Myrshit Vorpsi: Ja përse po vonohet metodika e çmimeve për pronarët dhe reagimi pas uljes së çmimeve

    396
    Sigal

    INTERVISTA/Flet përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi për metodikën e çmimeve

     Ende nuk ka dalë metodika e çmimeve për pronarët. Dhe sipas shoqatës së pronarëve kjo metodikë duhet të ishte bërë publike nga qeveria, por fakti që ajo nuk ka dalë do të thotë që ka handikapë. Në lidhje me problemet e pronarëve dhe çmimet e metodikës së re ka folur në një intervistë për “Telegraf”, përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi. Sipas zotit Vorpsi, çmimet që priten të dalin sipas metodikës së re janë çmime që minimalisht janë 4- fish më të ulëta se çmimet që kanë qenë miratuar. Zoti Vorpsi shton se, nëse çmimi maksimal për Tiranën ka qenë një milion e tetëqind mijë lekë të vjetra për metër katror, tani çmimet më të larta që pritet të dalin për Tiranën do të jenë 300 euro për metër katror.

     -Zoti Vorpsi çfarë po bëhet me metodikën e çmimeve për tokat e pronarëve?

    -Po, unë po ju them që çmimet për metodikën e re akoma nuk kanë dalë. Por çmimet që priten të dalin sipas metodikës së re, janë çmime që minimalisht janë 4-fish më të ulëta se çmimet që kanë qenë miratuar. Pra nëse çmimi maksimal për Tiranën ka qenë një milion e tetëqind mijë lekë të vjetra për metër katror. Ndërsa çmimet që më të larta që do të jenë për Tiranën do të jenë 300 euro për metër katror. Pra emrin e ka metodikë por çmimet nuk kanë të bëjnë fare me çmimet reale.

     -Nga e keni marrë informacionin që do të jenë këto çmime në metodikën e re, a janë zyrtare këto shifra?

    -Nuk ka rrugë zyrtare, sepse nëse do ishin në rrugë zyrtare do të ishte miratuar metodika e çmimeve sot. Por ky informacion është marrë nga grupet e punës dhe fakti që nuk del do të thotë që ka ndonjë handikap kjo çështje. Handikapi qëndron në uljen e çmimeve dhe fakti që ka një problem, i cili mund të jetë edhe elektoral, ose mund të jetë edhe ekonomik. Dhe kur them ekonomik ju e dini që shuma e deklaruar për vitin 2013-të ishte 300 milionë lekë të reja për kompensimin e pronave, po ashtu dhe fondi për 2012-n që nuk është lëvruar është dhe ai 300 milionë lekë të reja. Pra, në total të dyja vitet bashkë shkojnë në 600 e 12 milionë lekë të reja. Është e njëjta shifër që është shpërndarë edhe në 2010 dhe në 2011 bashkë. Pra do shfrytëzohet ky moment nga qeveria për të bërë shpërndarjen e të dyja viteve bashkë. Ndërsa pjesa e çmimeve është një handikap. Dhe në një logjikë normale qeveria nuk do që ta publikojë metodikën e çmimeve që është ulur tani, sepse do të ketë një kosto të lartë elektorale nga pronarët. Dhe këtë kosto do ta paguajë në raport me marrëdhëniet me pronarët.

     -Po për kompensimin fizik të pronarëve a ka ende ndonjë shpresë?

    -Ne e kuptojmë fare mirë që nuk ka qenë kjo zgjidhja kompensimi financiar i pronarëve dhe nuk janë çmimet e larta ato që e rregullojnë problematikën. Problemi qëndron diku tjetër. është një problem që qeveria e ka ditur dhe që nuk e ka vënë asnjëherë në zbatim dhe as nuk është interesuar që ta vërë në zbatim dhe as nuk është e interesuar që ta vërë në zbatim. Problemi ka qenë që para se të zbatohet kompensimi financiar duhet të zbatohej kompensimi fizik i pronarëve. Dhe ky duhet të ishte aplikuar përpara kompensimi financiar. Por për sa kohë që ka pasur një axhendë tjetër qeveritare de fakto e cila ka konsistuar në shpërndarjen e tokave në fshat, ju i dini dy amendimet e fundit për tokën që janë: Ligji për verifikimin e pronësisë dhe ligji për ndarjen e tokës së ish ndërmarrjeve bujqësore. Janë dy vendime që de fakto ndajnë çdo sipërfaqe toke që është e pandarë. Janë ligje që nuk kanë menduar fare për pronarët.

     -A ja vlente që qeveria të merrte tërë këtë nisëm sipas jush, vetëm për të ulur çmimet e kompensimit?

    -Ajo nuk e zgjidhi problemin nuk ulur çmimet e kompensimit. Ishte po ajo metodikë që u miratuat nga parlamenti me ato çmime që realisht nuk janë çmimet e tregut, këtë e themi edhe sot e kësaj dite. Prandaj edhe për çmimet e reja që do të vendosi qeveria, unë po ju them që nuk janë çmimet reale të tregut. Qeveria as më shumë e aq më pak, por qeveria do të marri një vendim për Tiranën që as më shumë e as më pak janë 3 herë më të ulëta. Dhe mos të harrojmë që Gjykata e Strasburgut ka vendosur një çmim për Tiranën me 1000 mijë euro për metër katror, ndërsa qeveria e ka ulur 3-fish atë në metodikën e re që do të nxjerrë. Pyetja që lind është që mos kanë rënë çmimet e tregut apo çmimet e tregut kanë një tendencë në rritje? Por të gjithë e kuptojmë që çmimet e tregut kanë një tendencë në rritje. Atëherë çfarë e shtyn qeverinë që të ulë çmimet.

     -Çfarë do bëjnë pronarët nëse do të jenë tre herë më të ulëta çmimet ashtu siç thoni ju?

    -Po kjo ngelet për t’u parë në një të ardhme. Por do të ketë një reagim me votë dhe më pas do të shihet.

    Qeveria hesht ndaj pronarëve

    Po ashtu ju e dini që qeveria nuk është ndjerë edhe se sa e ka detyrimin ndaj pronarëve shqiptarë. Pra qeveria hesht, por  të gjithë e dimë që nuk është një detyrim i qeverisë, por është një detyrim i shtetit shqiptar ndaj pronarëve shqiptar. Por ama është një detyrim i qeverisë për të thënë se sa i detyrohet pronarëve shqiptarë. Ajo duhet të thoshte që x është sipërfaqja dhe y është detyrimi që ka ndaj pronarëve. Por nga ana tjetër të dyja qeveritë si ajo socialiste dhe si kjo demokrate merren me kompensimin financiar i pronarëve. Dhe ato pak para që jepen me pikatore, sepse po bëhen pesë vjet që ndahen lekët dhe është kompensuar një sipërfaqe që nuk i kalon më shumë se 13 hektarë truall, kur detyrimi për kompensimin e tokës truall llogaritet në rreth 7 mijë e treqind hektarëve. Kjo do të thotë që kjo strategji është më tepër inefiçente, dobëson financat e shteti dhe nuk zgjidh problemin e pronarëve. Dhe sa kohë që jemi në një nivel të tillë, është e kotë që të pyetet se çfarë do të bëhet me pronarët, sepse nuk ka një zgjidhje të problemit. Dhe përsa kohë që nuk ka një zgjidhje të problemit, jemi po në atë nivel.