Manxhar Binaj/ Hej Drashovicë, këtu u përleshën lebër dhe fric…

    430
    Sigal

    Lufta e Drashovicës, beteja e parë frontale e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

    (Me rastin e 70- Vjetorit, 15 shtator 1943- 05 tetor 21943)

    *Veteran i  LANÇ, Vlorë

    Viti 1943 ka qenë një vit i mbushur me ngjarje, ndodhi, veprime, kthesa e ndryshime të shpejta e të papritura, si në shkallë botërore dhe në shkallë vendi. Në këtë vit ndodhi kthesa e madhe e rrënjësore në Luftën e Dytë Botërore në favor të koalicionit të madh antifashist.

    Britania e Madhe, BS dhe SHBA u lidhën ngushtë, si një trup i vetëm, dhe u bënë një forcë dy apo tre herë më e madhe, për t’i bërë ballë bishës së egër nazifashiste, që bashkë me Japoninë militariste, po kërcënonin seriozisht botën. Ky koalicion ngjalli shpresa e fitoi tek popujt sigurinë se boshti Romë – Berlin – Tokio do të mposhtej dhe liria e popujve do të triumfonte.

    Agresorët, gjatë vitit 1943, sidomos ata nazist, si rezultat i luftës heroike të popujve të BS e të koalicionit, në Evropë e në Azi, u detyruan të kalonin në mbrojtje. U thye njëherë e përgjithmonë miti i sulmit të papërmbajtur hitlerian. Rrethimi dhe asgjësimi i forcave naziste nga Ushtria Sovjetike, në Shkurt të vitit 1943, në Stalingrad, shënoi kthesën historike duke e vënë ushtrinë e Hitlerit para katastrofës. Po në Maj- Qershor të këtij viti, të gjitha njësitë fashiste e naziste që vepronin në Afrikë, qenë asgjësuar apo kapur rob. Tanimë, Hitleri po e kuptonte gabimin e tij fatal, në orvatjen që ndërmori për të mbrojtur BS e botën. Ky vit ishte dhe viti kur Hitleri do të mbetej në vetmi në Evropë, se Italia fashiste, aleatja e tij e ngushtë dhe besnike, po venitej dhe, nga dita në ditë, po shkonte drejt greminës.

    Edhe në Shqipëri situata kishte ndryshime të mëdha. Ajo tani ishte shumë e qartë e optimiste. Lufta ANÇ e udhëhequr me mjeshtëri e kurajë nga PKSH me Enver Hoxhën në krye, kishte marrë kudo përpjesëtime të gjera. Në qarkun e Vlorës ishin krijuar 10-12 çeta e 2-3 batalione partizane. Në shkallë vendi, përveç çetave e batalioneve që ishin krijuar kudo, më 15 gusht 1943, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u krijua Brigada e Parë Sulmuese, që ishte njësia e parë taktiko-operative e Ushtrisë Partizane.

    Lufta e njësiteve guerile, çetave e batalioneve partizane, si në Qarkun e Vlorës dhe në të gjithë Shqipërinë, u kishte dhënë goditje të fuqishme shkatërruese forcat fashiste. Ato si rezultat dhe i disfatave në fronte të ndryshme të luftës, kishin pësuar tronditje të pariparueshme, kishin marrë të tatëpjetën dhe po shkonin drejt kapitullimit.

    Si pasojë e disfatave të njëpasnjëshme që pësuan armatat gjermane e italiane në frontin sovjeto-gjerman dhe frontet e tjera të luftës së Dytë Botërore, më 8 shtator 1943, Italia fashiste tani me Badaljon shpalli zyrtarisht kapitullimin e saj pa kushte. Kurse më datën 9-10 shtator, armata e 9-të e ushtrisë fashiste në Shqipëri shpalli edhe ajo kapitullimin e saj.

