Merkel pret Thaçin në Berlin për herë të parë

554
Të mërkurën e ardhshme, më 9 maj, kancelarja gjermane Angela Merkel do të presë në Berlin presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Këtë e bëri të ditur në konferencën e rregullt për shtyp zëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz. Në qendër të bisedimeve do të jenë çështjet bilaterale dhe rajonale, bëri të ditur Fietz. Ndër temat kryesore pritet të jetë ajo e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Angela Merkel ka pasur rastin të informohet mbi këtë dialog nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ndërsa Kosova i ka zhvilluar bisedimet me Gjermaninë deri tani në nivele më të ulëta, por jo më pak intensive. Kështu, për shembull, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ndodhet rregullisht në Berlin për të marrë mendimin e partnerëve gjermanë. Konkretisht, gjatë dy ditëve të fundit ai pati zhvilluar takime me stafin e kancelares Merkel dhe në drejtorinë e Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Tema kryesore ka qenë: Dialogu me Serbinë.
Sigal