Ja pse kryebashkiakët e Korçës dështuan me projektin bulevardi i “Shën Gjergjit”

    397
    Sigal

    Bulevardi mori shkëlqim, kur u lidh me pazarin dhe u venit, kur u nda prej tij

    KORÇË– Po ju rrëfejmë një ngjarje të vogël që tregon shumë për dështimin e kryebashkiakëve:

    Po afronin Krishtlindjet. Në qytetin e Korçës bënte ftohtë. Era sillte me vete dëborë të ngrirë dhe e përplaste atë në fytyrat e njerëzve. Kalimtarët ulnin kokat, ngrinin jakat e palltove dhe vazhdonin rrugën duke fshehur duart nëpër xhepa. Gjithkush dëshironte të ishte një çast e më parë në shtëpi pranë zjarrit. Çuditërisht, vetëm disa punëtorë të bashkisë Korçë, përpiqeshin të ngrinin disa kioska përballë katedrales “Ngjallja e Krishtit”. Era i shtynte nga pas dhe nuk i linte të punonin. Pas shumë përpjekjesh me erën, të ftohtin dhe dëborën, kioskat u ngritën. Nga sa kuptohej, aty do të vinin disa tregtarë të pazarit të Korçës që të shisnin artikuj të ndryshëm për Krishtlindjet. Kjo ishte shenja e parë që po  tregonte qartë për ku ishte nisur Korça. Më mirë se kjo ngjarje nuk e tregon asgjë tjetër vizionin e drejtuesve të bashkisë, veçanërisht të zotërinjve Sotiraq Filo dhe Niko Peleshi.

    Të nesërmen

    Të nesërmen u duk një grup tregtarësh. Secili prej tyre zuri nga një kioskë, ku vendosën mallin që do të shisnin dhe pas kësaj u vunë në pritje të klientëve. E ftohta vazhdonte të ishte po njëlloj. Ata u frynin duarve dhe herë pas herë nxirrnin kokat me frikë nga dritarja për të parë nëse drejt tyre po vinte ndonjë blerës. Askush nuk po u afrohej. Tregtarët, edhe pse e kishin ditur që do të ndodhte kështu, po ndiheshin edhe më të pashpresë. Nuk dinin si të bënin, nëse duhej të qëndronin ende aty apo t’i braktisnin kioskat e ftohta si akullnaja dhe të iknin prej aty ku rrinin si të mbërthyer. Por, si mund të iknin pa një lek në xhep! Veç kësaj, nëpunësit e bashkisë u kishin kërkuar tregtarëve që të qëndronin aty. Po eksperimentohej vizioni i bashkisë Korçë! Për të thyer sadopak të ftohtin, tregtarët i mbështollën kioskat e tyre edhe me copëra plastmasësh. Pas pak minutash qendra e qytetit mori një pamje të mjerueshme. Ishte një pamje rrëqethëse dhe e shëmtuar pafundësisht. Dëgjohej vetëm melodia e erës që fërkohej pas copërave të plastmasëve  Tregtarët vazhdonin të qëndronin aty, por askush nuk vinte për të blerë. U larguan vetëm në mbrëmje, kur kishin shitur ndonjë gjë të vogël. Atë ditë nuk e siguruan dot as bukën e gojës, por ata të bashkisë u kishin kërkuar të vinin aty edhe të nesërmen tjetër, edhe të pasnesërmen. Vizioni i bashkisë duhej të kalonte gurin e provës.

    Nuk blen askush

    Sigurisht, tregtarët erdhën dhe të nesërmen, edhe të pasnesërmen, por gjendja nuk pati të ndryshuar. Vetëm erë dhe dëborë që hynte brenda kioskave përmes të çarave që gjente. Askush nuk afrohej për të blerë. Trishtimi ishte i madh dhe i dukshëm në sytë e tregtarëve. Flokëzat e dëborës që u shkrinin te syri, u dukeshin si pika loti. Shitja në atë vend ishte një mundim i madh për ta. “Pse nuk blen askush?”- i pyetëm. Ata e kishin ditur  përgjigjen edhe pa ardhur të shisnin aty. “Nuk ka arsye, që njerëzit të vijnë të blejnë këtu, – ishte përgjigjja e tyre, – sepse ata shkojnë te pazari, atje gjejnë gjithçka, edhe mallrat që shesim ne”. Dhe pas kësaj përgjigje ata të vështronin me keqardhje. U vinte keq për veten që stërlodheshin pa asnjë lloj kuptimi duke qëndruar në mes të rrugës në pritje të ndonjë klienti të vetmuar. “Po atëherë, pse nuk ikni?”- i pyetëm përsëri. “Mbase vitin tjetër nuk do të vijmë të shesim më këtu”, – u përgjigjën.  Ata vazhdonin të qëndronin aty mes të ftohtës dhe akullit