    Forcat partizane në Qarkun e Vlorës, këtë ngjarje e pritën me entuziazëm e optimizëm, sepse: e para, u gjunjëzua dhe ngriti duart lart një armik i betuar i popullit shqiptar, që kishte vrarë, burgosur, torturuar e internuar me qindra e mijëra shqiptarë, për katër vjet me radhë; së dyti, se tani po krijoheshin disa mundësi reale për furnizimin me armatim e municione të çetave e batalioneve partizane, që vepronin në qark, megjithatë forcat kapitulluese, e sidomos disa komanda, në fillim të çoroditura, po hezitonin t’u dorëzoheshin forcave partizane, menduan se do ishte më mirë t’u dorëzoheshin forcave gjermane.

    Komanda e zonës së parë Operative dhe qarkori i Partisë për Vlorën paralajmëruan forcat partizane dhe gjithë popullsinë e qarkut se vendin e forcave fashiste po nxitonte ta zinte një armik tjetër më i rrezikshëm, më i egër e më barbar – nazizmi gjerman. Forcat naziste po vinin me shpejtësi nga Greqia e Gjirokastra për t’u dislokuar në garnizonin e Vlorës, që kishte mbetur bosh si rezultat i kapitullimit të forcave fashiste.

    KP për qarkorin e Vlorës porosiste Partinë e popullin që të mos bëheshin pre e propagandës që kishin filluar të bënin krerët e Ballit Kombëtar, se “ardhja e forcave gjermane në Shqipëri ishte pozitive”. Komentet e tyre ishin se, gjermanët ishin paqësorë, vinin jo për të vrarë e prerë popullin shqiptar, por ata kishin punën e tyre. Ata nuk munguan t’u bëjnë edhe thirrje që të mos trembeshin nga mbërritja së shpejti e forcave gjermane. Më datën 10-12 shtator, forcat naziste, me një autokolonë të fuqishme, të pajisur me mjete të blinduara e artileri, ndiqte itinerarin Greqi – Gjirokastër – Tepelenë, me detyrë: të merrte sa më parë garnizonin e Vlorës dhe të zëvendësonte sa më shpejt forcat italiane që kishin kapitulluar.

    Në ditën e dytë të marshimit, që mund të ketë qenë data 12 shtator, forcat kryesore të kësaj autokolone kishin mbërritur në Malin e Bardhë, pranë fshatit Mazhar të Sevasterit, kurse pararoja e tyre po mbërrinte mbi fshatin e Sevasterit.

    Për koincidencë, partizani trim shumë i guximshëm Daut Mystehaku, pjesëtar i çetës “Kanan Maze”, me lejen e komandantit të çetës, po shkonte në familje në fshatin Mazhar. Atë e kishin porositur, kur u nis nga Beuni, ku ishte grumbulluar çeta, të mos shkonte xhadesë automobilistike, po të ecte monopatit. Kur erdhi momenti që do të zbriste në xhade, papritur ndeshet me pararojën gjermane. Motoçikleta e pararojës, me dy ushtarë naziste të armatosur, i del ballë për ballë. Në moment ai i njohu se ata nuk ishin ushtarë italianë, po nazistë-hitlerianë, me shpejtësi, me automatikun e tij, që për fat e kishte të mbushur, hapi zjarr, duke i lënë të dy ushtarët gjermanë të vrarë. Në këtë kohë jo më larg se 2000 metra, pa se në drejtim të tij po vinte një autoblindë. Partizani, me gjakftohtësi mori nja nga automatikët e ushtarëve të vrarë dhe u ngjit malit, ku edhe vendi ishte i maskuar.

    Forcat e tjera të autokolonës, kur gjetën të vrarë dy ushtarët e tyre të pararojës, u tërbuan dhe si bisha të egra u vërsulën mbi fshatin e pambrojtur të Sevasterit. Për çudi, çeta e ballistëve të krahinës ndodhej në lëmin e fshatit, që vrojtohej mirë xhadia. Ajo kishte 2-3 ditë që ndodhej në këto anë. Mbase kishte ardhur edhe me mision për të pritur mikun e largët që po vinte nga Greqia. Në fshat në këtë ditë kishin mbetur disa të moshuar e të sëmurë që nuk kishin mundësi të lëviznin, sepse njerëzit e tjerë ishin larguar që në mëngjes dhe ishin fshehur nëpër pyjet e afërt.

