Naxhi Kasoruho/ Arjan Shehu, zëri brilant dhe korifeu i këngës gjirokastrite

    819
    Sigal

    Xhevat Avdalli është simboli i këngës gjirokastrite, ndërsa Arjan Shehu është Xhevat Avdalli i ditëve tona  

    Ç’bën moj t’i aty përposh?

    Laj fustanin e tim zot

    Herë me ujë e herë me lot

    Erdhi dje e iku sot

    E mjera, se poqa dot.

    Kjo do të ishte kënga, që do ta afirmonte Arjan Shehun si korifeun e këngës gjirokastrite. Një sukses ky i menjëhershëm, i jashtëzakonshëm, që e këndonte me shokët në fillim të vitit 1978, aty tek kodra, mbrapa godinës së Pallatit të Kulturës, në Gjirokastër. Ishin 4-5 të rinj, 17-18 vjeç, nga lagje të ndryshme të qytetit, që mbas pune, në mbrëmje, mblidheshin e këndonin për qefin e tyre këngën tradicionale gjirokastrite. Arjan Shehu, Mehmet Vishe, Roland Çenko, katër  të rinj të pasionuar pas këngëve popullore, që i kishin mësuar nga prindërit e tyre, kur mblidheshin rreth vatrës së zjarrit, në netët e gjata të dimrit, i këndonin tashmë aty tek kodra e pikës dominuese, mbi lagjet e qytetit. Jonuz Shehu, babai i Arjanit, në atë kohë ishte pjesëtar prej shumë vitesh i grupit karakteristik të pleqve të qytetit, me Korife Xhevat Avdallin. Xha Jonuzi, jo vetëm që ishte një këngëtar veteran i këngës gjirokastritë, me një zë melodioz e që njihte në detaje të gjitha variantet melodike të qytetit të gurtë, por këto motive e këto këngë ia këndonte Arjanit, qysh kur ishte i vogël, duke e përgatitur me vetëdije një këngë, që do të bëhej korife i këngës gjirokastrite. Por Arjani, qysh në djep i dëgjoi zërin hyjnor nënë së tij të shenjtë, që i këndonte ninullat e bukura, kur e përkëdhelte në djep. Në këtë shtëpi, me këngët e prindërve të dashur, me zërat brilant, u rrit e u formua Arjan Shehu, këngëtari i talentuar i këngës gjirokastrite. Kur punoja me grupin e pleqve, në rolin e udhëheqësit artistik, gjithmonë do t’i dëgjoja me vëmendje bisedat me xha Jonuzin, që më fliste për traditat e këngës gjirokastrite dhe më këndonte shumë motive interesante, të veçanta e shpesh të padëgjuara më parë, që solli tek unë njohjen vit pas viti, deri në detaje, këtë pasuri unikale, të kësaj trashëgimie. Këta të rinj të talentuar me ndrojtjen e moshës, nuk guxonin të hynin në sallat e Pallatit të Kulturës, për të dëgjuar specialistët, por këndonin jashtë mureve të godinës së Artit. Petro Kosta, drejtor i Pallatit të Kulturës, në atë kohë, ishte apasionant i këngës popullore, i futi brenda, në ambientet e pallatit këta të rinj. I uli në karriget e sallës dhe këndoi bashkë me ta, duke ligjësuar kështu afirmimin e këtij grupi, drejt rrugëtimit të pandalshëm, duke parandier nivelin e lartë ku do të arrinin. “Grupi i të rinjve të qytetit”, ky do të ishte emri, me të cilin do ta pagëzonin dhe do ta prezantonin në vazhdim në koncerte e festivale para publikut. Arjan Shehu e preku majën e suksesit të tij si këngëtar i këngës gjirokastrite, qysh në prezantimet e para në publik, kjo për variantet e interesante, disi të pa dëgjuara më parë, për zërin befasues, meloditë e veçanta, të cilat e dalluan atë nga të rinjtë e tjerë të qytetit të gurtë… nuk do të kalonte shumë kohë dhe kënga e “Ameve”, do t’i bënte këta të rinj, të arrinin kulmin e popullaritetit të tyre, këngë që i kushtohej Enver Hoxhës. Arjan Shehu, e filloi aktivitetin si këngëtar popullor në një kohë kur në Gjirokastër ishte në kulmin e veprimtarisë së tij, grupi karakteristik i burrave të qytetit, i cili kishte për korife, këngëtarin simbol, Xhevat Avdalli. Në atë kohë, të gjithë këngëtarët e rinj dhe grupet popullore të qytetit kishin si pikë referimi grupin e burrave, apo si e quanim ne, “Grupi i Xhevat Avdallit”. Arjan Shehu, ndryshe nga moshatarët e tij filloi të këndonte variante melodike të ndryshme, nga këngët tradicionale që këndonte Xhevat Avdullai me shokët, e që ishin këngë karakteristike, tipike, historike, të stërzgjatura, të thella, “Budrumçer”, siç i quajnë gjirokastritët. Ndërsa këngët e Arjanit ishin këngë me hopa, me strukturë strofë e refren, në variante melodike të lirikës optimiste, por gjithmonë në shtratin polifonik të këngës gjirokastrite. Këngët janë mbështetur në pentagonin e jugut, në një polifoni të avancuar katër zërash. Ja disa nga këto këngë:

    Argjiro moj tu ndez gjiri

    Të merr malli për Çerçiz

    Lule o djelmo

    Perçen përmbi supe

    Ta zeh erë e Malit të Gjerë

    Dora mbi kobure

    Yll i mbetur nëpër këngë.