    Disa vite radhazi

    Por tregtarët erdhën aty edhe vitin tjetër. Bashkia kishte vendosur t’u shkonte deri në fund eksperimenteve të saj. Dështimi ishte përsëri  i plotë. Ai vend nuk jepte asnjë shpresë për një tregti të mbarë. Nuk ishte vendi i duhur. Tregtarët provuan edhe vitin tjetër dhe dështimi ishte po aq i suksesshëm sa edhe më parë. Përpjekjet e tyre po bëheshin edhe më të pakuptimta. Ishte më shumë se absurde. Çfarë synohej vallë me ngritjen e një sërë kioskave përballë katedrales? Askush nuk e dinte. Përpjekjet vijuan edhe gjatë vitit pasues dhe vetëm atëherë njerëzit nisën të kuptonin se drejtuesit e bashkisë dëshironin ngritjen me çdo kusht të një tregu, i cili dalëngadalë të pushtonte gjithë bulevardin “Shën Gjergji”. Bulevardi duhej të kthehej në qendrën tregtare më të fuqishme të qytetit të Korçës, të bëhej po aq i famshëm sa pazari i vjetër, madje ta kalonte atë e të shndriste si një mrekulli, e krijuar sipas shëmbëlltyrës së drejtuesve të bashkisë së Korçës. Dëshironin gjithashtu që bulevard të ishte i frekuentueshëm dhe gjithnjë plot njerëz.

    Projekti  

    Projekti i madh për të cilin ishte eksperimentuar me aq ngulm nisi të vihej në jetë. Bulevardi “Shën Gjergji” u shndërrua në pedonale. U restauruan të gjitha fasadat e lokaleve dhe ndërtesave që gjendeshin përgjatë kësaj rruge. U zbukuruan me lajlelule, tabela dhe reklama pamjet ballore të dyqaneve. Shpresat u bënë të mëdha. Pritej që aty të lindte qendra tregtare, më e famshmja në gjithë historinë 500-vjeçare të Korçës. Tregtarët e kafeneve mund të nxirrnin jashtë me dhjetëra e dhjetëra tavolina. Gjithë hapësira e rrugës do të ishte vetëm për ta. U duhej vetëm ta shfrytëzonin këtë mundësi që po u dhurohej dhe vetëm kaq. Dhe ata blenë karrige dhe tavolina të reja, më të bukura, më të mira e më bashkëkohore. Ngritën çmimet e kafeve dhe të pijeve dhe falënderuan Zotin për këtë të mirë që u kishte zbritur nga qielli. Në këtë rrugë nuk do të kalonte më asnjë makinë. Qytetarët nuk do të shqetësoheshin nga askush. Mund të qëndronin aty për qejf të vet sa të dëshironin. Bashkia u kishte ofruar parajsën. Por në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Gjithçka kishte qenë një dështim historik që do të mbahet mend shumë gjatë.