    Komandanti i çetës, kur pa se në drejtim të fshatit po vinte një nënrepart nazist, që u shkëput nga autokolona, të armatosur deri në dhëmbë dhe shumë të egërsuar, bashkë me një eksponent tjetër të Ballit, nxituan t’u dilnin përpara, t’u uronin mirëseardhjen si miq e t’u jepnin dorën. Oficeri nazist, në vend që t’u jepte dorën, urdhëroi ushtarët të hapnin zjarr mbi ta, duke plagosur rëndë komandantin, ndërsa shokun që e shoqëronte e lanë të vrarë në vend. Gjithashtu, nazistët hapën zjarr edhe mbi çetën e ballit. Por çeta, në vend që t’u kundërpërgjigjej me zjarr, se ishin të gjithë të armatosur, asnjëri nuk mori guximin të qëllonte mbi ta, por ia mbathën nga sytë këmbët. Siç thoshte populli me tallje, “vrapin e mbajti në Mallakastër”.

    Ballistët, që flisnin me aq zjarr e simpati se gjoja gjermanët ishin paqësorë e nuk vinin për të luftuar kundër popullit shqiptar, e provuan të parët në lëkurën e tyre se sa paqësorë ishin ata. Pas kësaj, forcat naziste u futën në fshat dhe me  një egërsi të paparë e në mënyrë barbare, shfarosën me zjarrin e armëve, çfarë u dilte përpara, njerëz e kafshë. Në këtë ditë, nazistët vranë 16 veta, të gjithë të moshuar e të sëmurë, vranë edhe Haxhi Beqirin, një plak i dëgjuar e i nderuar në fshat, megjithëse si ide ai anonte nga Balli. Dogjën 20 shtëpi. Nazistët në këto ditë mund edhe ta kishin rrafshuar fshatin, por nxitonin për në Vlorë e koja nuk u dilte. Kështu që, Sevasteri, pas Borovës martire, e provoi i pari në qarkun e Vlorës barbarizmin e masakrës naziste.

    Pas këtij veprimi gjakatar, kolona e forcave gjermane marshoi për në Vlorë. Ato, me shpejtësi u dislokuan në rajonet e fortifikuara që u kishin lënë italianët, duke filluar nga fusha e Mavrovës, Drashovicës e gjithë qytetin e Vlorës. Në fushën e Mavrovës ndodheshin 6 000 ushtarë e oficerë italianë, që kishin hedhur armët, e tani me mbërritje e forcave naziste ata i trajtonin si rob lufte.

     Në situatën e krijuar, Komanda e Zonës së parë Operative dhe KP për qarkorin e Vlorës, me shpejtësi vendosën të ngrinin një shtab operativ, me Hysni Kapon në krye. Ky shtab, më datën 14.09.1943, vendosi të sulmohej garnizoni i përforcuar gjerman në fushën e Mavrovës e të Drashovicës, të çliroheshin 6 000 ushtarë e oficerë italianë të çarmatosur dhe të mbyllur në  një kamp përqendrimi që kishin krijuar forcat naziste aty, në fushën e Mavrovës; të merreshin materialet luftarake që kishin lënë italianët ose, në pamundësi për t’i marrë, t’i shkatërronin. Vendimi u mor që sulmi të fillonte në orën 1.00 të datës 15 shtator 1943. Shtabi i ngritur për drejtimin e operacionit u dha porosi e u shtroi detyra komandave të batalioneve e të çetave partizane që të viheshin në gatishmëri për të marrë rajonet e sulmit. Shtabit të KP të qarkut iu desh të bënin një punë të veçantë me batalionet territoriale të zonave. Ato duhej të organizoheshin dhe po në mënyrë të organizuar të fillonin marshimin për të zënë rajonet e sulmit.

    Shtabi operativ, në pasditen e 14 shtatorit, bëri një rikonicion të shkurtër me komandantët e batalioneve, ku përcaktoi rajonet e sulmit. Batalioni “Ismail Qemali” e “Halim Xhelo” do sulmonin rajonin fortifikuar tek Ura e Drashovicës, ndërsa batalionet territoriale të fshatrave e zonave të sulmonin forcat naziste në fushën e Mavrovës.

