Katër kuçiotët e Mat’hauzenit

    505
    Sigal

      Prolog

              Kuçi dhe kuçiotët i dhanë shumë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për të cilat ndjehen  krenarë kudo që janë, atje në vendlindje, në Tiranë, apo anekënd Botës ku i kanë çuar rrugët e jetës. Për to është folur e është shkruar mjaft. Veçse, jo aq shumë është folur e shkruar për një nga ngjarjet më pikante, më emblematike, jo vetëm për atë fshat, jo vetëm për Labërinë si krahinë, po për gjithë Shqipërinë e më tej, për atë ngjarje, e cila një ditë dhjetori të vitit të kaluar (2012) mblodhi në qendër të Kuçit shumë kuçiotë të gjeneratave të ndryshme, për të risjellë edhe një herë përfytyrimin e katër bijve të paharruar të kësaj treve, të cilët, me aktin e tyre human, (ndonëse diktuar nga fati) e shkruan emrin e vet në analet e historisë (madje evropiane) për të mbetur gjithnjë të gjallë, sa më tepër vite të kalojnë.

              Është fjala për katër bijtë e Kuçit, Tafil Sinovarfi, Halil Qendro, Zylfo Hoxha dhe Colo Kondi, që do të do të shndërroheshin në simbol të qëndresës gjatë 18 muajve të qëndrimit në kampin famëkeq nazist të Matahuzenit në Gjermani, si edhe gjatë katër muajve tërë peripeci të kthimit në Atdhe.

    Sepse atë ditë dhjetori komuna e Vranishtit, në të cilën përfshihet Kuçi, u shpërndau të afërmve të tyre certifikatat “Qytetar Nderi i Komunës” akorduar në shenjë respekti e përuljeje para sakrificës së tyre.

    E kisha përfytyruar atë kalvar skëterrë të jetës së tyre si në një serial filmash “Horror” prej rrëfimeve që kisha dëgjuar për këtë ngjarje  të jetës së atyre katër djemve prej shumë njerëzve, veçanërisht nga njëri prej tyre, i ndjeri xhaxhai im Colo Kondi dhe prej kohësh desha të fiksoja diçka.

     Me këtë pikësynim në vitin 2001 intervistova të vetmin prej tyre që jetonte ende deri atëherë, të ndjerin Tafil Sinovarfi dhe, mbi atë intervistë të regjistruar, po mundohem të risjellë sa më prekshëm, sa më emocionalisht, atë kalvar vuajtjesh, përmes të cilit portretizohen ata katër burra në lulen e rinisë së tyre.

                Kohëskëterra e udhës së jetës

               Më 8 janar të vitit 1943, një grup të rinjsh  nga shtëpi të ndryshme, të nxitur nga ndjenja e krenarisë kombëtarë dhe prezenca e të tjerëve djem kuçiotë deri atëherë në formacione të ndryshme partizane, tërë entuziazëm, pa “i bërë hesap kokës”, morëm rrugën drejt Zhulatit për t’u inkuadruar në Grupin e Parë Operativ Vlorë – Gjirokastër.

    Pritja e ngrohtë atje dhe instruksionet e përditshme bënë që të ambientoheshim shumë shpejt dhe, pas tre muajsh përvoje në veprimtari luftarake të përmasave të ndryshme, katër prej tyre: Halilin, Zylfon, Colon dhe mua na inkuadruan në një njësit zbulimi dhe me në krye komandantin e këtij njësiti, Colon, na nisën me një detyrë, që më vonë do ta merrnim vesh se, për nga rreziku, kishte qenë në kufi të sakrificës.

    Konkretisht. Duke shfrytëzuar terrenin, me kujdesin më të madh, të afroheshim sa më afër pozicioneve të forcave armike që u ishin afruar shumë pozicioneve tona dhe të merrnim të dhëna për vendet e dislokimit, për forcat e mjetet që dispononin, për veprimet që kryenin dhe informacionin që do të merrnim ta përcillnim sa më shpejt e sa më saktë në komandën tonë.

    Për tri – katër orë, me veprime të shpejta e të kujdesshme arritëm të detajonim shumë të dhëna nga ato që kërkonte komanda jonë. Por, befas, na mbuloi një mjegull e dendur, e cila, jo vetëm na vonoi lëvizjet, por na bëri që të kishim avancuar edhe më tepër drejt pozicioneve të armikut e, mbi të gjitha, me ikjen e beftë të saj, të gjendeshim fare zbuluar e të rrethuar me asnjë mundësi tërheqjeje. Për rrjedhojë ramë në duart e forcave armike që ishin të shumta, të cilat na çuan në Vend – Komandën e tyre në vendin e quajtur Kopaçëz dhe prej andej, të nesërmen, na transportuan për në burgun e Delvinës, ku do të na mbanin për 18 ditë.

    Që këtu e tutje, në të gjitha peripecitë që do të na ndodhnin, do të kishim parasysh këshillat që na dha shpejt e shpejt më i pjekuri nga mosha, komandanti ynë, Colua, në çastin kur po binim në dorë të armikut: “Me çdo çmim nuk do të tregojmë pse ndodheshim atje ku u kapëm e aq më tepër të dhëna për forcat tona”. Sepse i ishim përgjigjur: “Betohemi me besa – besë!”.

    Ditën e tetëmbëdhjetë të qëndrimit në burgun e Delvinës na bënë thirrjen e fundit për të treguar, duke na ofruar lirimin në rast se do ta bënim atë, në të kundërt, do të na nisnin për në Kampin e Përqendrimit.

    Edhe sot e kësaj dite nuk e imagjinoj se ku e gjetëm atë forcë e karakter për të mbyllur gojën, edhe pse çdo ditë që kalonte rrezikonim jetën tonë.

              Në orët e vona, nga burgu i Delvinës, na hipën në një transportues të blinduar dhe vetëm të nesërmen do ta merrnim vesh se na kishin çuar në Selanik në një vend grumbullimi ku do të qëndronim tre muaj, mes një numri të madh robërish të tjerë nga të gjitha vendet e rajonit në kushte tejet të vështira, me ushqim, fjetje e trajtime të tjera si mos më keq.

    Veçse me një shpresë e besim që ndonjë ditë do të liroheshim, sepse shpresa qenka gjithnjë e madhe. Por, ah…!

    Në një çast ëndërrimesh të tilla një natë vonë në pikën e grumbullimit mbërrin një autokolonë e gjatë makinash dhe ushtarët gjermanë që shoqëronin atë,të xhindosur, duke na goditur si të mundnin, me një shpejtësi marramendëse na hipën nëpër makina, të cilat u nisën për ku s’dinim asgjë.

    Po tronditesha unë aq shumë, saqë për një çast e ndërpreva intervistën, edhe pse me frikë mos më mbetej përgjysmë duke u turbulluar aq shumë nga meditimet. Por ai, sikur ta kishte kuptuar këtë, vazhdoi rrëfimin, tashmë duke filozofuar:

    Kur ke rënë rob, ndjen një tronditje të madhe. Ndjehesh shumë keq. Jo për jetën. Për dinjitetin. Nuk mund ta marrësh me mend kur e kupton që ti nuk peshon as sa një letër cigareje, kur për të tjerët ti s’je më njeri, gjë që e kishim përjetuar gjatë gjithë rrugës për në Gjermani. Mërreni me mend se ç’do të ndodhte në kamp, ku për tri – katër orë qëndrimi më këmbë, na ndanë sipas listave që kishin përgatitur paraprakisht sa më larg të njohurve. Merreni me mend se  në ç’ tmerr do të shtyje sekondat atje. Pa le më orët, ditët, javët, muajt:

           Të lodhur, të rreckosur. Të uritur e buzëplasur për një pikë ujë. Mes ushtarësh e oficerësh të ashpër në maksimum e të prerë në veprime të shpejta e të papritura, saqë s’të linin kohë të merrje frymë e jo më të orientoheshe. Sepse çdo veprim kryhej me vrap e, nëse rrëzoheshe, gjendeshe nën goditjet e çizmeve që të godisnin ku të mundnin. Për pasojë qysh aty në atë rreshtim nisën vdekjet e para. Këputej burri i botës nga më këmbë përdhe sikur t’i kishe prerë kokën, pa mundur të marrë as ndihmën e shokut që e shikonte më dhimbsuri e drithërimë, pale më nga gjermanët që s’u bënte përshtypje fare se ç po ndodhte.

    Na ndanë nëpër kazerma ku do të flinim, por asnjë nuk guxonte të shtrihej, kufomë më këmbë në një heshtje varri, me ankthin e urdhrave të reja.

    Vetëm pas 3 – 4 ditësh u orientuam se ku ishim e me kë kishim të bënim. Morëm vesh se kishte nga shumë vende të Evropës, gjë që e kuptonim nga fakti se nuk dinim gjuhët e njëri – tjetrit. Gjatë gjithë 18 muajve të qëndrimit atje s’kishim komunikuar asnjëherë me asnjërin midis katër shokëve.

    Mua, personalisht, pas disa muajsh më caktuan të punoja në minierë. Një  punë mes rreziqesh të përditshme. S’kishte ditë që të mos vdisnin tre – katër vetë atje brenda. Sa nga dobësia trupore, aq nga  aksidentet, sepse s’bëhej fjalë fare për  masa sigurie. Mjafton të përmend faktin se vetëm një ditë nxorëm nga galeria me vagonë 13 kufoma.

     Domosdo me 25 gram bukë në ditë dhe një gjellë që vetëm e tillë s’mund të quhej. Domosdo pa asnjë lloj shërbimi shëndetësor. Këto veç asgjësimeve masive me grupe në Dhomat e Gazit e të Ftohjes për t’i djegur më pas në Krematorium.

    Kjo nga ana fizike.

    Më e tmerrshme, ana psikologjike. Asnjë kontakt më familjet, të cilat s’dinin se ku ishim ne  dhe ne s’dinim si ishin ato. Fjetje për kohë të tëra pranë kufomës pranë, që s’dihej se kur ishte shndërruar në kufomë, deri sa të vinin ta merrnin për të çuar në Krematorium.

    Fati na kish ndihmuar ne katër kuçiotëve që s’kishim qenë në listat kolektive të zhdukjes masive. Duket se edhe mosha e re na ndihmoi që të përballonim ato kushte shtazarake. Nga ana shëndetësore më keq u katandis Colua, të cilit iu infektua dora e djathtë deri në atë masë saqë çdo ditë i rridhte gjak e qelb, megjithatë e përballoi këtë deri sa u kthye në shtëpi. Sidoqoftë, vetëm pak arriti të jetojë, sepse pas gjashtë muajsh ndërroi jetë.

                   Sihariqi për shpresëjetë

     Dhe një ditë erdhi sihariqi. Kampin do ta merrnin në dorëzim Aleatët, sepse Nazizmi kishte rënë. Domosdo, gëzimi ishte i pakufi, por edhe torturat nga më të mëdhatë, sepse bishat që na kishin në dorë sikur shfrytëzonin minutat për të na torturuar më tepër.

    Sidoqoftë u dhanë shenjat e vazhdimit të jetës. Na grupuan sipas kombësive dhe asisoj morëm vesh që ishim 96 shqiptarë. Na ngritën edhe flamurin kombëtar pranë sektorit ku ishim ne. Na informuan për familjet dhe njoftimin se ua kishin dhënë sihariqin atyre që ne jemi gjallë. Mbi të gjitha se së shpejti do të ktheheshim në Shqipëri. Nëpërmjet organizimit të tyre, Aleatët, në kushte krejt të tjera, na sollën në Jugosllavi ku u bashkuam me forcat e Br.6 S që në atë kohë vepronte në Kosovë për çlirimin e saj. Nga aty na sollën në Gjirokastër, duke na pritur kuadrot drejtuese të këtij rrethi, të cilët na uruan që u kthyem gjallë dhe na përgëzuan për qëndresën, guximin dhe dinjitetin e treguar.

    Më pas, po në Gjirokastër, u takuam me familjet tona, që gjithashtu kishin ardhur aty për të na pritur. A mund të imagjinohen emocionet e dyanshme të atij takimi, kur për gjithë atë kohë kishim qenë në “listën” e të vdekurve?!

                                          Epilog

     Nga pasojat e vuajtjeve në atë kamp shfarosjeje Colua dhe Zylfua ikën shpejt nga kjo jetë. Colua në shtëpinë e vet në Bobovisht, ndërsa Zylfua në vitin 1949. Kurse Lilo Qendro arriti të punojë edhe për mjaft kohë në punë të ndryshme me përkushtim duke rritur dhe edukuar fëmijët pa pretendime dhe pa kërkuar asgjë kundrejt gjithë atyre vuajtjeve në Gjermani. Vdiq disa vite më parë në vendlindjen e vet, në Kuç.

    Më gjatë pati fatin të jetojë Tafil Sinovarfi, të cilin arrita ta intervistoj në vitin 2001. Por jo shumë kohë më pas edhe ai ndërroi jetë.

    Sidoqoftë, që të katër, mbetën emblematikë. Jo vetëm për Kuçin. Jo vetëm për Labërinë. Jo vetëm për Shqipërinë. Edhe më gjerë.

                                                                   Dervish Kondi