    Dështimi i projektit

    Sërish u prit me ankth ardhja e Krishtlindjeve. Do të provohej përsëri me ngritjen e kioskave të dimrit. Grupi i tregtarëve u duk përsëri. Si gjithnjë, ata hynë brenda kioskave për të mbrojtur veten nga era e ftohtë dhe bora që akullonte gjithçka, në pritje të dikujt që mund të blinte në kioskat e tyre. Fatkeqësisht, nuk u pa asnjë sukses. Pati vetëm dëshpërim. Dështimi ishte i madh, madje i frikshëm. Ishin investuar miliona lekë dhe rezultati ishte zero. Mbetej të shihej çfarë do të ndodhte me këtë projekt madhështor gjatë periudhës së verës. Ajo që u konstatua ishte një ironi shokuese. Sheshi i madh i pedonales kishte nisur të shndërrohej në fjetore për qentë e rrugës. Aty ata ndiheshin më të mbrojtur se në çdo rrugë tjetër. Përgjatë pedonales nuk kalonte asnjë makinë, as natën dhe as ditën, ndaj askush nuk  mund t’u prishte gjumin e rehatshëm natës. Aty gjenin dhe mundësinë shumimit, por tashmë në kushte më të favorshme dhe më komode. Duket se qentë e të gjitha lagjeve, mblidheshin aty fill pas mbylljes së dyqaneve. Madje u vu re edhe një fenomen tjetër. Nga që qentë nuk i trazonte askush gjatë natës, instiktivisht kishin filluar të ndiheshin si në shtëpinë e tyre, ndaj çdo mëngjes, përmes ulërimash të shumta, tregonin se nuk ishin të gatshëm të largoheshin nga aty.

    E pabesueshme!

    Askush nuk e kishte menduar që do të ndodhte kështu. Madje nuk po e kuptonin dot, përse bulevardi “Shën Gjergji” nuk po bëhej i frekuentueshëm nga njerëzit. Dikur, në vitin 1916, sipas kujtimeve të Nokollaq Zoi, bulevardi “Shën Gjergji” ishte shndërruar në bulevardin më të frekuentuar të banorëve të Korçës. Aty njerëzit bënin xhiron e mbrëmjes, shërbente për njohje dhe fejesa, për lënie takimesh dhe pirje kafesh me miqtë, për paradë mode dhe  bukurie. Bulevardi e ruajti këtë funksion deri në fund të viteve ‘30. Edhe drejtuesit e bashkisë duket se këtë projekt kishin patur ndërmend të realizonin. Kishin vendosur t’i sillnin bulevardit “Shën Gjergji” lavdinë e dikurshme, por nuk mundën. Ata ose nuk e njihnin historinë e kësaj rruge, ose dëshironin ta injoronin atë. Ndaj dhe dështimi i projektit  ishte i pashmangshëm.  Bulevardi i “Shën Gjergji”, nisi të merrte jetë në vitin 1905, kur kjo rrugë u bashkua me pazarin e Korçës. Gjatë viteve 1916-1939 kjo rrugë shënoi lulëzimin e vet. Bulevardi e humbi përjetësisht funksionin që nga dita që ai u nda përsëri nga pazari i Korçës, për shkak të ndryshimeve urbanistike që iu bënë këtij qyteti. Që nga ajo ditë bulevardi në fjalë përjeton agoninë e vet. Njerëzit e braktisën dhe xhiroja kaloi në bulevardin “Republika”.

    Së prapthi

    Gjithçka e nisur nga drejtuesit e bashkisë u bë së prapthi, ndaj dhe kthimi në jetë i këtij bulevardi u bë i pamundur. Ata harruan që bulevardi “Shën Gjergji” merrte jetë vetëm nga pazari i Korçës. Pazari nuk mund të zëvendësohet me krijimin e një pedonaleje, me restaurimin e fasadave, me lajlelule e reklama, me  karriget e tavolina bashkëkohore,

    Që ky bulevard të rifitojë lavdinë e vet të humbur, ka vetëm një rrugë: Të lidhet sërish me pazarin e Korçës, ashtu siç lidhej dikur. Por, nëse kjo është e pamundur, atëherë bulevardi “Shën Gjergji” do të mbetet po kaq i pajetë sa edhe sot e gjithë ditën. Gjatë verës ai do të jetë një shesh i zbrazët, i trishtuar dhe pa njerëz, ndërsa në dimër do të shndërrohet në një lloj përroi për mbledhjen e ujërave që vijnë nga lart, ku as pusetat nuk do të mund ta shpëtojnë dot nga përmbytja apo nga uji që do të vërshojë si lumë mbi sipërfaqen e pedonales. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Deri në vitin 1860 bulevardi ‘Shën Gjergji’ nuk ishte gjë tjetër, veçse një përrua i thellë që derdhte ujërat e veta në lumin e Korçës.

     Nga Vepror Hasani