    Pas një përgatitje të shkurtër me artileri (sipas mundësive që kishin), partizanët me sinjalin e caktuar, u hodhën në sulm. Lufta u zhvillua shumë e ashpër dhe vazhdoi deri në mëngjes. Partizanët e dy batalioneve dhe ata territorial, megjithëse me një armatim të mbledhur dhe me municione të kufizuara, nuk ishin aspak më inferiorë se armiku, që ishte i armatosur deri në dhëmbë. Në mëngjes, kur po hapej dita, forcat armike ishin afër asgjësimit të plotë. Në këtë kohë, me shpejtësi e në mënyrë të papritur, u erdhën në ndihmë rreth dy batalione, të shoqëruar me mjete të blinduara, nga drejtimi i Vlorës. Më pas, një forcë tjetër erdhi nga drejtimi i Tepelenës, të cilat mundën të bashkohen me forcat e tjera armike që luftonin në rrethim dhe po i kërcënonte asgjësimi i plotë nga forcat partizane. Lufta vazhdoi gjatë gjithë ditës së 15 shtatorit, deri në mbrëmje, me sulme e kundërsulme.

    Komanda gjermane, duke e ndjerë rrezikun e një sulmi të ri nga forcat partizane, natën e 15 shtatorit, duke u gdhirë 16 shtatori, vendosi të tërheqë me mjete të blinduara forcat që i kishin shpëtuar asgjësimit dhe pothuajse të gjithë robërit italianë. Nazistët, me shpejtësi, u vunë zjarrin të gjitha depove me armatim e materiale të tjera ushtarake. Flaka në këto depo vazhdoi për 48 orë. Më datën 16 shtator forcat naziste ishin tërhequr plotësisht nga fusha e Mavrovës dhe e Drashovicës dhe u vendosën në rajonin e fortifikuar të fshatit të vjetër të Drashovicës dhe në lartësitë e Sherishtës, duke mbuluar edhe Urën e Peshkëpisë.

    Forcat partizane, të drejtuara me mjeshtëri e guxim nga shoku Hysni Kapo dhe komandant e batalioneve, nuk u tërhoqën, as nuk e ndalën luftën. Ato e ndoqën armikun këmba – këmbës, megjithëse ai ishte vendosur në rajone të fortifikuara, të favorshëm e dominues. Pas dy ditë e dy net luftimesh të ashpra e të pandërprera, partizanët e detyruan armikun të tërhiqet nga kjo vijë e të zero pozicione mbrojtëse rreth 5-6 km larg Vlorës. Forcat partizane e vullnetare, pasi thyen disa kundërsulme të armikut, kaluan në mbrojtje dhe u përforcuan në vijën: Qafa e Zallit deri në pjerrësitë e Malit të Shashicës, për t’u përgatitur për një sulm vendimtar mbi forcat naziste.

    Komanda gjermane, pasi mori përforcime të reja, më datën 3-4 tetor, filloi operacionin e quajtur “Eliot”. Gjatë 2-3 ditëve, forcat partizane zhvilluan luftime këmbëngulëse, duke thyer disa herë sulmet armike, të mbështetura me artileri e aviacion. Partizanët dhe komandantët tanë, megjithëse pa shkolla akademi ushtarake, jo vetëm që treguan trimëri të rrallë në përleshjen me trupat nazistë, por ditën të organizonin edhe një mbrojtje të fortë apozicionale aktive. Pas shumë luftimesh të përgjakshme, forcat partizane, të ndodhura përballë një armiku më të madh në numër dhe të armatosur me të gjitha llojet e armëve, duhej të tërhiqeshin, me qëllim që të mos dëmtoheshin. Prandaj, shtabi operativ, që drejtonte luftimet, urdhëroi tërheqjen e trupave partizane në drejtim të Grykës së Mesaplikut dhe të maleve të Çikës e të Çipinit, për t’i shpëtuar rrethimit, si dhe kthimin e forcave territoriale në fshatrat e krahinat e tyre.

    Në luftën e Drashovicës, që vazhdoi 20 ditë pa ndërprerje, në të gjitha luftimet, në mësymje dhe në mbrojtje, forcat naziste lanë rreth 300 të vrarë e të zënë rob, veç të plagosurve. Nga forcat partizane ranë si trima në fushën e nderit mbi 23 veta. U plagosën 50 e ca djem, midis tyre edhe shoku Hysni Kapo.

