Lotaria amerikane, të gjitha sqarimet e zyrës konsullore

    591
    Si duhet vepruar gjatë aplikimit, cili është momenti më i përshtatshëm dhe si shqyrtohen dokumentet, roli i arsimimit dhe çfarë ndodh nëse shpalleni fitues
    Ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur zyrtarisht se Programi i Lotarisë Amerikane 2019 hapet në datën 3 tetor 2017. “Këshilla ime kryesore: Aplikoni herët, por ama vetëm një herë!”, bëri të ditur zyra konsullore. Në këtë mënyrë, prej datës 3 tetor 2017, shqiptarët do të kenë mundësi të provojnë sërish fatin, duke aplikuar për Lotarinë amerikane të Vizave. Departamenti amerikan i Shtetit sqaroi se të martën e parë të tetorit, në orën 18:00 (sipas orës së Tiranës) do të hapet portali i aplikimit për Programin e Vizave të Diversitetit, pavarësisht një angazhimi publik të presidentit Donald Trump për të ndryshuar kushtet e tij. Edhe këtë vit, asgjë nuk do të ndryshojë dhe deri të martën, më 7 nëntor 2017, në orën 18:00 (sipas orës së Tiranës), të gjithë do të kenë mundësinë të aplikojnë për të emigruar në “tokën e premtuar”. DV-2019 do të ketë në dispozicion 50 mijë viza emigrimi për fituesit e lotarisë amerikane në mbarë botën. Përzgjedhja, si përherë është rastësore, përmes një shorti kompjuterik.

    Numri i vizave shpërndahet mes 6 rajoneve gjeografike dhe asnjë vend nuk mund të marrë më shumë se 7% të totalit të vizave të shumëllojshmërisë, të dhëna në një vit për këtë qëllim. Shqipëria hyn në mesin e shteteve që kualifikohen si përfituese të lotarisë dhe çdo nga vendi ynë shpallen rreth 3 mijë fitues. Këshilla, megjithatë, është të mos pritet deri në ditët e fundit për të aplikuar, sepse kërkesat e shumta e rëndojnë faqen përkatëse të internetit. Për t’u regjistruar për lotarinë nuk ka asnjë tarifë. Tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në konsullatë, vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur. Para aplikimit për lotarinë duhet të kontrollohen kërkesat për kualifikim, si arsimi ose puna e specializuar. Kërkesa për arsim të mesëm të barabartë me arsimin e mesëm në Shtetet e Bashkuara është shumë e prerë dhe profesionet për të cilat përvoja e punës mund të përdoret për t’u kualifikuar janë të kufizuara. Këto kualifikime nuk shqyrtohen para datës së intervistës për vizë, kështu që përzgjedhja për lotarinë nuk do të thotë gjithmonë se aplikanti do të kualifikohet për vizë.

    Pyetjet për zyrën konsullore
    1 – Pyetja ime ka lidhje me adresën e sponsorit në SHBA. Unë tani kam dhe një adresë tjetër në SHBA që është më shumë në favorin tim dhe dua ta ndërroj. Për të ndërruar adresën, a është e nevojshme të shkyç formularin apo mund ta sjell adresën bashkë me formularin e sponsorit ditën e intervistës?
    Zyra konsullore: “Ju bëjmë me dije se dokumentet shqyrtohen në momentin e intervistës dhe më pas udhëzoheni nëse nevojitet ose jo dokumentacion apo sponsor i ri. Informacionin mund ta plotësoni ditën e intervistës”.

    2 – Nëse aplikoj këtë vit dhe nuk dal fitues, e supozojmë, dhe aplikoj prapë vitin tjetër më digjet ajo e para apo duhet të mbaj të njëjtin kod për 2 vite?
    Zyra konsullore: “Ju mund të aplikoni çdo vit, nëse nuk përzgjidheni për këtë program”.

    3 – Kam një informacion që kategoria F4 e bashkimit familjar është pezulluar për 2 vjet. A është e vërtetë?
    Zyra konsullore: “Ju duhet të monitoroni Buletinin e vizave për të parë ecurinë e kategorisë F4. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/en/law-and-policy/bulletin.html. Shikoni datën në kollonën “All Chargeability Areas Except Those Listed” për kategorinë e vizës suaj. Të gjitha peticionet e dorëzuara përpara asaj date janë aktuale për t’u shqyrtuar”.

    4 – Jam fitues i Lotarisë 2018 dhe jam në vazhdim të shkollës së lartë. A duhet që së bashku me diplomën e shkollës së mesme të dërgoj në ambasadë dhe një vërtetim nga universiteti apo s’është i nevojshëm?
    Zyra konsullore: “Duhet diploma juaj, kështu që ju do të dërgoni diplomën e shkollës së mesme”.

    5 – Duhet patjetër arsimi i lartë?! Po me gjimnaz profesional mund të aplikohet?
    Zyra konsullore: “Shikoni në vijim https://al.usembassy.gov/…/educational-employment…/”
    Shkollimi
    Çdo aplikant duhet të plotësojë ose kërkesat e arsimit ose kërkesat e eksperiencës së punës të programit të lotarisë, si vijon:

    OSE
    – Një arsim të shkollës së mesme apo ekuivalentin e tij, përkufizuar si përfundim me sukses i 12 viteve edukim të plotë zyrtar 9-vjeçar dhe i mesëm;

    OSE
    – dy vjet pёrvojë pune brenda pesё viteve të kaluara në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për ta ushtruar. Për të përcaktuar nëse pёrvoja e punës kualifikohet për lotarinë, do të përdoret Baza e të Dhënave të Departamentit Amerikan të Punës O*Net OnLine.
    KËSHILLA
    Jeni tё inkurajuar të plotësoni vetë formularin e regjistrimit, pa ndihmën e një “këshilltari për viza”, “agjenti të vizave” ose personave të tjerë që ju ofrojnë ndihmë. Nëse është dikush tjetër që ju ndihmon, duhet të jeni të pranishëm në momentin e përgatitjes së regjistrimit, në mënyrë që t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve në mënyrë sa më tё saktё, të merrni faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të pajiseni me faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Pa këtë informacion, nuk do të jeni në gjendje të hyni në sistemin online, i cili do t’ju informojë mbi statusin e regjistrimit tuaj. Duhet të jeni të kujdesshëm në rastin kur dikush ofrohet të ruajë faqen tuaj të konfirmimit dhe numrin tuaj të konfirmimit. Ju gjithashtu duhet të keni akses tek posta elektronike që keni vendosur tek regjistrimi juaj në E-DV. Pasi të keni dorёzuar elektronikisht regjistrimin e plotë, do t’ju shfaqet një faqe konfirmimi, e cila përmban emrin tuaj dhe numrin unik të konfirmimit. Printojeni këtë faqe dhe ruajeni. Duke filluar nga maji 2018, ju do të mund të kontrolloni statusin e regjistrimit tuaj në faqen zyrtare www.dvlottery.state.gov, duke klikuar mbi Kontrollin e Statusit të tё Regjistruarit dhe duke futur numrin unik të konfirmimit dhe informacionin personal. Kontrolli i Statusit të tё Regjistruarit do të jetë e vetmja mënyrë informimi mbi përzgjedhjen tuaj për Lotarinë DV-2019, duke ju dhënë udhëzime se si të vazhdoni mё tej me aplikimin tuaj dhe duke ju njoftuar mbi takimin për vizë emigrimi.
    Sigal