Ligji i ri për ‘Shëndetin Mendor’ hapësira për trajtim bashkëkohorë

    808
    Sigal

    Specialistët: Ligj i Standardeve bashkëkohore, kërkohet punë për zbatimin e tij

    Ligji i parë  “Për Shëndetin mendor në Shqipëri” u miratua në vitin 1996,(Ligji nr.8092). Për kohën kur u miratua ai ligj përbënte një  risi dhe një zgjidhje të pjesshme të problemeve që lidheshin me të  drejtat e një kategorie personash të prekur nga format e ndryshme të çrregullimeve mendore. Evoluimi i koncepteve për shëndetin mendor  nxori në pah kufizimet e ligjit të mësipërm dhe njëherësh problematikat e reja të kësaj dukurie në Shqipëri, problematika të  konstatuara nga organizma kombëtare e ndërkombëtare të pavarur, si Avokati i Popullit, Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës dhe  Trajtimeve Çnjerëzore( CPT) e tjerë. E gjithë kjo shtroi nevojën e  hartimit të një ligji të ri më të plotë në përputhje me standardet bashkëkohore europiane. Për këtë qeveria shqiptare ngriti një grup  pune   të përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së  Drejtësisë, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si edhe nga ekspertë të QSUT-së. Grupi i punës  u   mbështetet gjate procesit të draftimit të projektligjit të ri në  praktikat dhe legjislacionet  e vendeve si Italia, Portugalia e tjerë. Grupi u asistuar nga specialist të OBSH-së, nga institucioni i Avokatit të Popullit si edhe nga organizata joqeveritare të interesuara. Në tërësi kjo nismë e rëndësishme ligjore iu referua akteve ndërkombëtare, rekomandimeve të OBSH-së si dhe disa rezolutave  e konkluzioneve  të posaçme të Këshillit të Europës, si: -Rezolutës së datës 18 nëntor 1999 “Për promovimin e shëndetit mendor”, Konkluzioneve të Këshillit të Komisionit Europian të 15 nëntorit 2001 “Për luftën kundër stresit dhe problemet e lidhura me depresionin”,  Konkluzioneve të Këshillit të Europës të datës 12 qershori 2003, “Për luftën kundër stigmës dhe diskriminimit lidhur me çrregullimet mendore”, Konkluzioneve të Këshillit të Europës të datës 3 qershor 2005, “Për veprim të shëndetit mendor në komunitet”. Ligji i ri “Për shëndetin mendor” u miratua në Kuvendin e Shqipërisë në datë 12 prill 2012. Ai shënon një hap të rëndësishëm përpara në fushën e legjislacionit specifik për mbrojtjen e shëndetit mendor të  shtetasve dhe, në një rrafsh me të gjerë, në fushën e legjislacionit për liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë ligj kanë gjetur zgjidhje disa nga mangësitë e ligjit të vjetër. Megjithë përmirësimet e dukshme,  ligji i sapo hyrë në fuqi le për të dëshiruar për mënyrën se si ai do te përshtatet e zbatohet në Shqipëri. Ligji i ri ndërkaq ka lënë në harresë kategori të veçanta personash që janë subjekte të dhunës fizike, psikologjike dhe traumave që derivojnë, si p.sh ajo ndaj gruas apo familjeve të ngujuara për shkaqe kanunore… Në  problem i rëndësishëm dhe i prekshëm ishte ai i monitorimit dhe përmirësimit të kushteve për personat me çrregullime mendore që kanë kryer vepër penale (personat që vuajnë dënimin me burg). Është pritur  një trajtim me serioz dhe me profesional për këtë kategori personash, të cilët janë më vulnerabël ndaj problemeve të shëndetit mendor. Ligji i ri pothuajse e anashkalon këtë kategori duke e përmendur thjeshtë në terma të përgjithshëm, pa specifikuar probleme apo trajtime të veçanta. Megjithë përpjekjet e OJF-ve të ndryshme si edhe rekomandimeve të Këshillit të Europës kjo kategori nuk është përmendur sa duhet në ligj. Aktet nënligjore dhe tranzitore i janë lënë në dorë- normalisht-  Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ende pa u miratuar ligji këto ministri morën një iniciativë të rëndësishme.  Ish-Ministri i Shëndetësisë, zoti Petrit Vasili dhe  Ministri i Drejtësisë, zoti Eduard Halimi nënshkruan memorandumin për krijimin e institutit shëndetësor për trajtimin e të burgosurve me çrregullime mendore. Kjo marrëveshje erdhi si reagim ndaj raportit të KiE mbi situatën alarmante në institutet e paraburgimit dhe të burgimit në Shqipëri. Të dy ministrat nënvizuan rëndësinë e saj në kuadrin e masave për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e në veçanti të së drejtës se trajtimit njerëzor dhe përkujdesjes  mjekësore për çdo të burgosur. Ministrat shprehen ndërkaq angazhimin e ministrive përkatëse për paraqitjen e një projektvendimi në qeveri në mënyrë që ngritja e institutit të futet në rrugën e realizimit brenda një kohe optimale. Memorandumi parashikon fillimisht ngritjen e grupit ndërministror që do të  merret me përcaktimin e vendit, ku do të ngrihet instituti si dhe me përllogaritjen e faturës financiare. Kjo marrëveshje shënonte hapin e parë zyrtar për zgjidhjen e problemit të të burgosurve me problem mendore si dhe për promovimin në këtë rrafsh të drejtave të njeriut në Shqipëri. Me gjithë atë informacionet për punën e këtij grupi ndërministror janë të pakta dhe të turbullta deri tani. Natyrisht, mungesa e mbështetjes financiare kufizon të  gjitha iniciativat në këtë rrafsh. Një hap para në ligjin e ri është bërë në aspektin e monitorimit. Struktura monitoruese janë Komiteti Kombëtar i Shëndetit Mendor, i cili është organ këshillimor i Ministrit të Shëndetësisë si dhe Avokati i Popullit .Vendosja e Avokatit te Popullit në rolin kryesor të monitorimit të jashtëm të shërbimeve të shëndeti mendor funksionon ‘de jure’ që nga Janari i vitit 2008, si Mekanizëm Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit çnjerëzor dhe Poshtërues. Ky funksion i është  atribuuar Avokatit të Popullit nga një rezolute e veçantë e Kuvendit si detyrim ndërkombëtar, që buron nga protokolli opsional i Konventës Kundër Torturës (OPCAT) i OKB-së, i cili është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është bërë pjese e legjislacionit të brendshëm me ligjin nr.9094, të datës 3 korrik 2003. Duhet thënë që kësaj strukture të rëndësishme i është dëgjuar zëri vetëm me zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, gjë  qe jep shpresë se do të jetë akoma më efiçente tani që është përfshirë edhe në ligjin e ri për Shëndetin  Mendor. Një problem mbetet roli i organizatave jofitimprurëse në këtë rrafsh. Mënyrat dhe kushtet në të cilat ato do veprojnë për të asistuar personat apo kategoritë në nevoje nuk janë specifikuar qartësisht. Rroli i shoqërisë civile është sanksionuar edhe në konventat ndërkombëtarë në të cilën Shqipëria ka aderuar dhe si rrjedhoje ka obligime t’i zbatojë. Ministritë përkatëse dhe Këshilli i Ministrave  kanë   në dispozicion, aktualisht, një afat tetëmujor  për të  përgatitur aktet nënligjore dhe transitore.