Largohen nga puna dhjetëra naftëtarë, Albpetrol si paguan prej 3 muajsh

    366
    Sigal

    Dhjetëra naftëtarë të Albpetrol-it në Patos, të larguar nga puna papritur, jo vetëm kanë mbetur përballë pamundësisë për të siguruar bukën e gojës për familjen, por prej tre muajsh u janë refuzuar dhe pagat që duhet të merrnin. Kjo, pasi punëdhënësi i detyron që para se të marrin paratë, duhet të nënshkruajnë një deklaratë se largohen me dëshirë nga puna. Naftëtarët i kërkojnë punëdhënësit që t’i shlyejë ata financiarisht dhe t’u japë librezat e punës bashkë me motivacionin e largimit nga puna. Pikërisht, motivacioni real i largimit nga puna (pasi nuk janë zbatuar kriteret), ka bërë që punëdhënësi të përdorë bllokimin e parave në formë presioni që të nënshkruajnë kontratën e “largimit me dëshirë nga puna”. Kjo ka sjellë dhe reagimin e ashpër të të pushuarve nga puna. “Na kanë hequr padrejtësisht nga puna, jo duke bërë reformë, por me tarafe e me bindje partiake. Kanë hequr specialistë që kanë mbi 20 vite në profesione, e në vend të tyre kanë marrë militantë. Për këtë, ne kemi bërë dhe do të bëjmë protesta edhe në të ardhmen. Ka tre muaj që nuk na kanë dhënë pagat që na takojnë po na sorollatin. U themi na jepni librezat e punës bashkë me motivacionin e largimit, por na vënë kushte. Na thonë që të firmosim një deklaratë se largohemi me dëshirë nga puna, që të marrim paratë. Por ne kërkojmë motivacionin real të largimit, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat ligjore për largimin nga puna. Është krijuar një situatë e rëndë, e ne do t’i rikthehemi protestave”,- pohuan naftëtarët e larguar nga puna për “Telegraf”. Më tej ata shtuan se janë të zhgënjyer dhe nga qeveria, përkatësisht nga ministri Damian Gjiknuri. “Na pati premtuar një takim në 1 prill të këtij viti, ministri Gjiknuri erdhi tek godina e ndërmarrjes, por ne nuk na takoi. U desh që të çante rrethimin tonë dhe me mbështetjen e shoqëruesve të tij e policisë private të Albpetrol-it, të largohet pa na takuar”,-shtojnë naftëtarët. Më tej shtuan se, do të përshkallëzojnë protestat duke mos u tërhequr deri në përfitimin e parave të bllokuara padrejtësisht, por dhe në rikthimin në vendet e punës nëpërmjet proceseve ligjore.