Luan Rama/ 100 të dashurat e Pablo Nerudës

    421
    Sigal

    Përballë portës së shtëpisë

    në sheshin «Latour-Maubourg»

    ne kishim dritaret e mbyllura të Nerudës

    ku vjeshta shndriste me okrën e saj

    në dritaren e vjetër të katit të dytë:

    Neruda kishte 20 vjet që kishte shkuar

    bashkë me 100 të dashurat e tij,

    të gjitha me fytyrën e Matildës

    me qerpikët dhe buzët e pulpta të saj

    sytë e tyre – poemat më të bukura të tij.

    Pablo i Santiagos dinte të dashuronte përjetësisht

    dhe tu jepte atyre jetë me poetikën e dëshirës

    tu jepte gjoksin e kolmë dhe ngjyrën blu të syve si brigjet e Kilit

    zbukuruar me dantela që zbulonin hiret e supeve

    që prisnin në drithërimë,

    ne ktheheshim në mbrëmje drejt shtëpisë

    pa harruar të kthenim kokat dhe të përshëndesnim fqiun tonë Pablo

    hijen e Nerudës që qëndronte ende aty

    edhe pse mbuluar me roben e mortit,

    poeti Pablo, ambasadori Neruda, në zemër të Parisit

    pranë «Invalidëve» të luftës napoleoniane,

    nuk i shkroi aty poemat e të dashurave të tij,

    poeti Pablo vuante se skrivania me llustër e ambasadës

    i kujtonte kapakun e qivurit

    dhe sytë i pikonin retiçencë aty në mes të aromës së mykut

    dhe qilimave të trashë të Kilit,

    e megjithatë

    vargjet e dikurshme të të dashurave

    pulsonin ende në gjoksin e tij si një këngë bohemi, e pambaruar,

    me petale argjendi e karafili,

    si ehot e një gulçime të pashuar.

    Ne i kishim mësuar prej kohësh fjalët e poetit,

    shkruar në fletushkat e shkollës apo në pusullat e fshehur në xhepat tanë si nxënës të zellshëm të dashurisë.

    Pablo s’mund të jetonte në Parisin e aq shumë dritave,

    që një jetë e kishte ëndërruar,

    donte shtegu e vjetër të Casa  Isola Negra

    Dhe poeti shkoi, oqeanin morri ambasadori Neruda,

    atëherë kur Allende mbante fjalimin e tij në stadiumin e Santiagos,

    pastaj vjeshta u shemb,

    furtuna dhe zia ra mbi tokën e përgjakur të Kilit,

    Allende binte me armë në dorë mbi shkallët e Maneda-s

    ndërkohë që Neruda dergjej në spitalin e qytetit

     rrethuar nga kolonelë me kaska, midis jetës dhe vdekjes…

    popullin nuk e lanë të ndjekin trupin e paqtë të poetit

    me një copë qielli rënë mbi sy, në klinikën Santa Maria

    ndërkohe që Pinochet festonte fitoren

    mbi kockat dhe gjakun e nxehtë të martirëve

    dhe lotët e «Desaparecidos»…[1]

    100 të dashurat e Nerudës shëtisin sot buzë Senës

    dhe krehin flokët e praruar me diellin e Kilit, spërkatur në Senë,

    “Veinte poemas de amor y una cancion desesperata”[2]

    nga ura Mirabeau e tutje në Pont – Neuf,

    në kujtim të Pablo Nerudës,

    vargjet e tij i kanë ngjizur në buzë

    tek recitojnë fjalë malli e prushi,

    ndërkohë që fustanet u ngrihen ne erë

    … dhe Pablo bashkë me to.

    Neruda ka 50 vjet që ka vdekur edhe pse vazhdon të jetojë

    Të dashurat e tij hedhin ende valle

    Përqark krahëve që pështjellin trupin tim dhe botën…

    13 nëntor, 2013.