Me ilaçet e spitalit, furnizonte farmacinë private

    108

    Paditet nga Ministria e Shëndetësisë. Me ilaçet e pajisjet e spitalit, mbante farmacinë dhe klinikën e tij private

    Ministria e Shëndetësisë ka shkarkuar pa asnjë paralajmërim nga detyra, dhe e ka dërguar për ndjekje penale drejtorin e Spitalit të Peqinit Dashamir Malkja, pas denoncimeve të shumta dhe verifikimeve nga një ekip kontrolli, lidhur me abuzimet e tij me detyrën, dhe përfitime personale me medikamentet e shtetit. Burime nga qyteti Peqinit dhe Ministria e Shëdetësisë thanë dje për “Telegraf” se “mjekut Dashamir Malkja, i cili me qeverinë e Rilindjes u bë drejtor spitali ,(pasi edhe me qeverisjen e PD ka qenë i përkëdheluri i saj), i janë gjetur dhe konstatuar me dhjetëra raste flagrante, që lidhen me abuzimet e tij me detyrën, që lidhen me furnizimin e klinikës dhe farmacisë së tij me ilaçet e spitalit, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe denoncimet nga qytetarët familjarët e pacientëve, gjë e cila ka nxitur Ministrinë e Shëndetësisë të marrë masat urgjente, duke ushtruar kontroll dhe konstatuar shkeljet që sollën edhe shkarkimin e tij”. Rasti i drejtorit të Spitalit të Peqinit Dashamir Malkja, pason akuzat dhe denoncimet e bëra çdo ditë në media dhe institucionet e drejtësisë, mbi korrupsionin e bluzave të bardha në të gjithë vendin. Ky fenomen kaq negativ fatkeqësisht e ka mbërthyer keq sistemin e shëndetësisë, duke rënduar mbi xhepat e hallexhinjve dhe jetën e pacientëve. Mjekët dhe infermierët, farmacistët dhe drejtuesit e spitaleve janë të lidhur në një mënyrë perfekte , në një zinxhir korruptiv, i cili kërkon masa radikale nga Ministria e Shëndetësisë dhe organet e Drejtësisë. Shkarkimi i drejtorit të Spitalit të Peqinit, duket se ka ardhur pas denoncimeve të shumta nga banorët e këtij qyteti, të cilët kanë kohë që vuajnë korrupsionin që bëhet jo vetëm nga ai por nga shumica e mjekëve infermierëve dhe farmacistëve, të lidhur me njëri-tjetrin. I ardhur nga kondigjenti i ish-drejtuesve të PD, mjeku Dashamir Malkja, ka arritur të atashohet shumë shpejt politikisht tek LSI, dhe sërish të arrijë të mos humbasë postet dhe ofiqet si drejtues spitali. Në kundërshtim me ligjin, duke pasur klinikë private dhe farmaci, ai bëhet drejtor spitali, duke nisur ushtrimin e detyrës dhe kompetencave të saj duke qenë në konflikt interesi. Shumë i shpejtë dhe i ashpër ka qenë edhe reagimi i qytetarëve dhe hallexhinjve të Peqinit, të cilët nuk kanë munguar të denoncojnë tek portali Ministrisë Shëndetësisë  fenomenet negative me të cilat ata përballeshin në spitalin e shtetit. Mungesa e ilaçeve, duke nisur nga shiringat, serumet e alkooli, e deri tek pambuku e jodi, i detyronte të afërmit e pacientëve ti drejtoheshin klinikave dhe farmacive private, duke mos përjashtuar edhe ato të mjekut dhe drejtorit Dashamir Malkja. Kjo ka ndodhur me shumicën e tyre të cilët nuk kishin mundësi ti drejtoheshin Spitaleve të Elbasanit. Situata ka qenë dhe mbetet dramatike në Spitalin e Peqinit dhe jo vetëm atje. Kjo situatë kërkon jo mbajtjen dhe emërimin e të njëjtëve drejtues sa herë ata ndryshojnë përkatësinë partiake, por afrimin e mjekëve dinjitozë dhe të pakorruptueshëm. Dhe Peqini ka plot të tillë. Zbulimi i abuzimeve të drejtorit të spitalit, ka sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të kupolës drejtuese të Ministrisë Shëndetësisë, të cilët kanë deklaruar për “Telegraf” se “do të ndalemi seriozisht në rastin në fjalë, por edhe në rastet e tjera për të cilat kemi denoncime nga qytetarët , që lidhen me korrupsionin dhe abuzimin e drejtuesve me detyrën, duke pasur përfitime personale e duke rënduar xhepat e taksapaguesve”.  Ministria e Shëndetësisë duhet që urgjentisht të nisë ndëshkimin e kastës korruptive që ka krijuar zinxhirin e korrupsionit, dhe të dërgojë para ligjit çdo drejtues të akuzuar, duke mos u mjaftuar vetëm me shkarkimin e tij, për ti dhënë mbrojtje politike. Ky dikaster duhet të bëjë publike edhe shkeljet e konstatuara në periudhën para 23 qershorit nga ish-drejtuesit e Spitaleve të Rretheve, të cilët kanë rezultuar me shkelje të rënda ligjore, abuzime me detyrën dhe lidhje me afera korruptive, të cilat po rëndojnë edhe sot mbi ecurinë normale të këtyre institucioneve. Përtej këtij rasti, gjatë qeverisjes së majtë, dhe në fushën e shëndetësisë konstatohet një fenomen tepër shqetësues që duhet shmangur: Emërimet e pa studiuara në këtë sektor dhe korrupsioni në përmasa të mëdha në çdo qelizë të tij.