Miratohen kuotat dhe tarifat për masterat me kohë të pjesshme, ja kategoritë e përfshira

    340
    Sigal

    ZYRTARE/Përcaktohet nga Këshilli i Ministrave numri i kuotave për Shqipërinë dhe trojet

    Janë miratuar kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit në institucionet publike të arsimit të lartë për ciklin e dytë të studimeve “Master Profesional” me kohë të pjesshme për vitin akademik 2012-2013. Këto kuota janë të ndara për disa statuse. Konkretisht janë të ndara për:  “Për statusin e të verbrit”, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, “Për statusin e invalidit”, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, “Për statusin e jetimit”.

    Kuotat e ndara për trojet në programin e Masterit

    Kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë “Master profesional”, me kohë të pjesshme, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, të cilat ndahen ndërmjet kandidatëve shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit nga: Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, pasqyrohen në tabelën nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi. Kandidatët nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë. Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke marrë parasysh edhe kërkesat e iAL-ve publike. Ndërkohë kuotat e pranimeve, sipas shkronjës “dh”, të pikës 1, të këtij vendimi, për kandidatët me statusin e personave që nuk shikojnë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e të Verbërve. Kuotat e pranimeve, sipas shkronjës “e”, të pikës 1, të këtij vendimi, për romët dhe ballkano – egjiptianët, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga shoqatat kombëtare respektive të romëve dhe ballkano – egjiptianëve. Kuotat e pranimeve, sipas shkronjës “ë”, të  pikës 1, të këtij vendimi, për  ish – të përndjekurit politikë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë. Tarifat e përgjithshme të shkollimit, si dhe ato për çdo kredit, për studentët që regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë “Master profesional”, me kohë të pjesshme, në vitin akademik 2012 – 2013, përcaktohen në tabelën 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

    Pagesa e tarifës bëhet me këste të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë. Studentët, të cilët nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës, pas përfundimit të kohëzgjatjes normale të programit të studimit, paguajnë vetëm tarifën për kredit të lëndëve të prapambetura.

    Ja kategoritë që do paguajnë 50% të tarifës

    Kandidatët, që do të fitojnë të drejtën në një program studimi të ciklit të dytë, “Master profesional”, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2012 – 2013, dhe që u përkasin shtresave sociale, si: persona që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë, invalidë, invalidë të punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijë që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijë romë, ballkano – egjiptianë apo fëmijë të policëve dhe ushtarakëve e rënë për shkak të detyrës, si dhe të ish – të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë, në masën 50% të tarifës së shkollimit. Shtetasit e huaj, që do të vazhdojnë studimet e ciklit të dytë “Master profesional”, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje ndërshtetërore është parashikuar ndryshe. Studentët, që përfitojnë nga kuotat e përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, i nënshtrohen tarifës së shkollimit të programit përkatës të studimit, në të cilin do të vazhdojnë studimet. Rishpërndarja e kuotave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të cilat mbeten të parealizuara, bëhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me institucionet publike të arsimit të lartë.