    Ndezi këngën Shqipëria

    Në kalanë e Festivalit

    Te ky shesh që s’harron kurrë

    Këngë e Xhevat Avdallit.

    Na vjen këtu Demir Zyko

    Gojë mjalti nga Skrapari

    Krahë për krahë Hafsa Zyberit

    Madhështor Mentor Xhemali.

    Refreni:

    Në sofrën e këngës

    Ku shpaloset fustanella

    Xhamadani Mic Sokolit

    Shqipëria do këndoj përherë.

    “Grupi i të rinjve”, i udhëhequr nga Arjan Shehu, me një zë plot kolorit e timbër shumë melodioz, i mbështetur nga kthyesi, Mehmet Vishe, me një zë si gurgullimë ujëvare dhe Roland Çenko, një nga hedhësit me zë të veçantë e befasues, do të formonin një nga grupet popullore të këngës gjirokastrite, që do të vlerësohej maksimalisht në mbarë vendin. “Grupi i të rinjve gjirokastrit”, do të quhej grup polifonik deri në vitin 1990, kur Arjan Shehu do ta quante “Grupi polifonik Ergjëria”, si emri i vjetër i Gjirokastrës. Ashtu siç thotë dhe kënga që ata këndojnë:

    Kurvelesh e Gegëri

    Ç’u mbështetën në Ezgjëri

    Ky Abdyl bej Frashëri

    Prishi një bazë flori

    Për të mirën Shqipëri

    Nga viti 1978 e deri më 2009, në gjashtë edicione të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, Arjan Shehu ka kënduar me tërë pasionin e shpirtit dhe gjithmonë është vlerësuar si Laureat e këtij manifestimi të fuqishëm, të artit tonë popullor. Gjithmonë, kur dua të vlerësoj talentin dhe kontributin e çdo artisti në gjithë karrierën e tij, shprehem se, talente të tilla, korifenj virtuoz, zëra brilant, të veçantë, unikalë, e të papërsëritshëm në jetën e një kombi, vijnë një herë në 100 vjet. Personalitete befasues, krenari të trashëgimisë tonë artistike, me të cilën ne ndjehemi krenarë, jo vetëm se i kemi në Panteonin e kulturës tonë kombëtare, por u jemi mirënjohës për gjithçka kanë bërë për kombin tonë, duke i dhënë emër të nderuar. “Gjeneral i klarinetës”, e kam quajtur të ndjerin Laver Bariu, “Mjeshtrin e Madh të klarinetës” se ishte unikal, i papërsëritshëm deri më sot nga klarinetistët përmetarë e më gjerë. Dhe për gjenialitetin e tij të interpretimit, është një nga artistët popullorë, që kombit i vijnë vetëm një herë në shekuj. Për  ta ilustruar këtë mendim, do të përmend këtu disa nga figurat e shquara të artit tonë, që janë krenaria e kulturës kombëtare dhe simbole emblema dhe deri legjenda si: Mentor Xhemali, Demira Zyko, Tefta Tashko Koço, Vaçe Zela, Ndue Shyti, Nexhmie Pagarusha, Laver Bariu etj.,  për të cilët ndjehemi krenarë dhe i kemi në memorien e historisë tonë. Ndërsa Xhevat Avdalli është simboli i këngës gjirokastrite, që së bashku me shokët e tij kthyesin, Lavo Erindi dhe hedhësit, Skënder Tushe, Demo Çenko, Behadin Dobi, Jonuz Shehu, Haseni Koze, Braho Çoçoli, Resul Hoxha, Seit Rondo, Kamber Dudumi, Mexhit Mezini dhe Vehip Çarçani, që u thinjën me këngë në buzë, na lanë si pasuri të çmuar folkloriken Grupin e Pleqve të qytetit. Këtë simbol të këngës gjirokastrite. Ja si janë përjetuar në këngë:

    Ka kohë që me radhë s’jemi gjallë më

    Si male të vazhdë Zot një e nga një,

    Kënga juaj shtruar hapur fustanellën,

    Futej në bedena hipte mbi kështjella.

    Kur të na marrë malli ku të gjejmë vallë?

    Ku ta gjejmë këshillën, kur të kemi hall!

     Do ta mbyll këtë shkrim për Arjan Shehun me këto fjalë: Xhevat Avdalli është simboli i këngës gjirokastrite, ndërsa Arjan Shehu është Xhevat Avdalli i ditëve tona.