Mospajisja me licencën e re, i mbyll aktivitetin agjencive turistike aktuale

    560
    Sigal

    Projektligji i ri për turizmin/ Kritere të reja për licencimin e agjencive të udhëtimit dhe operatorëve turistikë

    Projektligji i ri për turizmin parashikon verifikim dhe licencim të gjithë agjencive të udhëtimit dhe operatorëve turistikë që operojnë në vend. Në këtë projektligj, zbardhur nga gazeta “Telegraf”, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit parashikon kritere të reja për licencimin e agjencive të udhëtimit dhe operatorëve turistikë. Ndërsa përsa i përket licencimit të agjencive të udhëtimit dhe operatorëve turistikë ekzistues projektligji parashikon pajisjen me licence të tyre brenda 6 muajve të nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të ri duke aplikuar pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit. Moskryerja e aplikimit sjell për pasojë mbylljen e veprimtarisë së tyre. “1. Agjencitë e Udhëtimit dhe Operatorët Turistikë, të cilët kanë filluar ushtrimin e veprimtarisë së tyre para hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të aplikojnë pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit për pajisjen me licencë brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. 2. Mos kryerja e aplikimit dhe mos marrja e licencës sjell për pasojë mbylljen e veprimtarisë së tyre, dhe vazhdimi i veprimtarisë si agjenci udhëtimi dhe/ose operator turistik konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në lekë dhe me sekuestrim të ambienteve dhe pajisjeve që ata kanë në pronësi të tyre”, thuhet në Nenin 46 të këtij projektligji.

     Licencimi i agjencive të udhëtimit dhe operatorëve turistikë (parashikuar në Nenin 44 të projektligjit)

    Sipërmarrjet tregtare turistike që ushtrojnë veprimtarinë e tyre si Agjenci Udhëtimi dhe/ose si Operator Turistik para fillimit të ushtrimit të kësaj veprimtarie pajisen me licencë sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj. Për pajisjen me licencë personi fizik a juridik duhet: të ketë në pronësi ose në përdorim ambiente të përshtatshme, si dhe pajisjet e nevojshme për komunikim; të ketë drejtuesi teknik (ligjor ose i punësuar me kontratë), ose administratori duhet të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për drejtimin, organizimin dhe funksionimin e veprimtarisë turistike, të vërtetuara me dokumente, si vijon: diplomën e arsimit të lartë; dëshmi për përvojë pune ose kualifikim profesional në fushën e turizmit; personeli operues duhet të jetë i specializuar në kryerjen e veprimtarive dhe shërbimeve turistike dhe duhet të zotërojë: dëftesën/diplomën e arsimit të mesëm profesional ose të përgjithshëm; kontratë punësimi sipas Kodit të Punës; leje qëndrimi dhe pune për punonjës me shtetësi të huaj; të ketë besueshmëri financiare për ushtrimin e veprimtarisë së tyre.

    Përveç përmbushjes së kritereve të mësipërme, aplikimi për marrjen e një licence duhet të shoqërohet edhe me: të dhënat për përfaqësuesin ligjor, adresën e saktë të selisë/filialeve, personin/at dhe numrat zyrtarë të kontaktit, e-mail-in etj; regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve me objekt veprimtarie si agjenci turistike dhe/ose operator turistik.

     Licenca

    Aplikimi për pajisjen me licencë bëhet pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit dhe kjo licencë do të regjistrohet edhe në Regjistrin Qendror të Turizmit që mbahet nga struktura përgjegjëse pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin. Licenca që miraton kryerjen e veprimtarisë turistike si Agjenci Udhëtimi dhe Operator Turistik duhet të përmbajë: emrin e sipërmarrjes turistike dhe selinë; emrin dhe mbiemrin, datën dhe vendin e lindjes të drejtuesit teknik ose administratorit; llojin e veprimtarisë turistike që do të ushtrohet dhe kodin e identifikimit. Për çdo ndryshim të të dhënave të deklaruara sipërmarrja tregtare turistike e udhëtimit duhet të njoftojë strukturën përgjegjëse pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin brenda shtatë ditëve nga dita e ndryshimit. Afati i vlefshmërisë së licencës është 3 (tre) vjet nga data e lëshimit me të drejtë rinovimi.