Kasëm Spahiu “Detari” që nuk njeh lodhje

    450
    Sigal

    Ish kuadri i Flotës Luftarake Detare, zbriti nga bankat e Akademisë së Marinës, direkt në barkun e çeliktë të nëndetëses

     E kam të vështirë që me një shkrim të vetëm, qoftë edhe me përzgjedhje nga veprimtaria në ecurinë e viteve, të sjell të plotë portretin e ish-kuadrit të Flotës Luftarake Detare z.Kasëm Spahiu. Dua t’i largohem viteve të hershme, ku ai djali simpatik, veshur bukur me uniformën e marinës dhe me spaletat e nëntogerit mbi supe, zbriti nga bankat e Akademisë së Marinës, direkt në barkun e çeliktë të nëndetëses. S’do të shkruaj as për ecurinë në vijimësi të karrierës së tij të merituar, ku shpërfaqi aftësitë profesionale, organizuese dhe drejtuese. Jo, nuk do të merrem me këtë periudhë të veprimtarisë së tij lundrimore në thellësitë e detit dhe në sipërfaqen e Bazës së Pashalimanit, sepse për  sa më sipër është folur, intervistuar dhe shkruar në disa gazeta të vendit. Madje nuk do të flas, as për Komisarin që drejtoi suksesshëm Shkollën e Lirë Ushtarake në qytetin e Vlorës, ku stërviteshin punonjësit e shumtë të disa ndërmarrjeve më të mëdha të qytetit, pensionisti i  sotëm Kasëm Spahiu, është po Ai, ish- ushtaraku energjik i djeshëm. Po aq aktiv dhe i palodhur, veprimtar i gjithanshëm, tip  shoqëror si pak kush. Provo të bësh me të një shëtitje p.sh. Vlorë –Skelë dhe do të duhet të ndalesh disa herë nga përshëndetjet, takimet, përqafimet,  ndonëse “telegrafisht”, me aq shumë me miq e shokë të moshave të ndryshme, të cilët plotë respekt i thërrasin: “Tungjatjeta Komisar!”

    Kasëm Spahiu, drejtues i disa shoqatave.

    Meriton ta quash i kudondodhur dhe jo sehirxhi, por një drejtues energjik dhe i talentuar.

    Në Vlorë e kemi kryetar të Shoqatës “Detaria Shqiptare”; kemi nderin që na drejton Shoqatën e miqësisë “Shqipëri – Rusi” dega Vlorë; Shoqata Atdhetare-Kulturore Cakran e ka sekretar të shoqatës; Shoqata mbarëkombëtare “Detaria Shqiptare” me qendër në Tiranë, e ka anëtar të kryesisë. Janë të rrallë të  tillë njerëz që  gëzojnë kaq respekt dhe besueshmëri nga rrethi shoqëror ku militojnë e kontribuojnë si Kasemi. Ka prej nesh, që kur jemi në mbledhjet e shoqatave na i ka ënda të na zgjedhin në drejtimin e tyre. Por sa dalim prej salle, na del nga mendja detyra që na besojnë. E kundërta ndodh me z.Kasëm.

     Refuzon maksimalisht, por që nga momenti që i nënshtrohet vullnetit të shokëve zgjedhës, merr me vete ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore dhe përkushtimin….

    Për të qenë konkret, po qëndroj në disa prej tyre:

    Është i njohur aktiviteti i Shoqatës “Detaria Shqiptare” dega Vlorë.

    Janë nismat e tij personale veprimtari të tilla si: përkujtimet e datave historike, pjesëmarrjet në ditë gëzimesh a morti ndër familjet e anëtarëve të shoqatës, festimet e ditëlindjeve të shokëve, ceremonitë për pranimet e reja në shoqatë, etj. Dukuritë pozitive të veprimtarisë së kësaj Shoqate kanë “joshur” qytetarë të mirëfilltë, të shfaqin dëshirë që të anëtarësohen në ‘të, si p.sh, ish-kryetari i Qarkut Vlorë z. Medin Xhelili, aktivisti i palodhur z. Bujar Goga e shumë të tjerë. Kasëm Spahiu është në krye të shoqatës përkundër diversionit dhe fshirjes historike të Bazës së nëndetëseve në Pashaliman, ku ai ka ngritur zërin fort kundër “kalljes në dhe” të krenarisë së armës më të fuqishme të Flotës Luftarake dhe për pasojë në fshirjen nga kujtesa te brezat që do të vijnë, se ky vend i vogël, ka pasur detarë të mëdhenj, të aftë e të barabartë me më të mirët nënujës të botës. Kasëmi qëndron larg servilizmit dhe konformizmit me Ministrinë e Mbrojtjes dhe të tjerë më lart apo rreth tij. Ai me shumë shokë të tjerë, ndër ta ish kuadrot drejtues të kësaj arme Fitim Halili, Diogjen Gjergji, Halil Leli, nuk ndalen së kërkuari që në emër të historisë së Flotës Detare, njëra nga nëndetëset të mbetet simbol i dëshmisë historike. Por ndonëse me gjithë ato përpjekje e këmbëngulje, në këtë Shoqatë, edhe sot tingëllon pyetja akuzuese:

    “Ku shkoi gjithë  ai premtim nga ish- këshilltari i Kryeministrit Berisha, se njëra nga nëndetëset do të bëhej muze i flotës nënujëse?!…”

     Por të babëziturit dhe të papërgjegjshmit nuk e kanë për gjë të zhdukin veprat dhe institucione të përmasave kombëtare, që i tregojnë botës se Shqipëria nuk është vendi i barinjve dhe i lopçarëve, si ç’është edhe rasti tjetër i shpërbërjes së Shkollës së lartë të Marinës. Shoqatën e Miqësisë “Shqipëri-Rusi”, dega Vlorë, gjithashtu e kryeson z.Kasëm Spahiu. Ai nuk resht  së organizuari larmi aktivitetesh, ku do të veçonim takimin me ambasadorit rus z.Leonid Abramov në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Vlorës, takimin mbresëlënës me një nga pianistet më të famshme ruse, moskoviten Natalia Dejeva, të cilin e ka pasqyruar edhe Gazeta “Telegraf” 

    Ka qenë e pa ditur se në qytetin e Vlorës nga fundi i shek. 19-të ka funksionuar Konsullata ruse, por në sajë edhe të përpjekjeve të z.Kasëm Spahiu, u bë e mundur identifikimi i saj në një nga godinat e këtij qyteti. Lidhjet e ngushta që ai mban me personelin e ambasadës ruse në Tiranë, i kanë dhënë kësaj Dege një vend të veçantë në këtë institucion të rëndësishëm të shtetit rus. Kasëmi është sekretar i Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Cakran”,  kryetari i së cilës është i  pasionuari  Asqeri Llanaj. Kasëm! Zili të kemi, por të të arrijmë, nuk mundemi.