MAS: Aplikimi për studimet master mbyllet më 5 nëntor

    351
    Regjistrimi për studimet master në universitetet publike do të mbyllet në datë 5 nëntor 2015. Pra, studentët kanë afat edhe 5 ditë kohë që të dorëzojnë dokumentet pranë sekretarive mësimore. Sipas udhëzimit të MAS, nr.46 datë 28.10.2015, fituesit e studimeve master do të shpallen në datë 9 nëntor. Ndërkohë që sipas programeve të studimit që parashikohen konkurs, konkurrimi do të zhvillohet në data 10-12 nëntor 2015. Në total qeveria ka miratuar 18239 kuota pranimi për vitin akademik 2015-2016, ku 10.360 kuota janë për Master profesional”, ndërsa 7.879 kuota janë miratuar për “Master shkencor” “Master i arteve të bukura”. Të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë kanë kandidatët që: kanë përfunduar studimet në Republikën e Shqipërisë me sukses dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të parë “Bachelor” ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë “Bachelor” ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MAS.

    Aplikimi&Fituesit
    Udhëzimi nr.46 datë 28.10.2015, i Ministrisë së Arsimit përcakton procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e dytë të studimeve “Master profesional”, “Master i Shkencave” dhe “Master i Arteve të Bukura”. Në pikën e parë të këtij udhëzimi përcaktohet se pranimi i kandidatëve nga institucionet e arsimit të lartë realizohet në bazë të përzgjedhjes së universiteteve, konformë akteve ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe sipas kritereve shtesë të përcaktuara në statutet dhe rregulloret e tyre. Sipas udhëzimit të MAS, procesi organizohet nga njësitë vendore, por duhet të menaxhohet dhe monitorohet nga rektorati. “Aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë ‘Master profesional’ dhe ‘Master i shkencave’, ‘Master i arteve të bukura’ të bëhen pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore nga data 29 tetor deri në datë 5 nëntor 2015”, përcaktohet në pikën 3 të këtij udhëzimi. Pra, të interesuarit kanë afat deri ditën e enjte të javës që vjen për të bërë regjistrimin. Bashkangjitur shkrimit është tabela e dokumenteve që kandidatët duhet të dorëzojnë. Pagesa e regjistrimit është 2500 lekë.

    Më tej, në pikën 9 të udhëzimit, MAS përcakton se në datë 9 nëntor 2015 universitetet duhet të shpallin listat e aplikantëve fitues të ndarë sipas programeve në përputhje me kuotat e pranimit. Regjistrimi i kandidatëve fitues do të zhvillohet nga data 10 nëntor deri në datë 16 nëntor 2015 pranë sekretarive mësimore. Programet e studimit që parashikohen me konkurs, konkurrimi do të zhvillohen në universitetet përkatëse në datat 10-12 nëntor 2015. “Kandidatët fitues regjistrohen pranë sekretarisë mësimore që mbulon programin e studimit ku janë shpallur fitues nga data 13.11.2015, deri në datë 16.11.2015, duke paraqitur edhe mandatpagesën e tarifës së konkurrimit prej 3,000 lekësh”, përcaktohet në udhëzim. Po ashtu, universitetet duhet që brenda datës 19.12.2015 të publikojnë listën e studentëve të regjistruar për çdo program studimi në cikolin e dytë, me qëllim që të pajisen me numër matrikullimi. Kandidati nuk mund të ndjekë njëkohësisht dy programe studimi në institucionet e arsimit të lartë publik ose dhe/ose privat. AKP, pas verifikimit u kërkon universiteteve ta çregjistrojnë studentin.
    Sigal