO,  Konfederatë e Sindikatave  Eurpiane  etj ,se kishte 110.000  anëtarë, por  edhe për të bërë një kongres madhështor, (pasi sipas tij e kërkonte situata politike e asaj  kohe ) me gjithë kundërshtitë   që  ju bënë  nga  shumë   pjesëmarrës në atë mbledhje,për shkak të  gjendjes  jo  të  mirë financiare  që  kishte  KSSH. Unë i them  z.Kol Nikollaj  se ku  e gjeti këtë të drejtë, që  ka lënë pa u përfaqësuar   në atë kongres  mbi 40.000 anëtarë. Në atë kongres janë marrë  vendime që   janë  në kundërshtim  me  statutet,  e KSSH  dhe   Federatave. Kjo për arsye se  nuk kanë  qenë të pranishëm  për fillimin dhe zhvillimin  e punimeve të mbi  2/3 e delegatëve. Neni 10 pika 2 statutit thotë  ”…Kongresi i fillon dhe i zhvillon punimet kur  janë te pranishëm jo me pak se 2/3 e delegatëve”,  dhe   2/3 e 547  janë  366, pikërisht këtë  kuorum z. Nikollaj nuk mund ta siguronte në atë moment kur do të bënte regjistrimin e Kongresit në gjykatë, dhe gjykata pa këtë kuorum  nuk mund t’ja  pranonte kërkesën e tij, prandaj  i  është  dashur  të ndryshonte  vendimin   e KD  për numrin  e  delegatëve  nga   547  ne  345 ,  që pa dyshim  e ngarkon me përgjegjësi të madhe  morale , statutore dhe ligjore,   e  deligjitimon atë  si  të zgjedhur  dhe  të gjitha vendimet e tjera të marra në atë kongres. A  mund të pranohet kjo ?!Unë mendoj  jo,  sepse do të ishte  shumë  e rënde për të gjithë ne,  si  të zgjedhur  në përputhje  me statutet tona,  por jo si z,  Kol Nikollaj. Nga  ai  kongres  burojnë  të  gjitha  problemet qe ka sot KSSH, sepse atje diktohet e nuk drejtohet,  atje   nuk  ka   demokraci  (ju ftoj të lexoni rregulloren  mbi organizimin dhe funksionimin  e asamblesë së përgjithshme), atje  ka  të punësuar  e  jo  të zgjedhur,atje   shpërdorohet , abuzohet  e shkatërrohet,  nuk ndërtohet  sepse, askush nga Ju nuk  di se sa janë të ardhurat e se si shpenzohen ato. Duke  i qëndruar  korrekt  detyrës  që  kam,  duke ndjere  përgjegjësi  përpara anëtarëve  të Federatës  që unë përfaqësoj,  duke  respektuar marrëveshjen  që ne kemi bërë së bashku   8  Federatat  dt.14.06.2010 dhe qëllimin e saj. Duke parë  gjendjen e rëndë  të krijuar  ne  KSSH, ku është shkelur  liria e organizimit sindikal, pavarësia e federative dhe trajtohen në mënyra kriminale  pronat e sindikatave  pa më të voglën transparencë,  duke lënë pa financuar  2/3  e federatave  themeluese  dhe bashkëpronare  të  pronave  të KSSH. Duke parë qëndrimin  indiferent  dhe mospërfillës  të z.Kol Nikollaj   ndaj  kërkesave  verbale dhe me shkrim  të FSBUTT   dhe   kërkesave  që  së bashku i kemi bërë atij, të mbështetura  në statutet  e Federatave, KSSH  por edhe në ligj  për ndryshimin e gjendjes  në KSSH, duke e konsideruar dhe vlerësuar  të rëndë  atë. Si federata  anëtare themeluese  të KSSH, kërkoj  nga Ju dhe    propozoj ,  mbështetur në statutin e KSSH si dhe ne statutet e Federatave, për  të ndryshuar  gjendjen  e rëndë  në KSSH  që :

    1-Të  zhvillohet urgjentisht  mbledhja e Komitetit Ekzekutiv(Presidenca Ekzekutive).

    ( nëse Kol Nikollaj nuk do i përgjigjet kësaj kërkese, ta thërrasim  në këtë mbledhje, në të cilin të vendoset data për thirrjen e Kongresit te KSSH ).

    2- Të  thirret mbledhja e Këshillit drejtues të KSSH, (Asambleja  e Përgjithshme).

    ( nëse Kol Nikollaj nuk do i përgjigjet  kërkesës dhe vendimit të Komitetit  Ekzekutiv(PE)  ne  bëjmë shumicën në KD(AP)   ta mbledhim  ne, ( ne të cilin do të marrin pjesë  anëtarët  legjitim sipas  statutit KSSH).

    3- Të zhvillojmë    kongresin  e KSSH, sipas statutit te KSSH dhe te Federatave.

    Për  këtë  kërkoj  angazhimin  e secilit  që  e   vlerëson  të drejtë   këtë qëndrimin,  mendoj   që  deri  ne 10  shtator të kemi bërë mbledhjen e KE dhe  deri në fund të  shtatorit  të kemi mbledhur KD. Të  nderuar  kolegë,  mendoj se  ne  kemi detyrim   moral,  si qytetarë,   si  sindikalistë, si drejtues si  të  zgjedhur, të mos lejojmë  që  një njeri të  shpërdoroje,  abuzojë, shfrytëzojë  e  ta  shkatërroje  KSSH,  atë për të cilën  të gjithë ne kemi investuar aq shumë, ka   një  detyrim  që  buron   nga  marrëveshja  e  përbashkët  e  8  Federatave, e cila në thelb  ka  mbrojtjen     Federatave  e  KSSH .Ne kemi  detyrim ligjor  si të zgjedhur, që  të gjitha  shkeljet statutore dhe financiare , ti  denoncojmë  ato publikishit  si  të  papajtueshme me moralin dhe misionin e sindikatës  e të sindikalistit. Të dashur kolegë! Sot  KSSH   dhe  gjithë  anëtarësia  e  saj   janë  në  ditën  më  të  keqe që  nga  themelimi  i  saj  21 vjet  më  parë. Është përgjegjësia  dhe detyra jonë  ta shpëtojmë atë. Ne  duhet  të  kryejmë detyrën   që  na  është  besuar, të pajtohesh me këtë gjendje dhe me këto abuzime  do të thotë që  nuk kë  ideale të sindikalizmit  pra nuk je sindikalist  dhe  për rrjedhojë  ne duhet  të dorëhiqemi që të gjithë, ose  duhet të pranojmë se  edhe ne punojmë si z.Kol Nikollaj në Federatat tona. Këtë  unë nuk  e pranoj. Jam i bindur se do të gjej mbështetjen   e të gjithë sindikalistëve të zgjedhur ose jo, tuajën   si drejtues  Federatash  dhe  kolegëve   të  zgjedhur në  rrethe, shpresoj të gjej dhe mirëkuptimin  edhe të Presidentit  të KSSH z. Kol Nikollajt dhe ftoj,  të  na  sfidojë  nëse mendon  se  ka  të  drejtë  dhe pretendon se mbron interesat e KSSH,  sepse edhe unë  nuk  mbroj  interesat  e askujt, por  dua  të  mbroj  vetëm Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë.