Ku?… Ku janë… intelektualët?

674
Sigal

Jorgo MANDILI

Ka shumë abuzime me artikulimin e termit “intelektual”, ashtu siç ka edhe me shumë terma të tjerë si doktorë për doktora “leshi”, profesor për profes’horra, akademikë për akade-miq apo akade-mykurit etj. Por intelektual është kryeterm se nuk kemi të bëjmë me një individ sado i ditur qoftë ,por me një tip të ri mendimtari, me një personazh që ekziston në Teatrin e Shoqërisë si Mësuesi i Njerëzimit me një mision të veçantë – për t’i ndriçuar mendjen njerëzve me idetë e mendimet e tij. Në këtë parashtresë jam përpjekur sado pak të hedh dritë mbi profilin virtuoz të intelektualit, për të patur kujdes në artikulimin e këtij termi qoftë për vete, qoftë edhe për të tjerët.

INTELEKTUALI –TIP I RI MENDIMTARI

I- Intelekti dhe intelektuali

Intelekti, si aftësi për të zgjidhur detyra të reja, për të gjeneruar ide të reja, për të përvetësuar në mënyrë të pavarur ide të reja, nuk është abstrakt. Mbartës i tij është njeriu me cilësitë dhe veçoritë e veta konkrete. Intelekti është forma e shfaqjes së aktivitetit krijues të njeriut është një aftësi “sui generis” e tij. Për veprimtari intelektuale të njeriut, flitet atëherë kur ai është në gjendje të kombinojë dijet e veta profesionale me një intelekt të lartë për tu përshtatur në situatat reale që ndryshojnë shumë shpejt. Ajo hyn në lojë kur shterojnë mjetet e tjera të përshtatjes të tilla si instinktet dhe zakonet. Pra inteligjenca i përgjigjet nevojës për përshtatje të individit kur ai ndodhet në një gjendje “ngërçi” në lidhje me rrethanat e mjedisit. Mund t’i kesh të gjitha këto aftësi, dmth të kesh intelekt dhe inteligjence, e megjithatë nuk mund të quhesh intelektual. Më të sintetizuar definicionin për intelektualin e ka dhënë Zhan Pol Sartri kur thekson se, “Intelektual nuk mund të quhet një individ që është specialist i shquar në një fushë të caktuar të dijes. Që të bëhet intelektual një specialist i shquar, ai duhet të ketë shpirtin kundërkonformist, për të luftuar energjikisht për përsosjen e realitetit. Jo një kundërkonformizëm kryeneç, kapricioz, tekanjoz, por një kundërkonformizëm që buron nga modelet ideale të zgjidhjes së problemeve“. Sintezë, konceptualizim, deduktim, substancë, filozofi – që e kontekstualizuar do të thotë se: –Nuk mund të quhet intelektual ai, i diplomuar, i magjistruar a i doktoruar, ai në cilindo Akademi të shkencave a të shkencave e të arteve qoftë i pranuar, që vishet e zhvishet nëntë herë në ditë për leverditë vetjake, por s’di ç’do të thotë togfjalëshi “të mirat e përgjithshme publike” (R.Qose). Duhen edhe disa aftësi të tjera që të quhesh intelektual:

Së pari, aftësia për të njohur prirjet dhe nevojat e njeriut;

Së dyti, njohja e mjeteve përmes të cilave këto nevoja duhen përmbushur;

Së fundi, njohja e historisë.

Është e pamundur të tregosh nivelin në të cilin ka arritur njerëzimi në një etapë të dhënë duke u nisur vetëm nga parime racionale. Duhet njohur përvoja, duhen studiuar ngjarjet e së shkuarës me një vëzhgim dhe hulumtim të përsosur. Kjo pjesë e njohjes për shoqërinë është njohja historike. Të tre njohjet e mësipërme nuk do të kishin asnjë vlerë, në qoftë se nuk konceptohen si unitet dialektik midis tyre. Një njohje të tillë kërkon shoqëria që të progresojë dhe ajo shtresë që ia ka dedikuar jetën përfitimit të këtyre njohurive është e veçantë në llojin e vet. E, kjo është shtresa e intelektualëve. E veçantë nga shtresat e tjera, sepse ajo mori përsipër të diagnostikojë të këqijat e shoqërisë dhe duke marrë rolin e një Mësuesi të Njerëzimit, ajo përpiqet të ndikojë fuqishëm në modelimin e zgjidhjeve ideale të problemeve si edhe në modelimin e qëndrimeve dhe institucioneve,me përkushtimin e tyre publik e privat. Por prapë nuk mjafton. kërkohet edhe aftësi të tjera që duhet të ketë intelektuali.

Aftësia për të komunikuar dhe denoncuar

-Ai nuk i posedon njohuritë për interesin e vet personal, por për të mirën e shoqërisë. Ai është i përkushtuar ndaj shoqërisë në gjithçka e për gjithçka.

-Ai ekziston falë shoqërisë dhe për shoqërinë. Dhe kjo e bën atë një subjekt për të kryesuar në nivel maksimal të gjitha aftësitë e shoqërisë. Që në rini ai duhet ta ushtrojë këtë aftësi dhe ta mbajë atë në një nivel konstant, por si i pavarur, jashtë partive dhe politikës. Kështu pra, intelektuali e kryen misionin e vet kur ai njohuritë që ka fituar për shoqërinë i vë në shërbim të shoqërisë, kur ai i udhëheq njerëzit në perceptimin e saktë të nevojave të tyre dhe i njeh ata me mjetet për përmbushjen e këtyre nevojave. Kësisoj intelektuali përshfaqet si “agjent” i kësaj veprimtarie, i cili e vendos ARSYEN në qendër të të gjitha gjërave, është ai që do të ofrojë progresin dhe zhvillimin. I spektralizuar ky këndvështrim i integruar i intelektualit në “prizmin” e personalitetit na jep komponentët karakterialë të tij.

Njeriu moralisht më i mirë i epokës së tij

Në këtë kontekst ai duhet të manifestojë në personin e tij shkallën më të lartë të mundshme të etikës të arritur deri në atë moment. Mbi të gjitha, për të përçuar bindjet dhe vizionin e tij, ai nuk duhet të gënjejë, mashtroje apo relativizojë të vërtetën.

-Ai duhet t’i udhëheqë njerëzit në perceptimin e saktë të nevojave të tyre dhe t’i njohë ata me mjetet për përmbushjen e këtyre nevojave.

-Ai duhet të mbështetet në besimin që inspirojnë ndershmëria dhe aftësia e tij, nëse i ka fituar ato me punë dhe veprimtari. Prandaj dhe një nga detyrat e tij është kërkimi, hulumtimi dhe shpallja e së vërtetës. Është “tradhti ndaj Arsyes dhe Shoqërisë t’i gënjejë njerëzit apo të relativizojë të vërtetën për kuletën. Duke vepruar kështu ai bëhet fajtor njëkohësisht edhe ndaj shoqërisë.

Intelektuali – një vizionar profetik

– Ai nuk sheh vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen, nuk sheh vetëm momentin, por edhe pikën e mbërritjes drejt së cilës ecën shoqëria.

-Ai e sheh agimin më herët se të tjerët dhe drejt këtij agimi u tregon rrugën njerëzve. Dijet dhe njohuritë qe ka përfituar nga shoqëria nuk duhet t’i vejë në interes të politikës, pushtetarëve apo bizneseve e individëve të veçantë që kërkojnë ta mbytin të vërtetën. Është detyra e tij t’u paraprijë gjithmonë e më tepër zhvillimit e progresit;

-Ai duhet të harrojë atë që ka bërë pikërisht në atë moment dhe të mendojë vetëm për atë që i mbetet ende për të bërë. Por kjo nuk mjafton.

-Ai duhet të jetë luftëtar energjik dhe i panënshtruar në misionin e tij për të vërtetën.

-Ai i nënshtrohet vetëm “trinitetit diktatorial”– Lirisë, Ligjit dhe Moralit.

-Ai është një “kundërkonformist me çdo gjë që nuk i përgjigjet realitetit, por jo kryeneç, kapricIoz e tekanjoz, por me një shpirt kundërkonformist që buron nga modelet ideale të zgjidhjes së problemeve dhe të luftojë energjikisht për përsosjen e realitetit. Në vendet demokratike intelektualë të tillë janë “asete kombëtare”, respektohen e përfillen e, mbi të gjitha kanë status të veçantë, sepse ata shihen si gjeneratorë të ideve dhe mendimeve të reja, që ndryshojnë statutkuonë dhe “turbullojnë ujërat e ndenjura”, sepse ata dinë disa gjëra që nuk i dinë politikanët. Ata kanë guximin për t’u bashkuar dhe t’u bëjnë thirrje politikanëve të jenë kurajozë, të ndershëm, humanë për të bërë ndryshime rrënjësore në tërë qëndrimet, konceptet dhe veprimet e tyre politike. Ndryshe, civilizimi i njerëzimit rrezikohet. Vetëm një si Zhan Pol Sartri, mund të jepte një definicion kaq shterues për intelektualin. Çdo njeri me inteligjencë mesatare pasi ta kuptojë Sartrin në nivelin “ratio”, do të mendohet mirë para se të përdorë termin “intelektual”, qoftë për veten, qoftë edhe për të tjerët.

Intelektuali — mit dhe aset

Intelektuali është një tip i ri mendimtari, i cili që në fillim e shpalli veten si martir i sakrifikuar për interesat e njerëzimit dhe i veshur me misionin fisnik për t’i ndriçuar mendjen njerëzve nëpërmjet ideve e mendimeve të tij. “Jam një prift i së vërtetës ;jam në shërbim të saj; jam angazhuar të bëj, të përdor dhe duroj çdo gjë në emër të saj. Edhe nëse do të persekutohesha dhe urrehesha për dashurinë ndaj saj, edhe nëse do më duhej të vdisja në shërbim të saj, a nuk do të kisha bërë veçse atë që është detyra ime në vetvete?” Ky është betimi i një intelektuali, filozofit gjerman të shek XVIII , Johan Gottlieb Fichte, Kur ai thotë: “Unë jam prifti i së vërtetës” ai me këtë nënkuptonte, se për intelektualin, Zoti është e Vërteta dhe për këtë ai nuk bënte asnjë kompromis me këdo dhe me çfarëdo!

-Ai kishte zgjedhur të vërtetën “si bashkëshorte”:

  • që ishte i lidhur me të në jetë e në vdekje
  • që e mbrojti atë edhe kur kundërshtohej nga të tjerët ;
  • që e mbrojti publikisht kur përdhosej dhe fyhej ajo
  • që duroi në emër të saj urrejtjen e fshehur me dinakëri nga të mëdhenjtë dhe qeshjen torollake të maskarenjve apo ngritjen pasiononte të shpatullave të meskinit.

U persekutua, u urrye, u tall, u përqesh. Përse? Për të Vërtetën dhe vetëm për të Vërtetën. Ajo ishte Zhuljeta e këtij Romeoje intelektual, që për mbrojtjen e saj jepte edhe jetën. “Edhe nëse do më duhej të vdisja në shërbim të saj, nuk do të kisha bërë gjë tjetër veçse atë që është detyra ime në vetvete“. Në këtë kontekst intelektuali e shpall veten martir për të VËRTETËN, për interesat e njerëzimit, me misionin fisnik për të përmirësuar jetën e njerëzve me idetë, mendimet e veprimet e tij. Gjatë historisë, të tillë mund të përmendim; Zhan Zhak Ruso, Shelli, Marksi, Ibseni, Tolstoi, Heminguei, Breht, Rusell, Ajnshtajn, Sartri etj., etj… Të gjithë këta intelektualë i janë përmbajtur një linje mendimi, e cila do të bëhej lajtmotivi i bindjes së tyre: “Virtyti, Liria dhe e Vërteta”. Por çfarë mund të thuash për ata pseudointelektualë,që dashuria e vetme për ta është Pushteti për të sunduar, Mashtrimi dhe Gënjeshtra për ta fshehur këtë sundim dhe Kuleta për ta mbrojtur atë.

II – INTELEKTUALI ORIENTAL – ATAVIZËM I PARACIVILIZIMIT

Në mënyrë të natyrshme çdo njeri mund të shtrojë pyetjen: A kemi intelektualë të ngjashëm me të parët? Nëse do të përpiqeshim të gjenim modele, të paktën t’u afrohen të parëve në periferi të personalitetit të tyre (se të ngjashëm me ta nuk bëhet fjalë), do të binim në pesimizëm, sepse do të kuptonim, jo vetëm se sa i vogël është pushteti i mendjes në Shqipëri, por do të neveriteshim nga “epopeja e intelektualëve komedianë”, të cilët abuzojnë çdo ditë e më tepër me termin “intelektual”. Dëgjon shpesh politikanë, deputetë, ministra, drejtorë, specialistë, bodigardë, policë e çdo kush që “është i diplomuar, i magjistruar a i doktoruar” ta shpalli veten intelektual. Në fjalime apo intervista, në studio apo promovime të ndryshme shpesh dëgjon: “Unë, ti, ai, ne, ju ata ….si intelektualë……..” E vazhdon ligjërata duke e lakuar e artikuluar termin “intelektual”, kaq shumë, sa që ndjen neveri për njerëz të tillë, të dështuar në fushat e tyre profesionale, por që kërkojnë të duken të suksesshëm në politikë, shkencë, akademizëm, drejtim e kudo tjetër, duke e përdorur në mënyrë abuzive termin “intelektual”. Prej tyre, ky konsiderohet si një vlerësim, si një medalje apo honor që ta japin strukturat partiake, politike, qeveritare apo shoqërore. Nuk janë veçse, ata lloj tipash provincialë që tradicionalisht kanë qenë dhe mbeten “servilë , poltronë , puthadorë, lehtësisht, madje, vullnetarisht të nënshtrueshëm ndaj pushtetit dhe ndaj pushtetarëve”. Kjo është prirje mendore dhe morale e intelektualëve orientalë, të cilët kanë ekzistuar dhe ekzistojnë me shumicë ende në vendin tonë. Ta pranojmë atë që thotë, ndër më të paktët intelektuali i fundit i mbetur, profesori dhe akademiku R. Qose: “Ndryshe prej intelektualëve evropianë me identitet mendor dhe moral, me pavarësi mendore dhe të sjelljeve, intelektualët shqiptarë, tradicionalisht kanë qenë dhe janë, as më shumë e as më pak – intelektualë orientalë që lindin elita proviciale. E thënë ndryshe ne nuk kemi elita politike dhe intelektuale në kuptimin që ka ky togfjalësh si në vendet euroantlatike”.. Efektet e një “orientalizimi” të tillë nuk kanë qenë pa pasoja në shoqërinë tonë. E, konkretisht, më të spikaturat e që ende “gjallojnë”edhe sot janë: – Një “produkt historik” në “kofinin tonë pas të vjelit”. Duke reaguar sipas kësaj filozofie për disa ngjarje kruciale të historisë sonë kemi mbetur gjithmonë të fundit

– Të fundit u shkëputem nga otomanizmi,

-Të fundit kemi mësuar të shkruajmë gjuhën tonë,

-Të fundit kemi ngritur Universitetin dhe Akademinë,

-Të fundit në “përmbysjen” e komunizmit,

-Të fundit besoj do jemi edhe në integrimin në Evropë. Por…., të parët në shkatërrime, vjedhje, vrasje, prostitucion, drogë, e çdo lloj snobizmi tjetër që lidhet, jo me punën, intelektin, inovacionin, por me atë çfarë shohim e dëgjojmë – Krijimi i një një shoqërie rurale e shpesh tribale, që ka nxjerrë një klasë politike me mentalitet feudal partiak të rrethuar nga “çaushllarë, e vet-efendilere, spahinj, njerëz besnikë të dëgjueshëm e të nënshtrueshëm, ndonjë i dijshëm dhe shumë të padijshëm”.(R.Q) -Lindja e turmave, që mund të shtratifikohen në tre grupime: militante,mediokre dhe një minoritet qytetar anonim. Të parët janë grupuar rreth partive përkatëse,të dytët, mediokrit,në zyrat e qeverisë,presidencës e drejtësisë. Të tretët, janë ata që i venë kërkesa vetes dhe luftojnë çdo ditë për realizimin e tyre, në heshtje dhe pa u ndjerë. -Lindja e një elite politike,intelektuale dhe akademike provinciale, nga kjo shoqëri rurale e shpesh tribale. Dhe nuk ka si të ndodh ndryshe. Nuk mund të presim që nga” gjembat të dalin trëndafila”!? Vetëm nga një shoqëri me mentalitet të urbanizuar– klasa politike – elita e saj dhe elitat e tjera dalin nga mendimi politik dhe intelektual i përparuar. Si mund të ndodhë kështu? – mund të pyesë me të “drejtë” ndonjë., kur ne kemi mbi 40 universitete, akademi, mijëra të diplomuar, qindra të magjistruar, dhjetëra të doktoruar, kemi profesorë, akademikë, shkencëtarë, shkrimtarë e artistë të fushave të ndryshme. . Po! Është e vërtetë! I kemi, por nuk janë BIO, por OMGJ!? Kemi të diplomuar,por të paditur; kanë studiuar për master e kanë dalë masteraxhinj; e vazhdojnë të dalin; janë bërë doktor shkencash dhe në jetë shfaqen si “doktora leshi”; kanë marrë titullin profesor she në fakt janë profes’horra; janë kooptuar si akademkë – akade-miqtë dhe akade-mykurit etj., të këtij lloji deri tek”doktor Ho(no)ris Causa”. Universitetet e “sarandisura”,– nga gjeneratorë të intelektit dhe qytetarisë janë kthyer në “vrima të zeza”të diturisë dhe virtytit. Keni parë ,dëgjuar apo lexuar ndonjë njoftim në media,revista apo aktivitete shkencore të promovohet ndonjë produkt shkencor, akademik, ekonomik, social, mjekësor, pedagogjik, psikologjik, filozofik, bujqësor, teknologjik, inxinierik etj., që të ketë firmën, vulën, logon, emrin e ndonjë universiteti të Shqipërisë? Siç ndodh rëndom me njoftime të tilla kërkimesh nga universitetet euroantlantikë? Pse ndodh kështu? Sepse, siç abuzohet me termin “intelektual”, abuzohet edhe me termin “shkencë”, “kërkim”. Artikulohet në çdo raport, takim, konferencë, mbushen formularë pa fund, organizohen konferenca shkencore pa masë, botohen artikuj e libra shkencore pa reçencë e kritikë shkencore dhe rezultati?- “U mbars mali e polli një mi…të ngordhur–” Asgjë. Por paratë vu nga taksat e popullit pa futur ata asnjë tê ardhur nga produktet universitare, që e kanë me ligj krijimin e të ardhurave nëpërmjet kërkimit shkencor. Përpos, të ardhurave të tarifave të studentëve!? Vetëm marrin! Marrin dhe nuk krijojnë. Ja pra Universitetet dhe IAL-të, që duhet të ishin kthyer në një forcë gjeneruese intelekti dhe qytetarie, janë kthyer në një “vrime të zezë”, që thithin para, vlera, dituri, qytetari dhe emetojnë mediokritet, injorancë, papunësi. Sepse Universitetet po i gërryen paaftësia menaxhuese dhe akademike, korrupsioni dhe nepotizmi, vegjetimi intelektual dhe dembelizmi shkencor, masivizimi idiotesk dhe liberalizimi anarkist. Dhe “qeveriu” hesht. Pamjaftueshmëria e “oksigjenit rilindës”, veçse u zgjat agoninë atyre drejt shpirtdhënies. Nëse do të na lejonte Kryeministri ynë i nderuar, me leje, të ministres së Arsimit, të bënim një krahasim se në çfarë gjendje janë universitetet si rrjedhojë e gjysmë-reformave të realizuara prej tyre në arsimin e lartë, atëherë metaforikisht do t’i krahasonim me ato pajtonet e vjetra, që u kërcasin të gjitha pjesët dhe që tërhiqen nga kuaj të lodhur e të drobitur, që shërbejnë vetëm për një gjë- për Asgjë. Atëherë nga I presim intelektualët?…. Nga Universitetet UFO? Kaq shpresëhumbur jemi? Jo! Ka një dritë në tunel. Është Diaspora. Janë djemtë dhe vajzat mendim-ndryshe, të edukuar në Botën e Lirë. Nuk do ta lenë NËNËN të “japë shpirt”. Do t’i japin dorën si të parët e tyre. Dhe NËNA e ndjen këtë! Dhe nuk ka frikë! E ndjen NËNA, dhe pret, pret se një ditë ato djem e vajza do të vijnë! Dhe do ‘a ngrenë NËNËN në këmbë. Për ta mbajtur kokën lart si ZONJË! Dhe atëherë do Rilindë Shqipëria .Dhe atëherë ‘Paria’ e Tiranës do të mbetet e kryqëzuar në “Shtyllën e Turpit”. Na duhen intelektualë të tillë “me identitet individual, mendor dhe pavarësi mendimi dhe sjelljeje” , vërtet evropiane, që aq shpesh i artikulojmë, i mendojmë, i kërkojmë… I kërkojmë këtu, po … ku janë?! Disa thonë, janë të trembur, disa të tjerë thonë se u kanë zënë “frymën” mediokrit, akoma një pjesë pretendojnë se nuk duan të ngatërrohen me politikën, akoma të tjerë se nuk I dëgjon njeri dhe vështrojnë punën e tyre. E, këta nuk janë intelektualët, me atë “paketë” tiparesh, që i bëjnë ata të veçantë nga shtresat e tjera, që I bëjnë ata “priftërinj” të së vërtetës, që për këtë të fundit edhe sakrifikohen. Ata të “tremburit”, të”strukurit”, indiferentët – nuk janë veçse, shkollarë! Deri kur t’i gjejmë apo deri kur të “trimërohen” e të dalin nga “vrima” ku janë futur -le të kënaqemi atëherë, me atë që Oruelli i krahason të tillë shkollarë me magjistratë e me doktorata e madje dhe me tituj akademikë- me qentë e cirkut- të cilët kërcejnë kur ushtruesi i tyre godet tokën me kërbaç! Por, me që këta tanët janë mirë të ushtruar kamxhiku nuk nevojitet fare, se kërcejnë vullnetarisht, ashtu siç kërcejnë edhe politikanët tanë, madje edhe për “qejf të ambasadorëve”!