Lukovë, fillon masakra në ullishte dhe pemëtari

    64

    SARANDË/ Tanimë, e thënë e stërthënë, vjedhja dhe prerja e ullishtes dhe pemëtarisë së bregdetit të fshatrave të Komunës së Lukovës në rrethin e Sarandës, është kthyer në fenomen të masakrës mjedisore dhe asaj të pemëtarisë. Është e vetmja komunë që ka moskokëçarje për mbrojtjen e bimës tradicionale të kësaj treve, ullirin dhe agrumet, por pa munguar kulturat e pemëtarisë tjetër. Edhe këtë vit, sa sezoni turistik përfundoi me varfëri në këtë zonë, filloi nga komuniteti malësor i ardhur vitet e fundit masakra e pemëtarisë, që për hir të së vërtetës nuk ka mbetur as 20% e pasurisë së trashëguar nga periudha e socializmit të para viteve ‘90 të shekullit të kaluar. Banorët e kësaj zone të shohin me lot në sy, duke kërkuar shpëtimtarin për mbrojtjen e kësaj pasurie dhe vlere të zonës dhe pse jo edhe e vetmja e ardhur ekonomike e banorëve që i kanë rezistuar emigrimit. Ata shprehen se këto pemë, pavarësisht nga sa kanë mbetur, janë të mbjella me mund e sakrificë të disa brezave në shekuj dhe sot kthehen si pa gjë të keqe në dru zjarri dhe përdorime të tjera. Dhe fshati më i dëmtuar është Piqerasi i Komunës së Lukovës, ku dhe është përqendruar edhe migrimi më i madh i malësorëve në bregdet. Lidhur me këtë fenomen katastrofik ekonomik, pemëtarie dhe ekologjik, kryeplaku i këtij fshati, Piqerasit, Spiro Gjezo, thotë se ankesat janë të shumta nga bashkëfshatarët, por jemi të pamundur të mbrojmë pemëtarinë e fshatit. “I kemi thirrur në kryepleqësi dëmtuesit, por nuk na dëgjojnë dhe nuk pranojnë vendimet komunitare të fshatit. Jemi në hall të madh dhe kërkojmë ndihmën e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e kësaj pasurie, që me këtë ritëm dëmtimi, i ka ditët të numëruara, sidomos tani që banorët presin prodhimin. Shohim që qeveria jep subvencione për mbjellje agrumesh dhe ullinjsh dhe mirë bën që investon, por neve që i kemi të trashëguara pse nuk na i mbron?”, përfundon kryeplaku i Piqerasit, lidhur me situatën tragjike të pemëtarisë në këtë fshat./ Agron Mema