    Lufta e Drashovicës hyri në artin ushtarak të kohës si beteja e parë frontale që zhvilluan, për herë të parë, forcat partizane. Në këtë luftë, batalionet partizane e ato vullnetare, si reparte taktike vunë ose zbatuan me sukses kërkesat e artit ushtarak modern.

    Në qoftë se deri në këtë kohë, në luftën kundër forcave fashiste duke filluar nga njësitet guerile, çetat e batalionet, ishte përdorur vetëm taktika e luftës partizane, që ishte prita, sulmi rrufe, goditja në befasi dhe tërheqja, duke evituar mbrojtjen pozicionale, këtu u kalua në luftë frontale.

    Nuk mund të lemë pa përmendur se lufta frontale ka edhe kërkesat e saj të domosdoshme. Ajo kërkon një prapavijë të fortë, me rezervat dhe resurset e nevojshme për furnizimin e frontit. Forcat partizane nuk kishin depo e magazina të mbushura. Për to, prapavija më e fortë dhe e vetme ishte populli, që i mbështeti pa rezerva në këtë luftë. Gjatë 20 ditëve të luftimit, partizanëve pothuajse nuk u mungoi asgjë. Në çdo fshat, duke filluar nga Kuçi, Himara, Mesapliku, Kudhësi, Gorrishti e Selenica, pa përjashtuar Topalltinë, u krijua brigada të posaçme me njerëz e kafshë, që bënin për çdo natë furnizimin e frontit.

    Populli i këtyre zonave bëri sakrifica të mëdha për të ndihmuar djemtë e vëllezërit e tyre, që qëndronin pa u tundur në pozicionet e zjarrit. Ata hiqnin nga goja e fëmijëve kafshatën e bukës, për t’ua çuar atyre që luftonin.  Kjo ndihmë e përkrahje e popullit u jepte zemër e kuraje partizanëve, i bënte ata të mos kursenin as jetën e tyre për çlirimin e Atdheut.

    Lufta e Drashovicës pati një rëndësi të veçantë për qarkun e Vlorës, për zonën e parë operative e për gjithë Shqipërinë, sepse tregoi që edhe forcat partizane dinë të maten me një armik të fuqishëm, në një luftë frontale. Megjithëse armiku ishte superior në numër e teknikë, ai la më shumë të vrarë në fushën e luftimit, por edhe të plagosur e robër. Edhe kjo pati jehonë të madhe në masat e gjera të fshatit e të qytetit. Forcoi më shumë besimin se vetëm forcat partizane janë e vetmja garanci që do të çlironin atdheun edhe nga agresorët nazistë.

    Si përfundim mund të themi me krenari se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, është epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar. Ajo është lufta çlirimtare pa të cilën Shqipëria nuk do të ishte ajo që është sot. Të vjen e indinjohesh kur dëgjon të flasin ata që deri në fund bashkëpunuan me armiqtë zaptues, duke hedhur baltë mbi këtë luftë. Këta “trimoshë”, për qëllime të caktuara e për të rehabilituar baballarët e tyre të diskretituar, dhe për këto mundohen ta injorojnë, ta zhbëjnë, e ta mohojnë, ti heqin karakterin e saj çlirimtar, duke e quajtur luftë vëllavrasëse. Ne mund tu themi me plotë bindjen këtyre zotërinjve, se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë.

    LANÇ, jo vetëm që është çimentuar me gjakun e 28 mijë dëshmorëve, por është vulosur, sanksionuar e njohur edhe nga koalicioni i madh Antifashist, Britania e Madhe, SHBA, e BS, është shkruar e dokumentuar nga oficerë madhorë të këtyre fuqive dhe historianëve. Prandaj e themi me bindje se ka hyrë e është rrënjosur në historinë e popullit shqiptarë. Përvjetorët e luftës së Drashovicës, Vlora jonë heroike do t’i përkujtojë e festojë në vite ashtu siç përkujton e feston ngjarje të tjera historike e që kanë ndodhur në vite në këtë qytet me tradita.