Ja subjektet që duhet të plotësojnë dokumentacionin

    419
    Sigal

    Hipotekimi i pallateve, Bashkia thirrje ndërtuesve të përmbyllin dokumentacionin

    Bashkia e Tiranës u ka bërë thirrje ndërtuesve të angazhohen për të përmbyllur sa më parë dokumentacionin për hipotekimin e të gjithë apartamenteve të ndërtuara në kryeqytet, përfshirë edhe ato që janë në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo tha të mërkurën për mediat, se akti normativ i miratuar për këtë qëllim nga kryebashkiaku Lulzim Basha, i ka hapur rrugën hipotekimit të afro 257 objekteve, me 11 mijë apartamente të ndërtuara me leje, por me kushte të shkelura gjatë procesit të ndërtimit. Nga përfundimi i këtij procesi do të bëhen pronarë të shtëpive të tyre, rreth 50 mijë qytetarë të Tiranës. Por, nënkryetari Bozdo ka ngritur shqetësimin për zvarritjen e këtij procesi nga ana e ndërtuesve. “Në 132 objekte të tjera, ka një problematikë, e cila konsiston në mungesën fizike, juridike apo qoftë edhe në mungesën totale të vullnetit të ndërtuesve të tyre për të ndjekur hapat e nevojshëm për plotësimin e dokumentacionit. Në këto kushte kemi rënë dakord me Shoqatën e Ndërtuesve dhe Dhomën e Tregtisë, që anëtarët e tyre të marrin përsipër kolaudimin e këtyre objekteve, në mënyrë që të mos penalizohet asnjë qytetar i Tiranës. 20 objekte të këtij grupi janë të vetëdeklaruara pranë ALUIZNI-t dhe një pjesë prej tyre e kanë përfunduar procesin e hipotekimit”, tha ai. Zoti Bozdo informoi edhe për objektet e hipotekuara gjatë këtij viti dhe atyre që janë në proces. “Vetëm për këtë vit janë hipotekuar 55 objekte, nga të cilët përfitojnë direkt afro 12 mijë qytetarë të Tiranës. 35 prej këtyre objekteve janë ndërtuar gjatë viteve 2001-2008, me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit. Pajisja me leje përdorimi nga Bashkia e Tiranës e këtyre objekteve, të mbetura peng për vite me radhë, i hap rrugë hipotekimit të një sipërfaqe ndërtimi prej 202.000m2, ndërsa përfitues direkt janë mbi 7 mijë qytetarë të Tiranës”, tha ai. Sipas tij, janë në fazat finale të përfundimit të procesit, edhe 70 objekte të tjera, të ndërtuara po në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, me përfitues afro 14 mijë qytetarë të Tiranës.

    listën e objekteve e gjeni në Gazetën Telegraf