Lindita Nikolla: Mësuesit, pjesë e indentifikimit të problematikave në arsim

    379
    Të gjithë mësuesit dhe drejtuesit e shkollave që janë në marrëdhënie pune do të bëhen pjesë e instrumentit për identifikimin e nevojave për zhvillimin e tyre profesional, në kuadër të një politike të re të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për zhvillimin profesional të mësuesve. Drejtuesit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Tiranës si dhe mësuesit, u njohën sot, me qëllimin e kësaj iniciative dhe mënyrën se si ajo do të realizohet. E pranishme në aktivitetin e zhvilluar në shkollën “E kuqe” në Tiranë, ministrja Nikolla theksoi se ky proces nuk do të nxjerrë asnjë mësues nga sistemi, por do t’i jap fund informalitetit të procedurave për trajnimin e mësuesve. “Është e nevojshme që ne të bëjmë një vlerësim të situatës ku kryefjalë mbetët cilësia e mësuesit. Ky vlerësim na duhet për të ditur se ku janë nevojat për mbështetje për zhvillimin profesional të mësuesve. Në fund të këtij procesi ne do të kemi një bazë të dhënash të plotë bazuar në një instrumente shkencor se cilat janë nevojat e çdo mësuese që është në sistemin e arsimit parauniversitar”, tha Nikolla.

    Ministrja e Arsimit shpjegoi se, nga ky vlerësim në çdo shkollë do të krijohet dosja e nevojave për zhvillimin profesional të stafit pedagogjik si dhe MAS do të krijojë hartën kombëtare të nevojave për zhvillim profesional të detajuar, për çdo DAR/ZA. “Mbi bazën e të dhënave që do të krijohen, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, do ta ketë shumë herë më të qartë se ku do të investohen financat për zhvillimin profesional të mësuesve. Gjithashtu krijohet një mundësi më e mirë për zhvillimin profesional të mësuesve, i koordinuar nga MAS dhe institucione e varësisë”, tha ministrja Nikolla. Sipas saj, ky proces është thelbësor për cilësinë e shkollës shqiptare dhe që lidhet me formimin profesional të mësuesve, duke e bërë më cilësore punën e tyre. Identifikimi i nevojave për zhvillimin profesional të mësuesve do të realizohet për çdo njësi arsimore vendore, DAR/ZA. Ky proces do të realizohet përmes teknologjisë digjitale. Instrumenti për identifikimin e nevojave të punonjësve mësimorë do të fillojë nga Drejtoria Arsimore Tiranë. Janë rreth 1700 mësues të cilët do të marrin pjesë në testim, duke përjashtuar ata që kanë arritur shkallën e parë të kualifikimit dhe kanë mbi 20 vite eksperiencë pune.

    Testimi do të zhvillohet në 6 qendra vlerësimi, që janë pjesë shkollave pilot të klasave inteligjente me tableta si, Partizani, Ismail Qemali, Petro Nini, Sami Frashëri, A.Z.Cajupi, Sinan Tafaj. Testimi do të zhvillohet online, me disa turne, në klasa me maksimumi 20 mësues. Instrumenti përmban 30 kërkesa me alternativa të cilat fokusohen kryesisht në situata nga konteksti real i shkollës, pavarësisht profilit apo ciklit ku mësuesi jep mësim. Instrumenti zhvillohet për 60 minuta në formë digjitale. Instrumenti do të vlerësojë 4 fusha siç janë planifikimi, aspekte metodike-pedagogjike, stilin e komunikimit dhe etikës së përdorur nga punonjësit arsimor si edhe përgatitjen shkencore të mësuesve dhe zhvillimin e tyre profesional.

    Në përfundim të procesit, mësuesi do të njihet menjëherë me përgjigjet në instrumentin e zhvilluar prej tij. Në varësi të rezultateve të instrumentit, për secilin mësues përcaktohen fushat ku ai ka nevojë për zhvillim profesional. Sa i përket Qëndrës Ndëruniversitare e Shërbimeve dhe Rrjetit Telematik, do të jenë përgjegjëse për përgatitjen e programit të teknologjisë digjitale për vlerësimin online të mësuesve. Fondi i pyetjeve për çdo fushë të identifikimit të nevojave për trajnim do të krijohet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Specialistët e IT të DAR/ZA do të asistojmë në çdo shkollë ekipet e mësuesve në mënyrë që të jetë e qarte si përdorimi i teknologjisë dhe metodologjia. Në këtë mënyrë, statistikat e marra në çdo DAR/ZA do të japin një tablo të qartë të nevojave për çdo rajon dhe në nivel kombëtar sipas drejtimeve arsimore përkatëse. 
    Sigal